SHKRUAN: Jonida Tashi 17-10-2011 13:43

Nis të hënën tërheqja e Formularit A3 në shkollat përkatëse, ku maturantët kanë përfunduar arsimin e mesëm. Ministria e Arsimit publikon 221 programet e studimit të listuara në këtë formular me pikët që duhen për të fituar në secilin prej tyre. Po ashtu, MASH ka detajuar edhe 36 degët më të preferuara në universitetet publike të vendit, të cilësuara ndryshe si “elitare”, të cilat propozohen të mos jenë pjesë e Formularit A3, kjo për arsye se numri i vendeve të mbetura të lira në to është tepër i limituar, dhe sipas ekspertëve të arsimit, nuk vlen hapja e konkurrimit për to. Por, përfaqësues të Universitetit të Tiranës kanë reaguar dje për këtë çështje, duke akuzuar Ministrinë e Arsimit për manipulim me vendet e mbetura bosh nga faza e dytë e regjistrimeve. Ndërkohë që, sipas prindërve, Ministria e Arsimit nuk i ka rishpërndarë kuotat e mbetura të paplotësuara në fakultetet me kërkesë të lartë në formë të drejtë dhe transparente. Ky është denoncimi i dhjetëra prindërve në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, të cilët dëshmojnë se në Formularin A3, kuotat e mbetura bosh në Fakultetin e Mjekësisë, Ekonomikut, Juridikut dhe Shkencave Sociale ishin “zhdukur”, dhe këto kuota u janë shtuar fakulteteve të tjera. “Ajo çfarë ne kemi konstatuar është shqetësimi i dhjetëra prindërve dhe studentëve, që kanë ardhur pranë rektoratit dhe kanë shprehur shqetësimin se, pavarësisht se ata janë menjëherë pas studentit të fundit të regjistruar dhe pavarësisht se ka kuota bosh, ata tashmë nuk mund të regjistrohen, sepse Ministria e Arsimit i ka zhvendosur kuotat nga këto degë, në degë më pak të preferuara”, - thotë drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Ervin Demo. Ndërkaq, Rektorati i Tiranës bën të ditur se janë ndeshur për herë të parë me një fakt të tillë, që, sipas tyre, është në shkelje me të gjitha të drejtat që kanë të rinjtë. Sipas të dhënave, rezulton se të rinjtë që ndodheshin poshtë vijës së fituesve janë maturantë me mesatare të lartë dhe mjaft të përgatitur. “Problemi më i madh është që studentët që përjashtohen nga ky proces janë studentë me rezultate të mira dhe kjo është një gjë e papranueshme dhe besoj e padrejtë për studentët”, - pohon Demo. Rishpërndarja e kuotave në Formularin A3 për Universitetin e Tiranës është bërë vetëm për disa degë, si: Historia, Gjeografia, Kimia, Anglishtja, Frëngjishtja, Gjermanishtja apo Fizika.


Pjesën më të madhe të degëve të listuara në Formularin A3 e përbëjnë ato programe studimi që janë më pak të preferuara për shkollën e lartë. Por midis tyre gjenden ende edhe disa degë të preferuara, ndonëse me kuota tepër të limituara, që kanë ngelur të paplotësuara nga faza e dytë e pranimeve. Kështu, kanë të drejtë të plotësojnë Formularin A3 të gjithë kandidatët të cilët kanë plotësuar ose jo Formularin A2 dhe: nuk kanë arritur të përfshihen në listat e fituesve të fazës së parë dhe të dytë të konkurrimit me Formularin A2, dhe për rrjedhojë nuk janë regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011-2012; janë shpallur fitues në listën paraprake ose përfundimtare të garës me formularin A2 dhe nuk janë të regjistruar në universitetet publike për vitin akademik 2011-2012; rezultuan mbetës në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore (qershor 2011) dhe arritën rezultate kaluese në provimet e vjeshtës (sesioni i dytë); janë regjistruar në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 nëpërmjet plotësimit të Formularit A1Z dhe rezultojnë kalues në të katër provimet.