Po kalojnë 15 ditë dhe Edi Rama ende s’ka dhënë prova të njimendëta se e ka mendjen tek Partia Socialiste apo tek ofrimi i alternativave politike. Por kur është fjala për t’u gjendur gjithmonë tek llogorja e keqpërdorimit, tek llogorja e prishjes së imazhit të vendit, mungesa e Edvinit s’ndikon shumë; ca, për shkak se sms-të e anulojnë këtë problem, por në shumicë për shkak se ka një orientim të vjetër të rekrutëve të mesëm për t’i trajtuar të gjitha çështjes sipas parimit të luftës së klasave. Ky parim i fortë e me shumë dëm në të shkuarën po shërben këto kohë si një busull udhëheqëse për një hordhi opozitare që s’e di se ku e ka kryetarin, por që ka kujtesën e dëmeve të vjetra dhe intuitën për t’u përballur edhe me forcat e reja që kërkojnë demokraci e standarde. E gjithë struktura e kësaj hordhie angazhohet për të rrëfyer mesazhin e rremë se stina turistike ka dështuar, se strukturat shtetërore s’bënë sa duhet për të shpëtuar jetën e Apostol Gumës apo për të kapur dorasin e kësaj vrasjeje, se shteti s’figuron në disa zona të jugut të vendit apo se në përgjithësi, strukturat e shtetit s’janë hiç popullore për shumicën e shqiptarëve. Të gjitha janë deklarata që e kanë burimin tek spekulimi i pamundësisë për të testuar realisht në këtë segment kohor, por mbi këtë spekulim, busulla e luftës së klasave shërben si katalizator. Lufta e klasave është një mesazh që mban të bashkuara mbeturinat e strukturave të vjetra, që thith sipas një valence dëshpëruese trashëgimtarët e brezit të dytë dhe që gjen tek kryetari që është shpallur në kërkim, një personalitet të fortë të njerëzve pa pikë morali dhe që i paguhen prurësit më të parë. Rigjallërimi i luftës së klasave – shyqyr Zotit – po ndodh në një periudhë dëshpërimi për mbeturinat e diktaturës dhe po has në rezistencën e një valence të lartë, nga ana e strukturave shtetërore. Ish-të përndjekurit politikë s’ka pse të ndihen të tulatur nga agresioni mediatik që po shoqëron problematikën e vështirë të dëmshpërblimit, ish-pronarët s’ka pse të tulaten nga aleatët e rinj e të paparashikueshëm që po gjen lufta e klasave edhe tek institucionet kushtetuese, kurse rinia dhe të eturit për meritokraci e karrierë s’ka pse të fajësojnë mosarritjet momentale direkt e shkurt me strukturat shtetërore. Për fat të keq, rigjallërimi i ndjesisë së luftës së klasave ka sjellë edhe rigjallërimin e disa strukturave kapilare bolshevike, që bëjnë dëm ku u vjen rasti. Opozita e hienave është rasti më domethënës, kur këto struktura kapitale shndërrohen në një forcë penguese për t’u marrë në konsideratë. Ende s’jam i qartë se si duhet zgjedhur mënyra e eliminimit - a të paktën - e intimidimit të këtyre hordhive, por keqpërdorimi i rastit të Himarës duhet të shërbejë për të na treguar se duhet një vijë sjelljeje e re ndaj kësaj opozite të mbushur me zombie, që s’ka shanse të ketë sukses, por që duket se është e vendosur të shkaktojë dëme.

...