Teatri profesional ‘Istref Begolli’ në Pejë, të shtunën mbrëma hapi dyert e teatrit, për të vazhduar edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë, “MonoAKT”.



Në hapje të festivalit, kryetari i komunës përkrahi idenë që të vazhdojë ky festival dhe të bëhet pjesë e kulturës pejane. “Kultura është ajo që i jep trajtë mënyrës së si funksionon integrimi i saj në vlerat krijuese midis vendeve përkatëse, në nivel fqinjësor, rajonal dhe global. Prandaj ngjarjet e tilla kulturore me dimensione globale, domosdoshmërisht favorizojnë komunikimin”, u shpreh Ali Berisha, kryetar i komunës së Pejës.



Sipas Berishës pjesëmarrja teatrore nga Austria, Polonia, Gjermania, Zvicra, Ukraina, Shqipëria, Maqedonia, Izraeli dhe Kosova, flet për një komunikim, mirëkuptim dhe sinqeritet, elemente këto të cilat duhet instaluar në mendësinë e njeriut të kohës së sotme të nivelit global.



Ky festival frymimin e nisi me shfaqjen “Një përkujtim në kafe-teatër” e regjisorit Haqif Mulliqi.



Shfaqje kjo e cila trajton ngjarje nëpërmes lojës së dy aktorëve, të skenës së njohur kosovare, Ismet Azemi dhe Mentor Zymberaj. “Sonte jemi ndjerë shumë mirë, jemi dhe të privilegjuar sepse kishim mundësinë ta hapim këtë festival, festival i cili për mua është festivali më i rëndësishëm i teatrit që organizohet në Kosovë, për shumë arsye sepse ka prurje të mëdha nga gjithë bota, e para, dhe është festival i cili është pjesë e një rrjeti të madh të festivaleve ndërkombëtare, gjë që festivalet tjera tona duhet ta pretendojnë në të ardhmen”, shprehet regjisori i shfaqjes Haqif Mulliqi.



“Një përkujtim në kafe-teatër” është një dramë e cila trajton traumat e një ish luftëtari. Një dramë dinamike mbi veteranin e luftërave në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, i cili pas përfundimit të këtyre luftërave ballkanike, shpalos zhgënjimin e tij në mënyrën se si shoqëria e trajton atë, përmes vendimit që t’i jap fund jetës.



Sipas Mulliqit, me punën e tij në këtë shfaqje, është përpjekur të gjej një realitet në mes të mirës dhe të keqes. “Me të gjithë atë kolorit tjetër që mund ta gjejmë apo nuancat që mund ti gjejmë mes të bardhës dhe të zezës”, u shpreh Mulliqi.



“Një përkujtim në kafe –teatër” para pak kohe është kthyer nga festivali i Amanit në Jordani, gjithë ekipi i shfaqjes janë kthyer shumë të kënaqur nga pritja e Jordanit.



Regjisori i shfaqjes flet për shumë ftesa të cilat i janë bërë pas lojës në festivalin e Amanit.



“Kemi pesë ftesa zyrtare. Është festivali i duodramës në Vjenë, është hera e parë që organizohet në Vjenë dhe duhet të jetë diku në tetor, gjithashtu kemi ftesën për bienalen e teatrit Evropian në Rumani, është ngjarje e madhe sepse është një festival ku marrin pjesë rreth njëzet trupa të teatrove nacionale, një ftesë tjetër kemi nga një festival i madh i Algjerisë, ndërsa krejt e veçantë është ftesa që na është bërë nga drejtori i teatrit Babilon të Bejrutit në Liban, i cili kërkon që me këtë shfaqje të shkojmë të shfaqemi për një javë rresht për publikun e Libanit”, u shpreh Mulliqi.



Në teatrin ‘Istref Begolli’ në kuadër të festivalit “MonoAKT”sot (e hënë) në orën 13:30 do të luajë shfaqja “Gogol’ nga Google” e Ukrainës, ndërsa në orën 19:30 shfaqet “AMOK” nga Shqipëria.