Ngrohja globale mund të risjellë në Shqipëri sëmundje, që prej vitesh nuk kishin prekur vendin tonë, si malaria. Për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe pozitës gjeografike, Shqipëria konsiderohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si vend vulnerabël dhe i prekshëm nga kërcënime të tilla. Ky paralajmërim erdhi gjatë seminarit të përbashkët të OBSH-së me Ministrinë e Shëndetësisë, që u zhvillua në mjediset e Hotel Tirana.


Ndryshimet


Për të përballuar këtë rrezik, Shqipëria ka përpiluar një projekt që merr përsipër parandalimin e sëmundjeve infektive që shfaqen si pasojë e ndryshimeve të klimës, nga temperaturat e larta, ciklonet, tajfunet, tërmetet, nga dukuri të pazakonta atmosferike. Projekti është hartuar nga OBSH-ja dhe MSH-ja me financim të qeverisë gjermane.


Sipas specialistëve, dukuri si reshje, përmbytje, thatësira, valë të nxehti, ciklone kanë ndikuar ndjeshëm jo vetëm në mjedisin përreth, por edhe në shëndetin e popullatës. Edhe në vendin tonë këto ndryshime janë bërë të ndjeshme. “Është e qartë se ndryshimet e klimës shfaqen në formën e dukurive ekstreme apo të pazakonshme të motit dhe jo domosdoshmërish në një trend linear të qëndrueshëm.” – tha ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo.


Sipas saj, këto dukuri “kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e sasive të mjaftueshme të ushqimit, në sigurimin e sasive dhe cilësisë së duhur të ujit të pijshëm apo larës, në cilësinë e ajrit, në ndryshime të ekosistemeve dhe shfaqjen e sëmundjeve infektive në nivele jo të zakonshme”.


Ndërsa drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, tha: “Me rritjen e temperaturave, brezi i malaries mund të zhvendoset më në veri. Pra, në qoftë se malaria sot shihet vetëm në Afrikë kryesisht, mund të shfaqet dhe në Evropën Jugore, në qoftë se ngrihet temperatura. Shqipëria për nga pozita gjeografike është një vend i cili është vulnerabël, pra, i prekshëm nga kërcënime të tilla. Është një vend që mund të preket dhe të vuajë pasoja nga rritjet e temperaturës, nga thatësira”.


Klima


Tashmë ekzistojnë mjaft fakte që hedhin dritë mbi ndryshimet e klimës, shkaqet e mënyrën e shfaqjes së këtyre ndryshimeve, si edhe efektet e mundshme të tyre mbi veprimtarinë e përditshme të njerëzve e sidomos mbi shëndetin e tyre. Pa dyshim, njeriu është kontribuues në ndryshimin klimaterik.


Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, i kullotave dhe tokave bujqësore, shfrytëzimi jo perspektiv i rezervave ujore, emisionet në atmosferë të gazeve që lidhen me djegien e lëndëve me origjinë fosilore, janë identifikuar si faktorë që janë lidhur me ndryshimet klimaterike.


Sëmundjet infektive duket se do të jetë kryefjala e shqetësimeve të specialistëve botërorë të shëndetësisë. Këta të fundit kanë dhënë alarmin pas shtimit të rasteve të prekura nga sëmundjet infektive. Kësaj i shtohen edhe faktorët ndikues për përhapjen e këtyre sëmundjeve. Ndërsa së fundmi, është gjendur edhe një lidhje me ndryshimet klimaterike.