Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka përuruar dje shkollën e rikonstruktuar, "Hasan Prishtina", e cila i kushtoi bashkisë 748 mijë euro. Ai u shpreh se "është kënaqësi të shohim të kurorëzuar një përpjekje të përbashkët për rindërtimin me themel të shkollës ‘Hasan Prishtina‘ dhe për transformimin e kësaj shkolle në një pikë referimi për të gjithë komunitetin". Ndërsa iu kërkoi nxënësve ta mirëmbajnë shkollën e tyre.

Sipas Ramës, tashmë mund të zhvillohet mësim me një turn në këtë shkollë, një risi kjo përkundrejt realitetit në Tiranë, ku shkollat bëjnë mësim me dy-tre turne. "Hasan Prishtina" është rikonstruktuar, por edhe janë shtuar ambiente, duke rritur përmasat e shkollës me 1200 nxënës. Ajo gjendet në Njësinë Bashkiake Nr.3. Në këtë zonë ka një dendësi të madhe të popullsisë, që ka ardhur gjatë viteve të fundit dhe fluksi i nxënësve është në rritje të vazhdueshme. Shkolla ekzistuese nuk i plotësonte nevojat në rritje të komunitetit, ndaj edhe u krye investimi në objekt.

Përveç normave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, punimet e kryera kishin për qëllim të sistemonin numrin aktual të nxënësve, duke e kaluar procesin mësimor me një turn. Në këtë mënyrë, rikonstruksioni dhe shtesa e këtij objekti social ka ulur mbingarkesën në klasa, duke sjellë një rritje të cilësisë në shërbimin mësimor-edukativ. Sipërfaqja e truallit të shkollës është 5390 m2, sipërfaqja e ndërtimit ekzistues 1465 m2, sipërfaqja e re e ndërtimit 1630 m2, sipërfaqja e gjelbër 35% dhe koeficienti i shfrytëzimit 27%. Rikonceptimi në rindërtimin e shkollës "Hasan Prishtina" ka krijuar lehtësirat e nevojshme jo vetëm te nxënësit, por edhe te stafi pedagogjik. Aktualisht janë ngritur laboratorë të rinj të gjuhëve të huaja, të informatikës, biblioteka. Duke respektuar standardet arsimore, investimi është shtrirë edhe në drejtim të mjediseve sportive të jashtme, duke shfrytëzuar kështu oborrin e tërësisht sipërfaqen e tij për gjelbërim dhe pista vrapimi.