BSH-ja u kërkon subjekteve private të informojnë klientët


Ervin Koçi



Bankat private në Shqipëri kanë nisur nga ndryshimi i numrave dhe kodeve të llogarive bankare, të cilat janë tashmë në një proces rimodelimi për arsye sigurie. Në këtë proces do të futen kodet dhe numrat e kodifikimit të të gjitha llogarive bankare (rrjedhëse apo depozita), kartave të kreditit dhe debitit dhe të të gjitha llojeve të shërbimeve të tjera të koduara personale të klientit. Edhe pse procesi ka më tepër lidhje me sigurinë e brendshme të sistemit bankar privat dhe jo me krizën globale financiare, përsëri Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga bankat private që të tregojnë kujdes në transparencën dhe në informimin për këtë proces. Rregullorja e miratuar në korrik të këtij viti nga BSH-ja detyron të gjitha bankat e nivelit të dytë në vendin tonë të njoftojnë klientët e tyre për ndryshimin e numrit të tyre të kodit të llogarisë bankare. Ky ndryshim, afati i të cilit është deri në 30 qershor të 2009-s, nënkupton unifikimin e sistemit të llogarive bankare, duke bërë që në çdo cep të botës llogaritë bankare të jenë lehtësisht të identifikueshme për të eliminuar rastet e pastrimit të parave apo për të konstatuar llogaritë bankare të terroristëve dhe kriminelëve ndërkombëtarë.



Ndryshimet në kode



Në vendin tone, kodet e sigurisë dhe numrat e llogarive bankare do të kenë 28 shifra nga 16 që kanë aktualisht. Rregullorja e Bankës së Shqipërisë përcakton se periudha zyrtare e informimit të publikut do të jetë nga qershori deri në dhjetor të vitit 2009. Në këtë mënyrë, që nga data 1 janar e vitit 2010, numrat e llogarive për klientët e bankave private në Shqipëri do të jenë të ndryshme nga ato që janë aktualisht. Që prej kësaj date, asnjë klient nuk do të ketë mundësi të kryejë veprime bankare nëse nuk e di numrin e ri të llogarisë. BSH-ja për herë të parë do të kryejë edhe një vlerësim të sistemit të pagesave. Për këtë qëllim po kërkohet asistencë nga kompanitë e huaja që e ofrojnë këtë shërbim për të mundësuar një vlerësim përfundimtar të sistemit të pagesave në vendin tonë. Që prej vënies në funksion të tij në vitin 2004, është kryer vetëm një raport për përputhshmërinë e standardeve të sistemit, por jo një vlerësim kontrollues për rrisqet që sistemi mund të ketë.



Kodi IBAN



Deri tani janë rreth 40 shtete që funksionojnë me këtë sistem, por që pas hyrjes në fuqi nga janari 2010 kjo praktikë do të jetë e detyrueshme për të gjitha vendet e BE-së. Në këtë drejtim vendi ynë është më i favorizuar, sepse nga numrat bankarë po kalon direkt në numrat ndërkombëtarë të llogarive. Vendet e tjera ndërkohë kanë zbatuar edhe sistemin e numrave kombëtarë të llogarive, që do të thotë se duhet të bëjnë konvertimin nga “BBAN” në “IBAN”. Ekspertët e BSH-së rendisin avantazhet që krijon ky numër ndërkombëtar. Sipas tyre, dërgesat bëhen direkt nga sistemi dhe nuk ka më nevojë për ndërhyrje manuale nga punonjësit e bankave. Kjo do të thotë edhe shmangie të vonesave, pasi duke qenë në sistem ky numër është më i thjeshtë dhe saktësia e tij verifikohet menjëherë. Po kështu edhe komisionet shtesë të klientit, qofshin ato të një individi apo përfaqësuesi biznesi, shmangen pasi shkurtohet rruga e instruksioneve bankare. Sipas ekspertëve të Departamentit të Sistemit të Pagesave në BSH, “ndryshimi i numrave është një proces që po ndodh në të gjithë Europën”.



Detyrimi për informim



Bankat private në vendin tonë janë të detyruara të punojnë dhe të udhëzojnë të gjithë klientët e tyre për ndryshimet që do të bëhen në kodet e numrave të llogarive bankare. Kjo gjë është e detyrueshme për më tepër sepse disa banka private në vend kanë nisur ta aplikojnë një veprim të tillë. Bankat krijojnë “IBAN”-in për çdo klient të tyre dhe ia komunikojnë atë atij brenda datës 1 qershor 2009. Bankat pranojnë deri në datën 31 dhjetor 2009 instruksione pagesash, ku numrat e llogarive specifikohen sipas formatit “IBAN” ose sipas strukturave ekzistuese të llogarive. Për ecurinë e masave të marra, bankat informojnë Bankën e Shqipërisë çdo 6 muaj. Por disa banka kanë shprehur rezerva në lidhje me periudhën e informimit, për shkak se një pjesë e mirë e klientëve të tyre nuk janë të gjithë në zona të arritshme, ose mund të ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë. Në këtë aspekt, edhe për klientët lind detyrimi që duhet të shkojnë vetë të interesohen për ndryshimet që do të ketë në numrin e tyre të llogarisë.





BOX/////////////////////

Për bankat që nuk informojnë klientin, ligji parashikon sanksione



Me anën e Nenit 16 të Rregullores së Bankës së Shqipërisë janë parashikuar sanksionet në rast të mosrespektimit apo shkeljes së dispozitave të kësaj rregulloreje nga ana e bankave të nivelit të dytë ose degëve të bankave të huaja. BSH-ja ka të drejtë të vendosë një ose disa nga masat mbikëqyrëse, masat parandaluese ose masat ndëshkimore, të përcaktuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.



Përdorimi i çeqeve, Shqipëria e pasuksesshme



Përdorimi i çeqeve në vendin tone, ashtu si edhe në eurozonë apo në të gjithë botën, nuk ka qenë i suksesshëm. Kjo për shkak të kohës më të gjatë që kërkon shlyerja e një çeku. Sipas të dhënave të BSH-së, kjo shifër ka ardhur duke u ulur. Në 2006-n rezultonin 994 çeqe të shlyera me një vlerë prej 3,76 miliardë lekësh, ndërsa deri në shtator të këtij viti janë shlyer vetëm 291 çeqe me një vlerë prej 0.54 miliardë lekësh.



Paraja, BSH-ja kërkon të nxisë përdorimin elektronik



Objektivi i Bankës së Shqipërisë është që të rrisë pranueshmërinë e pagesave elektronike nëpërmjet sistemit bankar, si dhe rritjen e terminaleve ‘POS” për blerjen në dyqane me anën e kartave bankare. Kjo pasi, sipas studimeve të ndryshme, kostoja e parasë kesh, pra paraja në dorë, është më e madhe në krahasim me paranë që përdoret në mënyrë elektronike.













BERZH-i premton vazhdimin e mbështetjes financiare për Shqipërinë



Drejtorja në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, K. G. Hueckel, konfirmoi gjatë një takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, se “BERZH-i do të vazhdojë mbështetjen financiare dhe investimet në Shqipëri”.

Zyra e shtypit e BSH-së bëri të ditur se Hueckel zhvilloi një vizitë në Bankën e Shqipërisë, ku vlerësoi progresin e vendit tonë vitet e fundit, sidomos në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike strukturore dhe sektoriale, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një mjedisi tërheqës për investitorët e huaj. Njëkohësisht, Hueckel shprehu angazhimin e BERZH-it për të vazhduar mbështetjen financiare dhe investimet në Shqipëri, në përputhje me fushat prioritare të përcaktuara në strategjinë e këtij institucioni. Sipas burime nga BSH-ja, kjo vizitë u zhvillua në kuadër të nxitjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe BERZH-it. Shqipëria është anëtare e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që prej vitit 1992. Deri në janar të 2008-s, BERZH-i ka ofruar asistencë financiare për Shqipërinë për rreth 40 projekte, të cilat kapin një shifër prej 1.2 miliardë eurosh. Nëpërmjet investimeve, kjo bankë ka nxitur zhvillimin e sektorit privat, forcimin e institucioneve financiare, përforcimin e sistemit ligjor dhe zhvillimin e infrastrukturës në vend.









4 Dhjetor 2008