Çmimet janë nga më të prekshmet, por ka edhe komplete kolltuqesh, apo dhoma gjumi që mbeten ëndërr për shumë çifte. Mobiljet me porosi mbeten ende në modë


“Kemi pesë vjet që nuk e kemi ndërruar kompletin e kolltuqeve në sallon. Dhoma e gjumit më ka dalë nga qejfi me këtë ngjyrë, nuk është më në modë kjo. Jemi nxituar që bufenë në kuzhinë e kemi bërë me këtë ngjyrë dhe në këtë model, kam parë një model të ri në një mobilieri, nuk e ke idenë sa fantastik ishte. Por, ta hajë dreqi sa kushtonte!” Fjalor tipik grash, por jo vetëm. Arredimi i shtëpive është kthyer në një “problem” për familjet shqiptare, sepse tashmë të gjithë duan ta kenë gjënë e duhur në cepin e duhur. Tendencat më të fundit të mobilimit të shtëpive ofrojnë me dhjetëra modele kolltuqesh, dhomash gjumi, kuzhinash etj., duke nisur që nga modelet e thjeshta, moderne dhe klasikët, që kanë edhe çmimet më të shtrenjta. Çmimet janë nga të pranueshmet e deri te “të çmendurat”. Kuptohet që jo të gjithë kanë mundësi të mobilojnë shtëpinë e tyre me mallin më të shtrenjtë, por kjo bie në kurriz të cilësisë së lëndës së përdorur për mobiljet. Një pjesë e mirë e kryeqytetit është e zënë nga dyqanet e mobilieve, të cilat me modelet që ofrojnë janë shumë pranë modeleve evropiane. Por, ajo që vënë në dukje shitësit është interesimi jo shumë i madh i klientëve. “Janë të shumtë njerëzit që i shikojnë, mbeten me gojë hapur nga modelet dhe bukuria e tyre, por kur vjen puna te çmimi, të gjithë tërhiqen pas”, - tregon Altini, shitës në një mobilieri. Natyrisht që mobiliet variojnë nga ato më të thjeshtat e deri tek ato më modernet. Në qoftë se do të blesh një komplet kolltuqesh, duhet të dish që çmim më të ulët se 780 mijë lekë të vjetra nuk ka. Nëse xhepin e ke të mbushur mirë, mund të shpenzosh, po të duash, deri në 6 milionë, material shumë i mirë dhe ngjyra shumë të bukura. Po në këto çmime variojnë edhe dhomat e gjumit, si më të preferuarat nga dyqanet e mobilieve. Tendencat e fundit të mobilieve tregojnë për hyrjen në treg të vitrinave të televizorit, me rafte, kryesisht drejt ngjyrave të errëta, që në pjesën më të madhe përdoren si bibliotekë, por edhe si mbajtëse qelqurinash. Por, duhet të dini se akoma nuk kanë ikur nga moda mobiliet e bëra me porosi. “Më shumë klientët porositin komplete kolltuqesh, dhoma gjumi, pasi jo të gjitha mobiliet e gatshme u përshtaten me madhësinë e dhomës ku do e vendosin. Ka dhe një gjë tjetër, që materiali është më i sigurt dhe çmimi është dhe më i arsyeshëm”, - pohon një pronar i një mobilierie me porosi.


Për sa u përket ngjyrave dhe tendencave të fundit, ato shkojnë drejt bezhës, kafesë së errët, ngjyrë qumështi, pse jo edhe ngjyra të ndezura si, portokalli, blu, jeshile dhe vishnje. Mbulesat e përbëra prej lëkure po dalin nga moda dhe ato që preferohen më shumë janë mbulesat e kolltuqeve prej pambuku dhe poliestre. Por, ato që nuk dalin nga moda asnjëherë janë mobiliet ngjyrë kafe, që shpesh kombinohen me bezhën e lehtë në perdet e shtëpive. Materiali i drunjtë vazhdon t’i rezistojë kohës, por që normalisht është dhe më i kushtueshmi. Mobiliet mund të jenë të përbëra prej emdiefi, melamine, materiale këto që nuk janë edhe shumë cilësore, ndaj janë edhe më të lira në çmim. Të blesh një krevat apo një bufe të stilit antik, duhet t’i kruash xhepat mirë. Gjatë arredimit të shtëpive nuk ngelen pas as orenditë e ndryshme, të cilat mund të jenë prej qeramike, xhama të thjeshtë ose me ngjyra.


Salloni


Tashmë, shqiptarët janë të lodhur nga zënia e çdo hapësire në shtëpi me mobilie. Jo të ngarkuara preferohen edhe sallonet. Në qendër vendosen kolltuqet, që kryesorët janë të stilit tresh, dysh dhe dy tek, por nuk mbeten pas as këndet që rrethojnë një pjesë të mirë të sallonit. Ngjyrat e kolltuqeve, në të shumtën e rasteve kombinohen me ngjyra të lehta të jastëkëve zbukurues, të cilët mund të jenë në formë katrore, zemre, ovale etj.


Kuzhina


Mesa duket u ka ikur koha kuzhinave të rënduara dhe bufeve, të cilat vinin rreth e përqark saj. Ambientet e kuzhinës po shkojnë drejt tendencave sa më pak të ngarkuara. Duke u bazuar në kërkesat e klientëve, në disa nga mobilieritë e kryeqytetit, shijet anojnë drejt ngjyrave bezhë, kafe e lehtë, pse jo edhe panë. Tavolinat e mëdha të bukës, kryesisht me gjashtë karrige, janë bërë të pranishme në çdo familje. Preferohet materiali prej druri dhe ngjyra kafe e errët. Për ato familje që kanë një kuzhinë të madhe, nuk përjashtohet mundësia që tavolina të jetë me tetë ose me dhjetë karrige, ovale, si forma mbizotëruese e saj. Nuk qëndrojnë pas as tavolinat katrore.


Minibaret


Shtëpitë e shqiptarëve po shkojnë gjithmonë edhe më shumë drejt Evropës, pasi arredimit të shtëpive nuk i mungon tani as minibari, i cili vendoset në një pjesë të caktuar të sallonit. Përbëhen kryesisht nga materialet e drunjta dhe sa vijnë e bëhen më të thjeshta, tendencë, e cila shihet në të gjitha ekspozitat e mobilieve që zhvillohen në rajon, si në Greqi, Itali, Gjermani etj.


Dhoma e gjumit


Gjithë problemi i çifteve të reja është se çfarë ngjyre do e zgjedhin dhomën e gjumit. Tendencat e fundit këshillojnë ngjyra të çelëta, që ofrojnë përherë çlodhje dhe kënaqësi. Krevatet nuk kërkohen më të mëdhenj se dy me dy dhe dhoma nuk ngarkohet më shumë se dy komodina të vogla. Duke iu bashkangjitur shijeve evropiane, të pranishme në dhomat e gjumit të shqiptarëve është bërë edhe një stol i vendosur në fund të krevatit. Ka ikur moda e pasqyrave gjigande që rrethonte dhomën. Mjafton një pasqyrë e vogël në komonë e tualetit.


Dhoma fëmijëve


Edhe pse në modë nuk janë më ngjyrat e ndezura, prindërit e “pasur” vazhdojnë t’i preferojnë ato për fëmijët e tyre. Për vajzat ngelet ngjyra standarde, roza, dhe për djemtë bojëqielli. Por, nuk përjashtohen nga shijet bluja, mentja dhe portokallia. Ka raste që bëhet dhe një kombinim i këtyre ngjyrave, pa përjashtuar dhe lyerjen e mureve të dhomës me një nga këto ngjyra, por edhe me dizenjo të ndryshme në një nga faqet e murit.