Eljona Lata



Çdo grua që kryen një operacion në mitër mund të ketë mundësi të shohë të gjithë procesin në ekran dhe pa pasur nevojë t’i nënshtrohet bisturisë për çarjen e barkut. Prej pak kohësh, të tilla ndërhyrje në qafën e mitrës mund të realizohen shumë lehtë nëpërmjet një aparature të quajtur Histeroskopi. Mjeku Robert Qirko, i cili ishte edhe iniciatori për sjelljen e kësaj aparature në Shqipëri na tregon për mënyrën sesi mund të realizohen operacioni pa çarjen e barkut. “Kjo aparaturë ka nisur të vendoset në funksion që prej 6 muajsh, dhe të gjitha pacientet mund të kryejnë operacionin falas, ndërsa jashtë shtetit një operacion i tillë ka kosto të lartë” u shpreh Qirko. Nëpërmjet kësaj aparature shmangen të gjitha efektet negative dhe nuk ka asnjë lloj rrezikshmërie.

Operacioni

Operacioni nëpërmjet këtij aparati është shumë i thjeshtë dhe aplikohet falas për të gjitha pacientet. Sipas mjekut Robert Qirko, me anët të kësaj aparature, pacientja e operuar mund të largohet nga spitali brenda ditës kur kryhet operacioni ose maksimumi mund të qëndrojë deri të nesërmen. Sipas këtij mjeku, procedohet në këtë mënyrë, kamera e instaluar jep pamjet e brendësisë së mitrës dhe ku pamjet na shfaqen në ekran, nëpërmjet tij shihen pjesët e brendshme, të cilat mund të kenë probleme, në këtë mënyrë bëhet ndërhyrja në brendësi. “Nëpërmjet kamerës jepet pamja e qartë e brendësisë së mitrës, mund të kapet çdo lloj çrregullimi, si për shembull një polit ose fibromoiom (mish i huaj) edhe probleme të tjera që mund të japin hemorragji. Mënyra më e thjeshtë që përdorin të gjitha gratë janë nëpërmjet mjekimeve, pastrimeve por, nuk ka zgjidhje. Për të shmangur këto probleme nevojitet vetëm ndërhyrja me anë të kësaj aparature” shpjegon mjeku. Më pas, pjesa që pritet merret për t’u çuar në laborator për të përcaktuar nëse është e rrezikshme, si kancer.

Efektet

Mjeku shprehet se Histeroskopia Operative në Shqipëri ka hyrë para një viti dhe ka nisur të aplikohet që gjashtë muaj më parë. Deri tani mjeku tregon se janë bërë njëzet ndërhyrje. Gjinekologu e justifikon numrin e vogël të ndërhyrjeve me faktin se pacientet ende nuk kanë marrë informacionin për aparaturën. “Tani të gjitha pacientet mund të kenë mundësi ta shohin drejtpërdrejtë procesin e operacionit. Madje një nga pacientet ishte farmaciste, ajo e ka parë të gjithë procesin” tregon mjeku. Qirko shton se kjo aparaturë rrit cilësinë duke shmangur mjaft efekte negative tek gruaja. Tani ndërhyrja nuk kryhet me hapjen e barkut por shumë më thjesht. Pacientja nuk qëndron më një javë në spital nga një operacion normal por mund të dalë që brenda ditës ose që të nesërmen. Kjo aparaturë ul koston e harxhimeve të tjera si fije, medikamente. Por, gjithashtu shmang shenjat në trup sidomos tek vajzat e reja, gjithashtu nuk ka humbje gjaku siç ndodh në operacionin normal pasi bëhet mpiksja e gjakut qysh gjatë ndërhyrjes, në këtë mënyrë mundësia për infeksione është shumë e ulët.







Box

Mjeku thotë se tani të gjitha pacientet që kanë dëshirë ta shohin mënyrën sesi është kryer operacioni mund ta kenë në një CD me vete. Por edhe gjatë kohës që kryhet ndërhyrja pacientja mund ta shohë të gjithë procesin. Një farmaciste që kreu një operacion në këtë formë e shikoi të gjithë procesin e operimit. Sepse operacioni bëhet me anestezi të thjeshtë ose ndryshme mpirje dhe jo anestezi të përgjithshme që është më e rrezikshme. Nëpërmjet kësaj aparature ke mundësi dhe ta shikosh problemin dhe ke mundësi ndërhyrjeje për ta mjekuar. Ndërsa aparaturat nëpër rrethe si në Durrës dhe Berat ke vetëm mundësi të shikosh por jo të ndërhysh.



Berati mbetet pa ujë

Qyteti i Beratit ka ngelur pa ujë të pijshëm për shkak të disa dëmtimeve të rënda që ka pësuar linja e ujësjellësit.

Shkak janë bërë rrëshqitjet e tokës nga reshjet e shumta. Një masiv dheu ka dëmtuar në tre pjese tubacionin në vendin e quajtur uji i zi në afërsi të fshatit Provonik të Bogovës. Pasditen e së mërkurës deri në mbrëmje vonë është punuar për të riparuar dëmtimin por ka qenë e pamundur. Ndërhyrja në rrjet do të vazhdojë edhe ditën e sotme për të bërë të mundur lidhjen e rrjetit të ujësjellësit të dalë jashtë pune.



Dibër, në errësirë nga shembjet

Një prej fshatrave të komunës Arrës në Dibër prej 5 ditësh ka ngelur pa energji elektrike. Shkak është bërë shkatërrimi i kabinës së energjisë elektrike nga rrëshqitja e tokës. Telat e tensionit të lartë të linjës që furnizon fshatin pas shëmbjes së kabinës kanë rënë në tokë duke u bërë edhe një rrezik për banorët.





Ndryshon skema e ndihmës ekonomike, përfshihen edhe të trafikuarat

Viktimat e trafikimit do të përfitojnë ndihmë ekonomike. Ndryshimi në ligjin për ndihmën dhe shërbimet shoqërore u miratua dje në Komisionin Parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale. Drejtuesit e Ministrisë së Punës që janë dhe hartuesit e draftit kanë shpjeguar që ka qenë praktika që ka diktuar domosdoshmërinë e përfshirjes së viktimave të trafikut në skemën e ndihmës ekonomike. Një tjetër ndryshim që propozohet nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është financimi i qendrave rezidenciale të viktimave të trafikimit nëpërmjet transferimit të fondeve nga buxheti i shtetit te organet vendore dhe më pas në qendrën ku ofrohet shërbimi. Një praktikë e tillë do të ndiqet në kuadër të procesit të decentralizimit të pushtetit lokal.





19 Shkurt 2010