zirina llambro

Jo më fakultet mjekësie në vartësi të Universitetit të Tiranës. Duke nisur nga viti i ardhshëm akademik, vendi ynë do të ketë një institucion arsimor të mirëfilltë për mjekësi. Gjithçka në kuadër të reformës për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor në vend. Këtë bëri me dije dje kreu i qeverisë Sali Berisha. "Universiteti i Mjekësisë do të harmonizojnë si udhëheqjen diagnostike, kurative, shkencore, me menaxhimin e institucioneve qendrore spitalore", deklaroi kryeministri. Ai nënvizoi se për ngritjen e këtij institucioni të ri në arsimin e lartë, ekziston tashmë një bazë solide me Fakultetin e Mjekësisë, me një numër të konsiderueshëm studentësh dhe një ekip pedagogësh me eksperiencë, por do të merren parasysh edhe modele të reja që do të prezantohen. "Në dekada, por edhe më gjatë, ka ekzistuar edhe një hierarki në këtë sistem, midis komponentit universitar të saj dhe komponentit strikt mjekësor. Modelet më të pajtueshme sot, janë modelet universitare", nënvizoi Berisha. Sipas tij, universiteti fillimisht do të ketë mbështetjen financiare të qeverisë, për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike. "Faza e parë do të ketë një mbështetje të gjerë, për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike, ku autonomia dhe pavarësia e tij financiare do të jetë shumë më e madhe. Por fillimit universiteti ka nevojë për një ndihmë e mbështetje të fuqishme buxhetore, si edhe çdo gjë e re. Duhet të kemi parasysh se kjo mbështetje është jetike si për mësimdhënien, ashtu edhe për klinikat, për diagnozën, kurimin, shërimin, riaftësimin e të sëmurëve. Ai vërejti se ekziston një bazë e fuqishme, një ekip me shkallë të lartë profesionalizmi dhe eksperiencë të madhe. "Në fakultetet dhe degët e mjekësisë janë rreth 5500 studentë. Pra, ka një korpus të gjerë studentësh dhe pedagogësh. Në vetë natyrën e punës në këtë fakultet, edhe numri i pedagogëve është i konsiderueshëm dhe duhet të jetë. Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet të nisë punën për të shqyrtuar të gjitha modalitetet", u shpreh kreu i qeverisë. Kryeministri bëri me dije se një udhëtim faktmbledhës është organizuar kohë më parë në Austri, po ashtu Gjermania ka modele të tilla.