Nga SOKRAT PAPADHOPULLI


Duhet të bëjmë kujdes nga ekipet e ashtuqujtura të vogla. Tashmë në çdo ndeshje luajmë për fitore për të mbyllur me sukses misionin superligë si kampionë


Luftëtari sot, në përballjen me Gramshin, që do të zhvillojë në shtëpi, nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve të vet, ndaj kjo është një arsye më shumë për të fituar. Vijmë pas fitores së merituar me Ilirinë, kësisoj edhe sot kemi si objektiv primar tri pikët. Ju jeni vetë dëshmitarë okularë të ngjarjeve që po përjetojmë në këtë fundsezoni, teksa kampionati sa vjen e po bëhet gjithnjë më i fortë, duke hyrë në një fazë interesante.


Fundi i garës po e bën këtë sezon futbollistik shumë intrigues, ndaj sot nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse fitores për Luftëtarin. Si çdo skuadër që lufton për të arritur objektivin e saj, edhe ne jemi të  vendosur për të përmbushur mision e fillimsezonit, rikthimin në superligë. Skuadra jonë është më e mobilizuar se kurrë, pasi është ky ekipi që na ndëshkoi në fazën e parë, duke na shkaktuar humbjen e dytë në transfertë.


Në këtë përballje skuadra është e kompletuar, pasi nuk kemi lojtarë të penalizuar, – pohoi fillimisht për Sportin shqiptar ndihmësi i Dedes në pankinën bluzi, Neritan Novi.


Këshilla Novi ka qenë një nga lojtarët më të dalluar që ka nxjerrë në dy dekadat e fundit shkolla gjirokastrite. Ai është aktivizuar me Luftëtarin në superligë dhe kategorinë e parë, por edhe në skuadra të njohura, si Bylisi, Tomori, Besa etj., në elitën e futbollit shqiptar. Këtë eksperiencë ai kërkon ta vërë në shërbim edhe të lojtarëve gjirokastritë.


Ndaj ai jep këshilla për skuadrën: Duhet të tregohemi të kujdesshëm në veprimet mbrojtëse, si dhe sulmuese, pasi të ashtquajturat skuadra të vogla të befasojnë në transferta. Për skuadrën tonë drita jeshile e rikthimit në superligë është një semafor i hapur, gjithnjë nëse nuk gabojmë në javët e mbetura, – përfundoi zv.trajneri Novi.


Përgatitjet Seancën e fundit stërvitore Luftëtari e zhvilloi në pallatin e sportit, duke u dhënë kështu fund përgatitjeve anti-Gramshi. Me kontigjentin më të mirë bluzinjtë do të zbresin sot në fushën e lojës ndaj gramshiotëve me synim marrjen e tri pikëve për të mos e lëshuar vendin e parë.


Edhe pse sportdashësit vendës do ta ndjekin sfidën e sotme nga kangjellat dhe pallatet përreth, për të tjerët në Gjirokastër duket se ka menduar televizoni lokal Alpo, i cili do ta përcjellë live këtë takim.