Autori i Lajmit: Denisa Kona
Neurozat janë mjaft të përhapura. Shpesh zhvillohen tek njeriu, pa vetëdijen e tij se diçka po ndodh. Shenjat e para të një neuroze ngatërrohen me një stres të zakonshëm. Por me kalimin e kohës, këto shenja forcohen dhe shndërrohen në kronike. Edhe kur pacientët drejtohen tek mjeku, ata aty fitojnë mbështetjen klinike, por faktorët që e kanë shkaktuar neurozën shpesh mbarten të pazgjidhura. Ndarjet, dhuna fizike dhe psikologjike, papunësia, etj mbeten “të pamjekuara” dhe kontributi i shtetit dhe i shoqërisë për shërimin e neurozave është gati zero. Ja përse disa herë është i ështirë shërimi i tyre. Për shumë aspekte sociale dhe mjekësore të lidhura me neurozën flet për “Ballkan” neurologu i Poliklinikës nr.3, Dr. Agron Islamaj.



Pas 97-a ka lënë gjurmë dhe po vazhdon të lërë gjurmë, ka provokuar një epidemi të tërë. Popullata vazhdon të vuajë 97-n, në një epidemi neurotike e cila ende nuk është mbyllur. Janë neuroza që mbarten nga ankthet që kanë kaluar njerëzit në atë kohë dhe nga humbjet e mëdha të jetëve. Krismat, pasiguria po shohim se kanë lënë shumë më tepër pasoja nga sa mund të dukej në atë kohë

-Çfarë janë neurozat doktor dhe nga se shkaktohen ato?

Neuroza është një prishje e raportit midis procesit të nxitjes dhe frenimit të sistemit nervor. Kjo jep një mbilodhje të sistemit nervor. Nënkuprtohet që në praktikën e përditshme ne këto i shohim shpesh. Pa e ekzagjeruar, në vizitat ambulatore që kemi, rreth gjysma e të sëmurëve vuajnë nga neurozat apo mbilodhjet e sistemit nervor.

-Doktor, gjithnjë një mbilodhje është neurozë? A është neurozë ngacmimi i sistemit nervor nga një punë e shtuar mendore e ndonjëherë edhe fizike apo një situatë tjerër provokuese?

Jo gjithnjë shqetësimi nervor që personi ndjen, është neurozë. Neuroza është gjendje e veçantë e sistemit nervor e zgjatur dhe jo e momentit, sepse momente të lodhjes secili nga ne ka, provon irritim në kalimin e një situate të vështirë. Situata të ndryshme të ditës provokojnë mbilodhjen e sistemit nervor por ne nuk i quajmë këto neuroza.

-Kur kemi të bëjmë me neurozën si diagnozë?

Kjo vendoset si neruozë, nëse i sëmuri ka një kohë të gjatë që ankohet për mospërqëndrim, çrrergullime të ritmit të gjumit, prishje të oreksit, një ngacmueshmëri të shtuar (irritim), mund të ankohet për shqetësime që lidhen me organe të ndryshme, por që nuk kanë asnjë dëmtim që të rezultojë pas ekzaminimeve të ndryshme. Kur të gjtha këto dalin normal, këta të sëmurë vijnë tek ne. Pra, duhet njëfarë kohe dhe jo për një moment të caktuar vihet diagnoza e neurozës. Eshtë e rëndësishme të dallohet neuroza nga stresi, sepse stresi është gjendje e veçantë nervore, pa ndryshime organike por me ndryshime funksionale.

-Doktor, a mund të çojë stresi në neurozë?

Patjetër që stresi çon në neurozë, edhe pse nuk është vetë i tillë. Por ai është shkak madhor për këtë sëmundje. Ai çon në ato raste kur vazhdon për një kohë të gjatë. Por edhe kur është i shkurtër por intensiv mund të shkaktojë një gjendje neurotike. Pra, kohëzgjatja dhe madhësia e stresit janë ata që përcaktojnë.

-Ju keni patur mundësinë që për 40 vjet të vizitoni me mijëra pacientë. Midis shkaqeve të stresit, cilat keni renditur ju të parat në listën e shkaktarëve të neurozave: Përshembull, stresi nga sëmundje të tjera apo vuajtja prej tyre, apo probleme të ndryshme social-ekonomike, frika e papunësisë apo vetë papunësia etj?

Nga përvoja ime, stresi dhe më vonë neurozat si gjendje të zgjatura, ndodhin si rezultat i faktorëve social-ekonomikë. Konkretisht, krizat familjare reflektohen shpesh me neuroza të njërit prej pjesëtarëve të familjes apo çiftit. Neurozat ne i shikojmë edhe në mosha shumë të reja, i shohim edhe në mosha të mëdha. Shkaqet janë ekonomike, sociale dhe familjare. Konfliktet në familje, por edhe konfliktet mes të rinjve janë nga më tipiket. Ne shohim përvit e më shumë raste të rinjsh, sidomos vajza studente, gjimnaziste, të cilat vuajnë prishjen e marrëdhënieve të dashurisë deri në fazën e neurozave. Këto marrëdhënie dashurie të shkatërruara na kanë shtuar edhe numrin e pacienteve në moshë të re. Fillimisht të rejat provojnë një gjendje stresi, të cilin kur nuk arrijnë ta kapërcejnë shpejt, kalojnë në fazën e neurozës. Edhe fillimi i marrëdhënieve seksuale të parakohshme në vitet e adoleshencës shoqërohet me situata të tilla ankthi, të cilat ndonjëherë lënë gjurmë të thella.

-Doktor, a ka sëmundje të tjera që shkaktojnë neuroza, qoftë prej shqetësimit fizik që japin, prej barnave që përdoren për mjekimine tyre apo prej shqetësimit shpirtëror?

Po patjetër që ka. Janë sëmundjet e tiroides apo gjendrave endokrine siç quhen. Këto provokojnë lodhje të sistemit nervor. Po kështu, kalimi i një sëmundjeje infektive ose inflamatore, lëngimi për një kohë të gjatë nga një infeksion i sistemit nervor, (siç janë encefalitet), por edhe infeksione të tjera. Ne kemi parë që persona që lëngojnë nga sëmundje të ndryshme, vuajnë njëkohësisht edhe nga neurozat.

-Në cilën moshë apo grupmosha vërehen më shpesh neurozat?

Më tepër shikohen në moshën e pubertetit dhe në moshën e preklimaksit apo klimaksit. Pra, është periudha e ndryshimeve hormonale tek gratë që i bën më të ndjeshme, si dhe ndryshimet e fuqishme hormonale në pubertet. Por kjo nuk do të thotë se nuk haset edhe tek meshkujt, sidomos në andropauzë. Por, gjithashtu shikohet edhe në moshën tjetër: në moshën aktive. Neurozat prekin më shumë njerëz me sistem nervor të ndjeshëm.

-A ka profesione që favorizojnë më shumë se disa të tjera neurozat, sipas rasteve që ju paraqiten?

Procese të ndryshme pune paraqesin vështirësi të natyrave të ndryshme, të cilat mund të provokojnë neuroza, duke iu mbishtuar edhe problemeve të tjera që ka një individ. Por nuk mund të bëjmë dot një klasifikim të profesioneve më të riskuara apo që shkaktojnë më shumë depresion. Ajo që vërejmë është se janë shtëpiaket më të prekura nga neurozat. Pastaj, jo edhe aq prej lodhjes së profesionit, sesa prej ndjeshmërisë që kanë vetë artistët ndaj realitetit, janë të riskuar. Po ashtu edhe kategoritë e personave që merren me aktivitete biznesi. Një pjesë vuajnë neurozat e lidhura me varfërinë dhe një pjesë vuajnë neurozat e lidhura me pasigurinë që sjell me vete pasuria e vënë në rrugë të ndryshme.

-Ndikon rregjimi tek provokimi i neurozave dhe nëse po, cilat aspekte të tij?

Po, ndikon prishja e raportit punë-shlodhje, prishja e gjumit, përshembull te studentët, tek nxënësit, çrregullimet në të ngrënë. Eshtë pikërisht prishja e raportit punë- pushim apo studim- pushim. Por ne vëmë re se tek të rinjtë, shenjat e neurozës vijnë më së shumti nga një stil i keq të jetuari. Jeta e natës më shumë sesa mbingarkesa me studime bëhet shkak neuroze tek shkollarët e sidomos tek rinia studentore.

-Doktor, a mund të flasim për neuroza të vjetra dhe neuroza të reja?

Po, sigurisht.ka neuroza që janë të vjetra dhe që vazhdojnë për vite të tëra, ka edhe të çastit apo të muajve të fundit. Kuptohet që të rejat kalohen më shpejt.

-Doktor, si është përhapja e sëmundjes së neurozës ndër shtresat e margjinalizuara të shoqërisë?

Kjo vetëkuptohet që edhe tek këta ndikon problemi që përjetojnë, apo trauma që kanë kaluar. Ne kemi rastet e personave të abuzuar, të keqtrajtuar, të trafikuar apo të lënë pas dore. Për vetë kushtet në të cilat jetojnë.

-Nga periudhat në të cilat ju keni shërbyer si mjek neurolog, mbani mend ndonjë kohë fluksesh të shtuara? Pra, në cilën kohë shqiptarët kanë treguar më shumë prekje nga neurozat?

Pas 97-a ka lënë gjurmë dhe po vazhdon të lërë gjurmë, ka provokuar një epidemi të tërë. Popullata vazhdon të vuajë 97-n, në një epidemi neurotike e cila ende nuk është mbyllur. Janë neuroza që mbarten nga ankthet që kanë kaluar njerëzit në atë kohë dhe nga humbjet e mëdha të jetëve. Krismat, pasiguria po shohim se kanë lënë shumë më tepër pasoja nga sa mund të dukej në atë kohë.





Masturbacioni dhe vetë seksi ngacmojnë sistemin nervor



Në teorinë e Frojdit thuhet që masturbacioni shkakton sëmundje mendore, ndërsa të tjera teori e hedhin poshtë dhe e konsiderojnë si të shëndetshëm. Por ja se cili është shpjegimi i doktorit të Shkencave, neurologut Agron Islamaj: “Përfundimin e Frojdit e kam gjetur si të vërtetë, edhe pse për raste të evidentuara nuk ka të dhëna trë sigurta, pasi është ende tabu që pacienti të rrëfejë për përvoja të tilla seksuale. Por, është e provuar që masturbacioni krijon herë-herë probleme të tilla. Por edhe vetë kryerja e një marrëdhënieje mund të shkaktojë një mbilodhje të sistemit nervor, deri edhe neurozë, sepse gjatë aktit ndodh një shtim i prodhimit hormonal e ndryshimi i këtyre niveleve paraqet një gjendje nervore të ngacmuar, një stres apo gjendje emocionale të rritur. Edhe tek ata që janë impotentë, mund të ndodhë një gjendje e tillë”







Shtëpiaket, më të prekurat nga shqetësimet nervore



Dr. Islamaj shpjegon se çjanë neurozat, trajtimi i tyre dhe pasojat e mosmjekimit



-Doktor, a mund të kthehen neurozat në sëmundje të tjera më të rënda nervore, nëse nuk kurohen?

Neurozat mund të paraprijnë shumë sëmundje të tjera, sepse fillimisht ne mund të kemi ndryshime funksionale, por një zemër që fillimisht rreh më shpesh si rezultat i një neruoze, mund të kalojë, në ndërlikime, mund të shfaqet hipertensioni etj. Po kështu, mund të bëhet shkak për një çrregullim të qarkullimit të gjakut të trurit etj. Por mund të provokojë nuk mjekohet, edhe diagnoza më të rënda nervore, deri edhe kancer. Mundet ta shfaqë apo ta shpejtojë krahas faktorëve të tjerë. Neuroza mund të jetë shkalla e parë që më pas mund të kthehet në një depresion.

-Doktor a kurohet dhe a shërohet plotësisht neuroza?

Po, për fat të mirë, kur neuroza kapet në kohë dhe zbulohet shkaku, ajo mund të eliminohet plotësisht.

-A janë të zgjatura në kohë mjekimet, apo janë afatshkurtra?

Nëse mjekimi kombinohet me eliminimin e shkakut që e provokon neurozën, është më i shpejtë, nga disa muaj deri në disa javë. Por, nëse mjekimi nuk shoqërohet me shkakun dhe ky vazhdon të veprojë, atëherë mjekimi nuk vepron mjaftueshëm, mund të rikthehet gjendja dhe mjekimi bën efekt të përkohshëm ose duhet të jetë i zgjatur.

-Doktor, po profesioni i mjekut, duke patur të bëjë me gjendje jonormale të njerëzve me të cilët punon, njerëz që vuajnë, a shkakton neurozë? Apo mjeku ka fituar imunitet?

Po, patjetër që edhe mjekët kalojnë neuroza prej profesionit të tyre. Mjeku sado i stërvitur edhe ai është njeri me sistem nervor, siç thotë populli, prej mishi dhe prej gjaku. Edhe ne bëhemi të ndjeshëm. Ju keni dëgjuar për mjekë që kanë pasur infarkte të trurit, hemorragjira në tru, zënie të enëve të gjakut të trurit, pikërisht mbi këtë bazë, ose që kanë pësuar neuroza fillimisht. Këto janë neuroza profesionale. Ne shohim raste që edhe ne si profesinistë të Shëndetësisë nuk kalojnë pa na tronditur. Përshembull, kur diagnostikoj një tumor në kokë, meqenëse jam neurolog, mua më mbetet mendja atje, them si do ta ketë, si do ti shkojë, çfarë ecurie do të ketë. Pra, të gjitha janë ngacmime që një moment japin neuroza.

-Si mund të rehabilitohet sistemi nervor i një personi që vuan tashmë nga një neurozë?

Në radhë të parë, medikamentet janë të fundit. Një neurozë ka raste që kalon edhe pa medikament, nëse kalon shkaku që e provokon atë. Unë këmbëngul tek shkaku. Së dyti, nëse i sëmuri kombinon raporin punë-shlodhje-aktivitet sportiv, ai përparon shumë shpejt në shërim. Zbatimi i regjimit të studimit, i regimit të ushqyerjes merr rëndësinë e vet. Shmangia e ambienteve me zhurma të larta po ashtu.

-Doktor, ju përmendët ushqyerjen. Si ndikojnë grupe të ndryshme ushqimesh mbi sistemin tonë nervor?

Ushqimet e pasura me kripëra minerale dhe vitamina forcojnë sistemin nervor dhe sistemin imunitar njëherësh dhe bëjnë që njeriu ta përballojë shumë më mirë. Sepse ndodh që tek neurozat kemi një varg çrregullimesh të sistemit të organizmit, duke nisur nga mushkëritë, zemra, aparati tretës, aparati genital etj. Ajo që rekomandohet janë fruta-perimet, ushqimet e pasura me albumina por të pakta me yndyrna. Mishi me dhjam, gjalpi etj, duhet të kufizohen, ndërsa peshku është shumë i mirë. Të gjitha prodhimet që përmbajnë kripëra minerale, potasium, kalium, magnezium, janë të shëndetshme edhe për sistemin nervor.

-Doktor, a konsiderohet ndonjë lloj neuroze gerndja e ngacmuar nervore e grave në ditët para apo gjatë ciklit menstrual, ndryshimi i humorit, nervozizmi etj?

Jo, kjo nuk konsiderohet, është një gjendje e përkohshme e sistemit nervor. Nëse kërto zgjasin edhe pas periudhës së ciklit, kuptohet që kërkojnë mjekim. Por bëhet fjalë kur zgjasin jashtë kësaj kohe, me javë apo muaj. Një nga preparatet që rekomandojmë për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë, është edhe preparati me mikroelementë si magnezi vit. B6, i dobishëm për sistemin nervor.

-A është e rrezikshme të marrësh medikamente për të qetësuar sistemin nervor? Shumë njerëz drejtohen tek kutia e medikamenteve në shtëpi kur kanë një pagjumësi, një irritim, kokëdhembje apo një tension tjetër. Të tjerë, drejtohen tek cigarja ose alkooli. Cfarë përgjigjesh keni për secilin rast?

Medikamentet nuk duhet të përdoren pa rekomandimin e mjekut, sepse këto- valiumi, lorami, libriumi etj. si preparate qetësuese dhe gjumëprurëse janë thikë me dy presa; bëjnë pjesë tek drogat e lehta, krijojnë varësi dhe kanë edhe efektet e tyre anësore. Lorami përshembull, që po përdoret shumë, nëse nuk përdoret vetëm për një kohë të caktuar, por përdoret për një kohë të gjatë, i sëmuri bëhet i varur dhe çrregullimet e ankthit që kanë këta të sëmurë nuk kalojnë veçse me loram, librium apo valium. Më pas, ky humbet efektshmërinë.

-A japin neurozat gjendje ankthi?

Po japin.Sepse neurozat janë të formave të ndryshme. Këtu hyn edhe neuroza histerike, e cila provokon paraliza të ndryshme, kufizime të lëvizjeve, edhe kriza të ngjashme me ato të sëmundjes së tokës apo ndërpreje të të folurit etj.

-Neuroza e zakonshme çfarë karakteristikash dhe shenjash të dallueshme ka?

Është dhimbja e kokës e karakterit rëndues, mungesa e përqëndrimit, nervozizmi, ulja e aftësive përqëndruese dhe intelektuale, gjendje e keqe shpirtërore, nganjëherë mbyllja në vetvete, që mund të kenë çrregullime të tensionit, të gjumit, të oreksit etj.

-Doktor, ka raste që njerëzit ankohen nga një gjendje përgjumjeje, edhe pse mund të kenë fjetur mirë gjatë natës. A është kjo një shenjë neuroze?

Njihen dy lloje..nëse kjo përgjumje zgjat për një kohë, është në kuadrin e një neuroze. Por nëse është për një kohë të shkurtër, vjen nga një mbilodhje e momentit e sistemit nervor dhe kjo tregoin që njeriu ka nevojë të pushojë që të ripërtërijë forcat e veta mendore. Por zakonisht neuroza shoqërohet me prishje të gjumit, më shumë sesa me shtim të dëshirës për gjumë. Njihen neurozat me gjumë të shtuar, por më shumë me pagjumësi apo me çrregullime të ritmit të gjumit në faza të ndryshme. Përshembull, pacienti bie për të fjetur, nuk e zë gjumi, përpëlitet, ose e zë gjumi dhe i del herët apo zgjohet gjatë natës.

-A ka medikamente që merren për sëmundje të tjera dhe që ndikojnë mbi sistemin nervor qendror dhe periferik? Dhe a tregojnë mjekët kujdesin e duhur në trajtimin e pacientëve?

Po, ka medikamente me të tilla efekte anësore. Madje, sot ka neuroza të provokuara nga medikamentet, sidomos në fushën e barnave të psikiatrisë, të neurologjisë, por edhe në fusha të tjera të sëmundjeve të brendshme apo të përgjithshme.

-Cilat mund të jenë disa grupe medikamentesh që njihen për ndikimin negativ mbi sistemin nervor?

Përshembull, do të përmendja përdorimin e nxitësve të sistemit nervor që mund të provokojnë çrregullime. Ose përdorimi tek gratë i kontraceptivëve, përdorimi jo i drejtë dhe jo i përshtatur me pacienten, mund të sjellë një varg problemesh hormonale dhe indirekt edhe në sistemin nervor.

Duhet të kini parasysh se çdo preparat ka efekte anësore, por është edhe individuale.Cinarizina ( nestugeroni) që përdoren gjerësisht tek të moshuarit apo edhe në mosha të tjera, mund të japë gjendje përgjumësie dhe ulje të aktivitetit të përditshëm, mund të provokojë dridhje, prandaj duhet përdorur me shumë kujdes. Bota sot flet për përdorim me shumë kujdes të këtij bari.

-Shpesh, njerëzit janë në kontakt me lëndë kimike, gazra, avuj në mjedisin ku banojnë apo ku punojnë. Si ndikojnë këto mbi sistemin nervor?

Këto mund të gjejnë terren për të shkaktuar neuroza sepse së pari ndikojnë në sistemin e qarkullimit të gjakut, në furnizimin me gjak të trurit dhe rrjedhimisht provokojnë edhe neuroza.





Duhani dhe alkooli rëndojnë sistemin nervor



Duhani dhe alkooli janë përkeqësuese të çdo lloj diagnoze të lidhura me sëmundjet nervore. Janë droga të lehta dhe këto kanë fektet e tyre. Përshembull; duhani shkakton një ngushtim të enëve të gjakut, përveç elementeve që ndikojnë në frymëmarrje. Duke penguar qarkullimin normal të gjakut, furnizimin ritmik të trurit me gjak, rrjedhimisht edhe me oksigjen, bëhet shkak për rëndimin e sistemit nervor, çrregullon kalimin e impulseve në nyjet apo sinapset e sistemit nervor. Alkooli helmon qelizat nervore dhe pengon punën normale të tij. Ky lë enët e gjakut në gjendje të zgjeruar dhe në pamundësi për tu mbledhur dhe ngushtuar si duhet, truri nuk furnizohet si duhet me gjak.





Ky lajm është publikuar: 30/03/2010