Ervin KOÇI



Qeveria vendosi disa ditë më parë rritjen e nivelit të pagës minimale për punonjësit në shkallë vendi. Duke filluar nga muaji në vijim, të gjithë të punësuarit si sektorin publik ashtu dhe në atë privat nuk do të paguhen me më pak se 19 mijë lekë në muaj. Por më shumë se me pagat, ky ndryshim ka të bëjë me kontributet që çdo punëmarrës dhe punëdhënës do të derdhin në buxhetin e Sigurimeve Shoqërore. Ky ka qenë edhe shqetësimi i vazhdueshëm i punëdhënësve pasi detyrimet duhet të paguhen duke marrë për bazë këtë pagë minimale të miratuar nga qeveria, ndërkohë që punonjësi mund të paguhet me një pagë disi më të vogël se kjo. Rritja e pagës minimale pritet të rrisë edhe më tej detyrimet që duhet të derdhin ata që janë me paga të larta. Sipas VKM-së, për të përfituar një pagë të tillë çdo punonjës duhet të kryejë 174 orë punë në muaj gjatë orarit normal të punës. Nëse do të bëhet një pagesë në bazë të orarit ajo nuk duhet të jetë më e vogël se 109 lekë. Të gjitha shtesat e tjera mbi pagat do të bëhen duke marrë si referim pagën bazë të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë Ministria e Financave së bashku me institucionet në varësi, ka nisur bërjen e rillogaritjes së kontributeve pas rritjes së fundit të pagave. Kjo procedurë ka të bëjë me pagën minimale dhe maksimale që merret në konsideratë për efekt të kontributeve shoqërore. Për këtë vendim, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kanë punuar që në fillim të vitit, duke dalë në konkluzionin se preken rreth 70 mijë punonjës në shtet dhe në privat.



Formula

Lidhjet ndërmjet pagës minimale, për efekt të pagesës të kontributeve, me pensionin minimal në qytet janë të përcaktuar në formë formule. Sipas ISSH-së, paga minimale e përcaktuar, e kthyer në neto (duke i zbritur tatimin + kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që mbahet nga paga e personit) e shumëzuar me 75 për qind, (e cila në ligjin e Sigurimeve Shoqërore është përcaktuar si normë zëvendësimi bazë) jep pensionin bazë për përllogaritjen e përfitimeve të ardhshme. Kundrejt kësaj llogaritjeje, duke filluar nga data 01.07.2010 e në vazhdim, paga minimale për efekt të pagesës së kontributeve nga 16.820 lekë në muaj që ishte, bëhet 19.000 lekë, ndërkohë paga maksimale që është tavan për pagesën e kontributeve, nga 80.600 lekë bëhet 84.100 lekë në muaj. Ky vendim erdhi pasi sipas ligjit, paga maksimale për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, duhet të jetë e barabartë me pesëfishin e pagës minimale. “Në rast se nuk do të bëhej ky rregullim, do të sillte si pasojë, që punonjësve që do rezultonin me pagën para ndryshimit, pensioni i llogaritur për këtë kategori do të ishte nën pensionin minimal”,- sqarojnë specialistë të ISSH.



Vendimi

Vendimi i qeverisë e bën pagën maksimale për efekt të përllogaritjes së kontributeve nga 80 mijë e 600 lekë, në 84 mijë e 100 lekë. Si pasojë e këtij vendimi, për të gjithë ata që kanë një pagë mujore më të madhe se 84 mijë lekë, taksat mbi pagën rriten nga 400-500 lekë në muaj. Në rastin e të punësuarve në sektorin privat, efekti është i dyfishtë, pasi prek jo vetëm punonjësit, por edhe bizneset. Për këto të fundit, efekti financiar është edhe më i madh, gati 600-700 lekë në muaj, shtesë në taksa për çdo të punësuar me pagë më të lartë se 84 mijë lekë. Ndërsa për punonjësit e regjistruar me pagë minimale, kontributet rriten me 70 deri në 100 lekë në muaj.



Kontributet

Detyrimet e prapambetura për subjektet që kontributin e sigurimeve shoqërore e paguajnë në organet tatimore, në kushtet kur administrata e sigurimeve shoqërore nuk ka më tagrin për t’i mbledhur ato apo për t’i detyruar ligjërisht subjektet që të likuidojnë detyrimet e tyre të prapambetura, është parë i nevojshëm transferimi i këtyre detyrimeve pranë administratës tatimore. Efekti ekonomik, në zbatimin e këtij vendimi është tepër minimal, as 1 për qind, e totalit të rritjes së pensioneve për këtë 6-mujor, pasi përfshin një numër të kufizuar punonjësish. Ata janë të vetëpunësuari, me rreth 60 mijë individë, që kontributi i sigurimeve shoqërore rritet vetëm për 160 lekë në muaj, dhe për punonjësit me paga mbi 80.600 në muaj (që përbëjnë rreth 9000 punonjës), rritja në vlerë absolutë është për punëdhënësin rreth 525 lekë dhe për të punësuarit 332 lekë.





BOX///////////////////////////////////////////

Masa e re e kontributeve për bizneset, Tatimet sqarojnë procedurat



Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes dy njoftimeve të fundit të botuara në faqen e saj zyrtare paralajmëron biznesin mbi nivelin e ri të pagës minimale dhe maksimale. Kjo gjë bëhet me qëllim që subjektet të shmangin vonesat dhe gjobat. Në njoftimin zyrtar të DPT-së thuhet se: “Ju kujtojmë se në zbatim të Vendimit Nr.477, datë 30.6.2010, të Këshillit të Ministrave ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin Nr.1114, datë 30.7.2008 të Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare Nr.76, datë 01.07.2010’, duke filluar nga data 1 korrik 2010 e në vazhdim, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, do të jetë jo më pak se 16.820 lekë, ndërsa paga maksimale mujore do jetë 84.100 lekë”. Sipas DPT-së, për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, paga minimale mujore, për llogaritjen e kontributeve, është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur. Kjo pagë, sipas VKM-së nr.522, datë 13.5.2009, “Për përcaktimin e pagës minimale, në shkallë vendi”, i cili akoma vazhdon të jetë në fuqi, është 18.000 lekë. Sakaq, kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore për personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, si dhe për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 01.07.2010 e në vazhdim do të jetë 1440 lekë në muaj. Një tjetër njoftim po i rëndësishëm lidhet me projektin e ri të Tatimeve. “Duke filluar nga data 1 korrik 2010, në kuadër të projektit pilot në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve dhe plotësimin e kërkesave të biznesit për vërtetime, për të paraqitur këto kërkesa, duhet të drejtohen vetëm pranë Drejtorisë së Shërbimit ndaj Tatimpaguesve”,- sqaron Drejtoria e Përgjithshme.





16 Korrik 2010