SHKRUAN: Blerina Hoxha 10-02-2011 10:46

Pagat dhe shpërblimet në administratën shtetërore do të disiplinohen nëpërmjet një ligji krejt të ri, projekti i të cilit është miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Në themel të projektligjit të përcaktohen qartë se, kush i ka kompetencat për përcaktimin e kufijve të pagave dhe të shpërblimeve. Kështu të gjitha vendimet për shpërblim të administratës dhe përcaktim të pagës, qoftë edhe për ndërmarrjet shtetërore, miratohen nga qeveria me propozim të ministrive dhe enteve përkatëse. Sipas projektligjit të ri, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe të ministrit të Financave, miraton pagën minimale mujore, në shkallë vendi, e cila është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj. Gjithashtu qeveria, sipas rastit, me propozimin e ministrit të Brendshëm (Departamentit të Administratës Publike) dhe të ministrit të Financave ose vetëm të këtij të fundit, miraton pagat e shpërblimet e drejtuesve të institucioneve qendrore. Projektligji i jep tagër qeverisë të miratojë strukturën e pagës, numrin e klasave, nivelet e pagave, të shtesave mbi pagë dhe të shpërblimeve për nëpunësit punonjësit e administratës publike, qendrore dhe vendore. Projektligji e ngarkon qeverinë të miratojë aktet nënligjore për rregullat dhe kriteret për përcaktimin e masës së shpërblimeve për rezultate të mira në fund të vitit, për shpërblimin shtesë për punën e kryer mbi kohën normale të punës, në ditët e festave zyrtare e të pushimit javor, e për raste të tjera, të parashikuara në Kodin e Punës. Gjithashtu qeveria kryen klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të qeverisjes vendore për efekt page dhe të kufijve maksimalë të pagave për funksionarët e zgjedhur, të emëruar, për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë në organet e qeverisjes vendore. Këshilli i Ministrave, sipas rastit, me propozimin e ministrit të Financave, miraton shpërblimin e anëtarëve të këshillave, të bordeve ose të komisioneve të institucioneve qendrore. Qeveria, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, miraton kufirin maksimal të pagës dhe të shpërblimit të titullarit të njësive të fondeve speciale, të institucioneve publike, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, si dhe kufirin e shpërblimit të anëtarëve të këshillave a të bordeve drejtuese të tyre. Sipas këtij projektligji, këshilli i qarkut, këshilli bashkiak, këshilli komunal, sipas përkatësisë, miratojnë pagën për çdo funksion të zgjedhur, të emëruar, për nëpunësit dhe punonjësit e tjerë, brenda kufijve të pagave për çdo grup të njësive të qeverisjes vendore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Organet kolegjiale drejtuese, të njësive të fondeve speciale, të institucioneve publike, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, miratojnë nivelet e pagave të punonjësve të tyre, brenda kufirit minimal e maksimal të caktuar nga Këshilli i Ministrave, në varësi të mundësive të tyre financiare dhe pas miratimit nga ministri përkatës, masën e shpërblimit të punës, por jo më shumë se një pagë mujore në vit, pas daljes së rezultatit financiar vjetor, si dhe pas miratimit nga ministri përkatës.