Një seminar mbi ndikimet e ndryshimeve klimaterike në shëndetin e popullatës nisi dje në Tiranë, duke çelur kështu projektin mbi pasojat e ndryshimeve klimaterike në shëndetin e popullatës. Ky seminar, u mbajt në kuadër të projektit të nisur nga Ministria e Shëndetësisë me mbështetje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe me financim të qeverisë Gjermane. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha se shëndeti është produkt i një sërë faktorëve që lidhen me mjedisin ku jetojmë dhe me ndërveprimin tonë, me mjedisin dhe anëtarë të tjerë të komunitetit.

Godo theksoi ekzistencën e fakteve të ndryshimit të klimës dhe efektin e saj mi veprimtarinë tonë të përditshme.Tashmë ekzistojnë mjaft fakte që hedhin dritë mbi ndryshimet e klimës, shkaqet e mënyrën e shfaqjes së këtyre ndryshimeve, si edhe efektet e mundshme të tyre mbi veprimtarinë e përditshme të njerëzve e sidomos mbi shëndetin e tyre, - pohoi Godo. Pa dyshim, njeriu është kontribuues në ndryshimin klimaterik. Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, i kullotave dhe tokave bujqësore, shfrytëzimi jo perspektiv i rezervave ujore, emisionet në atmosferë të gazeve që lidhen me djegien e lëndëve me origjinë fosilore, janë identifikuar si faktorë që janë lidhur me ndryshimet klimaterike. Është e qartë se ndryshimet e klimës, shfaqen në formën e dukurive ekstreme apo të pazakonshme të motit dhe jo domosdoshmërish në një trend linear të qëndrueshëm. Njerëzimi është përballur me dekadën e fundit me reshje, përmbytje, thatësira, valë të nxehti, ciklone apo dukuri të ngjashme. Të tëra këto, sikundër u theksua në seminar, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e sasive të mjaftueshme të ushqimit, në sigurimin e sasive dhe cilësisë së duhur të ujit të pijshëm apo larës, në cilësinë e ajrit, në ndryshime të ekosistemeve dhe shfaqjen e sëmundjeve infektive në nivele jo të zakonshme. Gjithashtu, u vu në dukje se, vendet me sisteme socio-ekonomike, jo të stabilizuara janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimaterike.