Kjo do të thotë se qytetarët do të paguajnë 10 për qind të vlerës së automjetit, në momentin që do të importojnë një të tillë nga jashtë shtetit. Vendimi ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, vendim i cili ka hyrë në fuqi ditën e djeshme.

Skema e re

Në shtator të këtij viti, qeveria hoqi doganën për makinat e importit. Kush sillte një makinë nga jashtë, nuk paguante më taksë doganore, por vetëm TVSH, prej 20%. Për llogaritjen e TVSH, doganat shqiptare kishin çmime reference. Kjo do të thotë se, pavarësisht se sa para kishte paguar qytetari për blerjen e makinës, pagesa e TVSH do të bëhej mbi një vlerësim të doganës në pikën që importohej makina. Vlerësimi i makinës bëhej duke iu referuar revistës italiane “QUATTROROUTE”. Kjo e fundit ka një databazë shumë të gjerë të shitjes së makinave të përdorura, të ndara sipas markës, cilindratës, vitit të prodhimit dhe llojit të karburantit.

Pas konfirmimit të vlerës së makinës nga revista, doganieri llogariste 20 për qind të çmimit, të cilin qytetari paguante si TVSH. Duke qenë se në Europë ka shumë tregje, dhe çmimi i një automjeti varion nga vendi në vend, në udhëzimin e vjetër parashikohej një ulje e çmimit deri në 30%. “Në këtë rast, vlera doganore nuk duhet të jetë më e ulët se 70% e çmimit të gjendur në tabelë”, thuhej në udhëzimin e vitit 2007, duke bërë kështu që çmimi i revistës referencë në dogana të mund të ulet deri në 30% për t’iu afruar çmimit që paraqiste qytetari.

Kjo gjithmonë në rast se çmimi që paraqiste qytetari për makinën, të ishte të paktën 70% më i lirë se sa ai i referencës. Në udhëzimin e djeshëm, qeveria ka rritur me 10 për qind mundësinë e uljes së çmimit të referencës. “Në këtë rast, vlera doganore nuk duhet të jetë më e ulët se 80% e çmimit të gjendur në tabelë”, thuhet në udhëzimin e ri të Financave, cituar nga “Panorama”. Pra, ulja e çmimit të referencës në revistë nuk është 30%, por 20%.

Makinat jashtë listës

Në udhëzim parashikohen edhe rastet kur markat e makinave që importohen nuk gjenden në revistën “QUATTROROUTE”. Në udhëzimin e vjetër thuhej: “Kur për autoveturën që vlerësohet në buletin nuk gjendet modeli, vlerësimi të bëhet duke u nisur nga modeli dhe cilindrata më e afërt. Në këtë rast, vlera nuk duhet të jetë më e ulët se 70% e çmimit që jepet në tabelë”.

Me udhëzimin e ri edhe kjo referencë është shtuar në 80%: “Kur për autoveturën që vlerësohet në buletin nuk gjendet modeli, vlerësimi të bëhet duke u nisur nga modeli dhe cilindrata më e afërt. Në këtë rast, vlera nuk duhet të jetë më e ulët se 80% e çmimit që jepet në tabelë.”



                                                                                             2011-11-16 09:34