Punësimi i të rinjve përbën një ndër prioritetet dhe sfidat e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pasi niveli i papunësisë për këtë kategori llogaritet të jetë mbi mesataren. "Nëse flasim për një papunësi 13.1% në shkallë kombëtare, në moshat e reja ky nivel arrin në 22.6%", konfirmuan burime zyrtare të Ministrisë së Punës. Të dhënat e ministrisë tregojnë se "në sajë të politikave për mbështetjen e punësimit të të rinjve, gjatë vitit 2008, nga rreth 12 mijë punëkërkues të punësuar nëpërmjet zyrave të punës, 27% ishin të rinj". Një mundësi e mirë për të rinjtë e arsimuar është dhe pjesëmarrja në panairet e punës, ku ofertat për punë nga biznesi për këtë kategori janë të shumta. Sipas Ministrisë së Punës, problemi kryesor jo vetëm për të rinjtë, por në përgjithësi për të papunët, është mungesa e një profesioni dhe këtu synon ndërhyrja e politikave qeveritare. Për të papunët pa profesion po merren masa t’u mundësohet formim profesional në qendrat publike me tarifa të reduktuara dhe, për kategori të veçanta, falas. Gjatë vitit të kaluar numri i të rinjve të trajnuar i kaloi të 4 500 vetët, duke rritur kështu mundësinë e tyre për të gjetur veten në tregun e punës. Lidhur me punësimin e të rinjve që kanë një diplomë universitare, prej vitit 2007 Ministria e Punës ka zbatuar një program nga i cili kanë përfituar rreth 500 të rinj. Nëpërmjet këtij programi, të rinjve që kanë mbaruar arsimin e lartë dhe nuk e kanë gjetur veten në tregun e punës u mundësohet realizimi i praktikës profesionale gjashtëmujore si në sektorin privat, ashtu edhe atë shtetëror, me prioritet punësimin afatgjatë të tyre. Edhe për vitin 2009 programet për nxitjen e punësimit të të rinjve do të jenë prioritare, thanë burime zyrtare të Ministrisë së Punës, sipas të cilave, "për herë të parë strukturat tona do të zbatojnë një program të përbashkët të financuar nga ILO në masën e 200 milionë lekëve për nxitjen e punësimit të kategorive të tilla si, të rinj, gra, të papunë të moshës mbi 45 vjeç, etj".


...