Grupi i ekspertëve (Think Tank) të EFA “Imazhi i Evropës” me Presidentin e KE-së, Barosso, rezultoi me një thirrje të kineastëve për edukimin e filmit në shkolla. Njëzet krijues liderë nga fushat e regjisë, skenarit, aktrimit, produksionit, distribucionit dhe edukimit, u takuan me José Mannuel Barosso, Presidenti i Komisionit Evropian, për të shkëmbyer këndvështrimet e tyre mbi impaktin që imazhet dhe kinemaja kanë mbi identitetin e Evropës dhe mënyrën se si evropianët identifikohen me kontinentin e tyre mëmë. Presidenti, i cili ndoqi ftesën e Akademisë për ta marrë takimin nën patronazhin e tij, u shpreh se Unioni Evropian shpesh shihet nga qytetarët e tij si ”bashkim kryesisht ekonomik”, dhe deklaroi: “Ne duhet të përqendrohemi më shumë në anën emocionale të Evropës”. Takimi u vendos në dritaren e grupit të ekspertëve (Think Tank) Imazhi i Evropës, organizuar nga Akademia Evropiane e Filmit, në Metropolisin Ruhr të Gjermanisë, Kryeqytet i Kulturës Evropiane 2010, me mbështetjen e Fondacionit të Filmit North Rhine-Westphalia dhe RUHR 2010. Me ftesën e Wim Wenders and Volker Schlöndorff, ndër të cilët ishte i ftuar dhe kineasti shqiptar, Kujtim Çashku, rektor i akademisë së filmit “Marubi”, pjesëmarrësit diskutuan mbi shumë tema si dëmi i vazhdueshëm që vjen nga pirateria dhe problemet e distribucionit jashtë vendit të origjinës së një filmi. Siç Wim Wenders shprehu: “Është një kinema e re nga një gjeneratë e re dhe optimiste, e cila lëviz lirshëm përmes kontinentit pa kufij. Vetëm se filmat e tyre brilantë nuk udhëtojnë po aq sa kineastët e tyre”. Në mënyrë unanime u ra dakord se filmi mund të luajë një rol të pamatë, në mënyrën e marrëdhënieve evropiane me kontinentin e tyre dhe se një sensibilitet për kultura e vende të tjera mban gjallë shpirtin e diversitetit, si dhe krijon një vlerësim mbi pasurinë e kulturës evropiane. Siç Volker Schlöndorf nënvizoi, është koha “të konsiderojmë një tjetër Lingua Franca, gjuhën e imazheve”.


Diskutimet i drejtuan pjesëmarrësit t'u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Unionit Evropian që të përfshijnë filmin, ashtu si literaturën, në kurrikulat e shkollave e t’u mësohet studentëve që jetojnë në një botë të dominuar nga imazhe, duke nisur që nga shkolla fillore e më tej, mbi gramatikën e imazheve në lëvizje po siç mësojnë gramatikën e fjalës së shkruar. Pjesëmarrësit e Grupit të Ekspertëve EFA, ku përfshiheshin Costantin Costas Gavras (France, Missing, Amen), Agniezska Holland (Poland, Europa Europa), Marjane Satrapi (Iran/France Persepolis), Istvàn Szàbo (Hungary, Mephisto, Colonel Redl) and Fernando Trueba (Spain, Belle Epoque, La Nina De Tus Ojos) i ofruan Komisionit Evropian ndihmën e tyre në formësimin e së ardhmes së Kinematografisë Evropiane si pjesë e identitetit evropian. Pjesëmarrësit do të shërbejnë si ambasadorë në vendet e tyre, për të shpërndarë përmbajtjen dhe rezultatet e këtij takimi. Wim Wenders dhe Volker Schlöndorff deklaruan se Akademia Evropiane e Filmit është gati të marrë përsipër një rol më madhor duke kontribuar në zhvillimin e një programi panevropian për edukimin filmik dhe duke eksploruar rrugë dhe mjete të tjera që mund të ndihmojnë në formësimin e “Anës Emocionale të Evropës”.