ELBASAN – Normalja e Elbasanit mbush 100 vjeç. Një shekull i plotë dije, që nga hapat e parë të saj e deri ditët e sotme. Çdo vit i përkujtuar nga mësuesit e nxënësit, për shkollën e parë të mesme shqipe. Emri i saj lidhet pazgjidhshmërisht me atë të drejtorit të parë, Aleksandër Xhuvanit, Luigj Gurakuqit e dhjetëra patriotëve të tjerë. Po këtë vit shënohet dhe 100-vjetori i Kongresit të Arsimit, i cili parapriu hapjen e Normales. Aktivitetet në kujtim të kësaj date u shtrinë në dy ditë, duke përfunduar dje me ceremoninë madhështore, me qindra të ftuar, mes tyre dhe kryeministri Berisha. Në bashkëpunim me ish-Normalen, sot shkolla pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, me universitetin “Aleksandër Xhuvani” e Bashkinë e Elbasanit u organizuan një veprimtarish, të cilat nisën me takim brezash, ku merrnin pjesë mësues, drejtues të shkollës e nxënës prej vitesh të saj. Krijimi i një muzeu me fotografi dhe veprimtaritë e zhvilluara në shkollë në 100 vite të funksionimit të saj ishte një ndër eventet me rastin e këtij jubileu. Në ceremoninë e zhvilluar paraditen e djeshme, fjalën e rastit e mori drejtoresha aktuale Dhurata Valera, e cila shprehu falënderimet për kontributin e dhënë nga brezat për këtë shkollë. Të pranishëm ishin dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe kryebashkiaku Qazim Sejdini, të cilët përshëndetën me rastin e kësaj dite të shënuar. Festës iu bashkua kryeministri Berisha, i cili zbuloi bustin e themeluesit të institucioneve arsimore, Aleksandër Xhuvani. Busti u vendos në ambientet e universitetit që mban emrin e tij. “Krijimi i Normales dhe Kongresi i Arsimit janë ngjarje të mëdha në historinë e kombit dhe kjo ditë shënon një festë të vërtetë kombëtare për dijen, shkollën, arsimin, mësuesin, fëmijën, nxënësin, studentin dhe prindin. Normalja e Elbasanit ishte tempulli i vokacionit tonë kombëtar perëndimor. Ata që zgjodhën alfabetin midis dhjetëra alfabeteve dhe i dhanë gjuhës shqipe gërmat latine, i dhanë gërmat, me të cilat kishte lindur ndoshta, themeluan edhe Normalen, si tempull të vokacionit tonë perëndimor. Normalja është universiteti i parë i shqiptarëve, është universiteti i të gjitha universiteteve dhe kjo është e vërteta e saj”, u shpreh Berisha.    a.k