Pa vendimin e gjykatës, asnjë nga pretendentët për trashëgimtar nuk mund të përfitojë pasuri. Veprimet që kryhen në hipotekë kur disponohet dëshmia e trashëgimisë


Laureta Rryçi



Tiranë - Kur vjen momenti për ndarjen e pasurisë brenda anëtarëve të familjes, të gjithë duhet t’i drejtohen gjykatës. Për këtë shkak paditë civile për dëshminë e trashëgimisë përbëjnë edhe numrin më të lartë të padive që depozitohen brenda një dite në gjykatë. Prej numrit të popullsisë këto padi shumëfishohen në rastin e kryeqytetit. Statistikat zyrtare të Gjykatës së Tiranës tregojnë se nga janari e deri në ditët e sotme janë depozituar rreth 1260 padi. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm procedurën që ndiqet për të tilla padi, rastet kur nuk është e nevojshme marrja e një avokati, si dhe rëndësia që ka për trashëgimtarët ky dokument. Të gjitha këto padi shqyrtohen nga gjyqtarët civilë. Gjyqtarët, pak kohë më parë, për shkak të mbingarkesës prej këtyre padive, hodhën idenë se këtë dokument mund të lëshonte noteri, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e botës. Në këtë mënyrë do të kishte më pak mbingarkesë dosjesh dhe do të ulej kostoja e shpenzimeve gjyqësore që ngarkojnë xhepin e qytetarëve.

Paditë

Paditë civile për dëshmi trashëgimie fillimisht ndjekin procedurat e zakonshme të njëllojta për të gjitha paditë që depozitohen në gjykatë. Pra, padia depozitohet në sekretarinë e gjykatës dhe më pas hidhet shorti që përcakton gjyqtarin që do ta gjykojë. Gjyqtari fillimisht njihet me objektin e dosjes dhe më pas në gjykim të tij cakton seancën e parë të shqyrtimit. Nëse palët kanë rënë dakord dhe janë në marrëveshje të plotë për ndarjen e pasurisë, procesi ka gjasa të përfundojë shpejt dhe në këto raste rekomandohet që të mos merret dhe avokat. Në këtë mënyrë do të kishte më pak shpenzime për personat që bëjnë kërkesën. Ndërsa në rastet kur trashëgimtarët kanë mosmarrëveshje midis tyre mbi pasurisë, atëherë procesi zgjat më shumë se 100 ditë dhe dëgjohen të gjitha palët për pretendimet e tyre. Madje edhe ekspertët, kur vlerësojnë pasuritë që do të trashëgohen. Gjyqtarët që gjykojnë të tilla çështje tregojnë se më shumë probleme kanë hasur në rastet kur vëllezërit nuk duan të jenë pjesë e trashëgimisë edhe motrat e martuara.

Trashëgimia

Ndarja e pasurisë njihet në të gjitha familjet si moment i vështirë për t’u ndarë të gjithë kënaqur. Jo pak procese të tilla zgjasin edhe me vite të tëra se anëtarët e një familje gjykojnë se pasuria është ndarë në mënyrë jo të drejtë. Përveç konfliktit gjyqësor, për sa kohë që nuk merret dëshmia e trashëgimisë, asnjë prej pretendentëve trashëgimtarë nuk mund të kryejë asnjë veprim mbi pasuritë. Po kështu, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk njihet asnjëri prej pretendentëve për sa kohë që mungon dokumenti i trashëgimisë.



Box



Kohëzgjatja e shqyrtimit të çështjes, deri 122 ditë



Nga janari deri në muajin maj janë depozituar 1260 padi



Për një padi për dëshmi trashëgimie paguhet si taksë 3000 lekë



Në përfundim të procesit civil, shpenzimet e gjyqit paguhen nga pala që ka depozituar kërkesën



Procedurat që ndiqen për një proces civil



Procesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Ai fillon në bazë të investimit që i bëhet Gjykatës nga një person fizik ose juridik. Të investosh gjykatën do të thotë t'i drejtohesh asaj me një kërkesë, e cila quhet padi dhe me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur ose cenuar nga persona të tjerë. Personi që i drejtohet gjykatës quhet paditës. Personi që ka shkelur ose cenuar të drejtën e pretenduar quhet i paditur. Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse është ngritur ndaj atij që ka cenuar apo shkelur të drejtën. Pas kalimit të kësaj faze, gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje, e cila do të zgjidhte çështjen duke kënaqur të dyja palët dhe duke shmangur procedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në procesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit. Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Në seancë gjyqësore mbahet procesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren si dhe vendimet dhe urdhrat që shpall gjykata. Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Kur ndonjë nga palët bën vërejtje ndaj veprimeve të kryetarit ose të ndonjërit nga anëtarët e trupit gjykues, duke pretenduar se u kufizohen ose u shkelen të drejtat e tyre këto duhet të pasqyrohen në procesverbal. Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor civil Gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në Gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme dhe që kanë lidhje me çështjen në gjykim. Në Kodin e Procedurës Civile njihen këto lloje provash: dëshmitarët, shkresat, filmat fotografike kinematografike dhe regjistrime të tjera, pohimet e palëve, këqyrja e personave, sendeve dhe këqyrja në vend, eksperimenti. Në rast se një provë rrezikon të zhduket gjykata merr vendim për sigurimin e saj. Në çështje për të cilat kërkohen njohuri të posaçme në fushën e shkencës teknikës e në fusha të tjera, gjykata vetë ose me kërkesën e palëve cakton ekspert. Gjykata pasi dëgjon palët dhe provat e paraqitura nga ato si dhe pasi shqyrton çështjen në tërësi merr vendim me të cilin e pranon tërësisht apo pjesërisht padinë si të bazuar në prova e në ligj ose vendos rrëzimin e saj si të pabazuar në prova ose në ligj. Ndaj vendimit të gjykatës palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit, gjatë shqyrtimit të çështjes mban parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë të parashikuara në Kodin e Procedurës civile. Me kërkesën e palëve ose edhe kryesisht Gjykata e Apelit mund të përsëritë tërësisht apo pjesërisht hetimin gjyqësor. Në shqyrtimin gjyqësor mund të lexohen aktet e gjykimit të shkallës së parë. Gjykata e Apelit ka të drejtë të marrë edhe prova të reja.





21 Maj 2009