Autori i Lajmit: Redaksia
Doktor i nderuar, jam 28 vjeçare, jam martuar qe 7 muaj dhe që atëherë jetoj në Francë. Pasi që ende nuk kam arritur ti marr dokumentet, në pamundësi për tu kontrolluar te mjeku këtu, kërkoj ndihmën tuaj...Kam dhimbje shumë të mëdha në të dy gjinjtë rregullisht qe një kohe shumë të gjatë.

Ju lutem më ndihmoni se çfarë mund të jetë në pyetje dhe më udhëzoni se çfarë të bëj, dyshoj që janë hormonet në pyetje, sepse që kur jam martuar as menstruacionet nuk i kam në rregull. Nëse është ashtu, më këshilloni çfarë të bëj. Ju përshëndes. Blerta.

PËRGJIGJE:

Dhembja në gjinj në moshën tuaj paraqitet shpesh herë me ndryshime të formës së displazionit fibrocistik. Ndryshimet hormonale janë më së shumti përgjegjëse për dhembjet në gji. Ju duhet të vetkontrolloni gjinjtë që të bindeni se nuk prekni ndonjë formacion të fortë të rrumbullakët - tumor. Do të ishte më së miri të bëni ndonjë vizitë te mjeku familjar.



Jam 29 vjeçe, kam tre fëmijë 5, 3 dhe 1 vjeç. Pas ndërprerjes së gjidhënies fëmijës së tretë, më është inflamuar gjiri i majtë. Kam marrë injeksione një javë dhe bromergon. Ajo që më shqetëson është se pas tërë kësaj gjiri më nuk është si përpara, sikur më është rrudhosur lëkura dhe më është lëshuar. Shpesh kam edhe dhimbje përreth gjirit deri te sqetulla. A mos bëhet fjalë për kancer... të lutem më trego çtë bëj. Zana

PËRGJIGJE:

Nga përshkrimi i problemit tuaj, bëhet fjalë për një proces inflamator në kohën e gjidhënies. Nuk duhet të shqetësoheni shumë, me një vizitë mjekësore do të merrni përgjigjen adekuate.



Përshëndetje doktor! Kam një shqetësim, desha të konsultohem me ju. Jam 23 vjeçare, ka dy vite që vërej një kokërr në gjirin e djathtë, është e vogël, mirëpo para ciklit menstrual e vërej më shumë, pastaj fare pak. Nuk kam bërë kontroll asnjëherë deri tani. Të lutem më trego çka mund të jetë dhe çka më sugjeroni? Faleminderit shumë! Punë të mbarë. Linda

PËRGJIGJE:

Ndryshimin që ju e keni vërejtur para dy viteve në gjirin e djathtë dhe që juve më shumë ju shqetëson kur e palponi-prekni më shumë, sidomos në kohën para ciklit menstrual, është një formacion i vogël i cili duhet të vizualizohet me ultratingull. Në këtë mënyrë ne do të fitojmë pamjen me të qartë mbi natyrën e formacionit, dimensionet e tij.

Arsyeja që ju e vëreni më shumë para ciklit është se gjinjtë janë më të rritur, dendur nga veprimi hormonal. Andaj mu në këtë kohë formacioni mund të jetë më i ekspozuar, afërsisë së lëkurës ku edhe mund të preket..



Jam 26 vjeçare e martuar, nënë e dy fëmijëve. Para 4 muajve e kam vërejtur një fryrje në regjionin supraklavikular të majtë e cila shkakton një asimetri krahasuar me anën e djathtë. Në prekje kjo "fryrje" ka konsistencë të butë dhe në analizë me sonde lineare prezantohet si një ind dhjamor më i shprehur, pa shenja për efekt mase, në strukturat vasale arteriovenoze të përafërta është e pakufizuar. Të gjitha analizat laboratorike më kanë dalë mirë. Ju lutem, cili do të ishte mendimi juaj, më ndihmoni. Ju faleminderit shumë i nderuar, Dr Saudin.

PËRGJIGJE:

Ndryshimi i përshkruar nga ju në regjionin supraklavikulare lë përshtypje për formacion adipoz- dhjamor. Megjithatë, do ju preferoja examinim shtesë nga kirurgu torakal për të përcaktuar saktë atë që ju e quani asimetri nga formacioni.



Jam 27 vjeçare kam pasur si një lloj gjëndre në gjoksin e majtë. Kam bërë analizën citologjike (materiali për ekzaminim FNA), diagnoza: tu: mamae lat. Sin. Analizat më kanë dalë: strishot citologjike të materialit FNA janë shumë celulare. Në strisho vihen re grupe të qelizave epiteliale me ndryshime të theksuara degjenerative dhe inflamatore, limfocite, makrofag të veçuar dhe granulocite neutrofile. Qeliza atipike në këto strisho nuk ka. Ky është raporti citologjik. Mjeku më ka thënë se duhet të bëhet operacion dhe nuk është me rrezik. Desha edhe mendimin tuaj. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:

Bazuar në diagnozën që e keni dhënë, bëhet fjalë për një formacion tumoral te i cili është bërë FNA- citologjia. Në fakt, raporti citologjik nuk merret si raport i sigurt diagnostik. Prandaj, për të vënë diagnozën definitive, duhet të bëni biopsinë e tumorit.



Vajza ime mbush 15 vjet në mars. Ajo ka një gropë në gjoks. Kur e kemi kontrolluat nëpër mjek të ndryshëm të mjekësisë së përgjithshme, nuk e bënin të madhe dhe i jepnin kapsula me vaj peshku. Më intereson të di sa duhet të jetë gjerësia e organizmit nga shpina deri në pikën më të ulët në gropën e gjoksit që të mos ketë pengesa organike. Zylfiu

PËRGJIGJE:

Problemi i vajzës suaj ka të bëj me një formë të hinkës në kraharor që ne e quajmë Pectus excavatum. Ju këshilloj që të paraqiteni te kirurgu torakal sa më parë nga se mosha e vajzës suaj është në kufirin e mundësisë për korrigjim kirurgjik.



Jam 23 vjeçare. Qe 4 vjet e kam vërejtur se e kam një kokërr në gji. Do të doja ta dija, a është kancer apo diçka tjetër? Te mjeku gjithmonë jam friksuar të paraqitem.

PËRGJIGJE:

Ju nuk duhet të friksoheni aspak nga një vizite te mjeku, nga se çdo ndryshim në gji nuk është kancer. Por, edhe ju jeni e re në moshë për sëmundje malinje.



Dr. Saud, të përshëndes edhe të përgëzoj për ngritjen tënde profesionale dhe për këto këshilla mjaft të kapshme për neve. Unë kam marrë shumë shpesh këshilla nga ju, por në detaje, të lutem më trego për shqetësimin tim. Gjatë laktacionit kam fituar dy abscese në gjirin e djathtë edhe kam bërë incizionin në të dy anët.

Pas drenimit një javor është zbrazuar qelbi, mirëpo pas një kohe prapë me ultrazë shihet se ka mbetur një pjesë e tij brenda edhe është diku në madhësinë 7-8 mm.

A është rrezik që ka mbledhur brenda, çka mund të shkaktohet aty edhe sa kohë mbas ndërprerjes së gjidhënies duhet të ndërhyhet në gji apo sikur të mos ndërhyhet fare, cilat mund të jenë pasojat. Motra Arjeta

PËRGJIGJE:

Gjiri në laktacion është shumë i ndieshëm në shfaqjen e infeksioneve si mastite dhe abscese. Gjidhënia e drejtë dhe funksionimi normal i thithit janë parakushte për shmangie të infeksioneve në gji. Sa i përket përmbajtjes së mbetur që e konsideroni qelb, atë duhet ta punktojmë nën përcjellje të ultratingullit e më pas përmbajtjen ta dërgojmë në ekzaminim mikrobiologjik. Për të vlerësuar drejt gjendjen e tanishme, duhet ti drejtoheni mjekut tuaj të preferuar.



Para 10 viteve më është shfaqur mu në majën e pjesës së poshtme të gjoksit, aty ku takohen dy pjesët e gjoksit në formë kërcore në madhësinë e kokrrës së vesë së pulës e cila rritet, por shumë ngadalë. U paraqita menjëherë dhe mjeku mi dha ca antibiotikë, por nuk me preferoi ta largoj. Lus doktorin që të më jep përgjigje. Respekt! Shqati

PËRGJIGJE:

Ajo që është shfaqur te ju në kraharor duhet të ekzaminohet nga kirurgu torakal. Të vlerësohet natyra e ndryshimi me ekzaminimet e nevojshme klinike, radiologjike dhe të diagnostikohet që më pas të pason trajtimi adekuat.



- Si mund të diktoj nëse kam kancer të gjirit? A është i trashëgueshëm kanceri i gjirit? A sëmuren femrat e reja nga kanceri i gjirit. lumja_g67@hotmail.com

PËRGJIGJE:

Çdo ndryshim në fortësinë e gjirit, që shoqërohet me një formacion të prekshëm apo të identifikuar me ultrasonografi ose me mamografi shtron nevojën e ekzaminimit të mëtejmë nga mjeku specialist, në këtë rast kirurgu torakal, për të qartësuar natyrën e sëmundjes. Diagnostikimi i saktë për një grua që ka kancer bëhet përmes biopsisë apo CNB biopsisë. Kanceri i gjirit nuk është sëmundje trashëguese. Mirëpo, ka predispozitë më të madhe të shfaqjes të familjarët që kanë kancer: nëna, e bija, motra.

Kanceri i gjirit shfaqet më shpesh te moshat 50-60 vjeçare, por paraqitet edhe në mosha më të reja.



- Jam e diagnostifikuar me cista fibrocistike dhe më intereson a mund të shndërrohet në kancer. Dua të di më shumë për këtë lloj diagnozë. Fatimja

PËRGJIGJE:

Duhet të dimë se si jeni diagnostikuar me DG. cysta mammae. Nëse ju keni bërë vetëm examinime ultrasonografike dhe në bazë të tyre mendoni se keni të bëni me cista të mames, atëherë ne nuk mund të themi se kemi diagnozën histopatologjike.

Ne kemi shumë raste të kancerit të gjirit përbrenda formacionit cistik. Nga kjo shtrohet nevoja e përcaktimit të saktë të diagnozës në mënyrë që ti ikim gabimeve diagnostikuese rreth cistave. Përkujdesja me kontrolle të rregullta mjekësore, është e nevojshme te pacientet me ndryshime cistike.



-Ju lutem më ndihmoni. Para 10 vitesh e kam ndie një dhimbje të madhe në gjirin e majtë. Kam kryer analiza dhe kontrolle të shumta, kanë dalë mirë. Gati si përherë kam pas dhimbje në gji gjatë këtyre viteve. Tani më shqetëson më shumë fakti se po e vërej gjirin që po ndryshon, është zvogëluar dukshëm në krahasim me gjirin e djathtë dhe janë krijuar gjëndra nën sqetull. Mjekja më ka thënë se janë krijuar 2 cista në gji dhe se nuk paraqesin rrezik. Shumë po më shqetëson se po e vërej gjirin e zvogëluar dhe me intereson të di se a vazhdon ende duke u zvogëluar. Ju lutem më ktheni përgjigje, dua të di më shumë për këtë fenomen që po kaloj unë. Merita

PËRGJIGJE:

Për të ditur tablonë e plotë dhe problemin tuaj, neve na mungojnë të dhënat për moshën tuaj dhe shënimet e ekzaminimeve para 10 vjetëve. Nuk duhet të shqetësoheni nga se keni mundësi që problemi juaj të merr zgjidhjen definitive në lidhje me shqetësimet në gji. Sa i përket shfaqjes së limfonodeve në axille, nuk duhet marrë çdoherë si problem të natyrës malinje nga se kemi shpesh herë limfonode reaktive në infeksione të ndryshme.

Ky lajm është publikuar: 01/03/2010