Jonida Tashi



Për periudhën e sigurimit para datës 1 janar të vitit 1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar të pensionit merren parasysh pagat referuese, të përcaktuara me vendime të Këshillit të Ministrave. Qeveria ka përcaktuar se sa janë pagat referuese për efekt të llogaritjes së pensionit para datës 1 janar 1994 për të gjitha profesionet. Specialistët e pensioneve shpjegojnë se në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 01.01.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të të dyja periudhave. Kështu, çdo vit, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar individuale indeksohet me koeficientin, që llogaritet si raport i kontributit mesatar për çdo person të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Koeficientët e indeksimit shërbejnë për të mbrojtur pagën nga inflacioni. Çdo person që do të plotësojë dokumentet për të marrë pension duhet të dërgojë bashkë me dosjen e tij edhe pagat e 10 viteve të fundit. Pensioni llogaritet me mesataren e tri pagave më të larta në tre vite, nga 10 vitet e fundit të punës. Koeficientet do të përdoren për të shumëzuar pagën. Kështu, paga e çdo viti do të shumëzohet me koeficientin që i përket atij viti. Në rast se një i punësuar në vitin 1997 paguhej 20 mijë lekë në muaj, atëherë për llogaritjen e pensionit paga e tij do të shumëzohet me koeficientin e vitit 1997, që është 1.22. Kështu paga e tij për efekt pensioni do të jetë 24.400 lekë. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet për të gjitha vitet. Kështu, mesatarja e pagës për efekt pensioni do të rritet.

Paga referuese

Pagat referuese për periudhën e sigurimit para datës 1.1.1994, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension, janë sipas tabelave Al, A2, A3, të mëposhtme. Sipas ligjit “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pagesat e kontributeve, me deklarata, bëhen në afatet e mëposhtme. Kështu, pagesat e kontributeve nga personat juridikë, përjashtuar personat juridikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël bëhen brenda datës 20 të muajit pasardhës. Kur pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri si administratorë ose çdo funksion tjetër trajtohen si çdo punëmarrës tjetër. Ndërsa nga personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të TVSH-së, pagesat e kontributeve kryhen brenda datës 20 të muajit pasardhës. Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes, si dhe të punësuarit. Pagesat e kontributeve nga personat juridikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël duhet të bëhen brenda datës 10 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Kur pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri si administratorë ose çdo funksion tjetër trajtohen si çdo punëmarrës tjetër. Nga personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, pagesat e kontributeve kryhen brenda datës 10 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik pasardhës. Deklarata edhe në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes, si dhe të punësuarit.

Paga bruto

Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm, që lindin në marrëdhëniet e punës. Paga bruto nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, që është 17 mijë lekë në muaj. Kontributet llogariten deri në një pagë maksimale, e cila është sa pesëfishi i pagës minimale. Kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore llogariten e paguhen edhe për të ardhurat nga paga dhe shtesat mbi pagat nga një punë e dytë. Mbështetur në udhëzimin e ministrit të Financave Nr.4, datë 18.1.2005, “Për mbledhjen e Kontributeve të Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore”, në qoftë se një nga punëmarrësit punon në dy punë atëherë për këtë punëmarrës secili prej punëdhënësve të tij (personi juridik ose personi fizik) llogarit dhe paguan kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore njësoj sikur personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër. Pra, secili prej punëdhënësve, në mënyrë të pavarur, llogarit dhe paguan kontributet, mbi bazën e pagës reale të punëmarrësit, brenda kufirit maksimal të miratuar. E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e të vetëpunësuarve, kur i vetëpunësuari është njëkohësisht edhe punëmarrës edhe punëdhënës. Atëherë ai duhet të regjistrohet në degën e tatimeve dhe të paguajë kontributet dhe detyrimet e tjera si i vetëpunësuar, sipas gjithë rregullave, njësoj sikur të mos ishte edhe punëmarrës. Ndërkohë, ai duhet gjithashtu të paguajë kontributet edhe si punëmarrës te një punëdhënës tjetër. Punëdhënësi, ku i vetëpunësuari është punëmarrës, i bën veprimet njësoj si për të gjithë punëmarrësit, sikur personi të mos ishte edhe i vetëpunësuar.

Llogaritja

Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për efekt të kontrollit të zbatimit të kufijve minimalë e maksimalë të pagave bëhet proporcionalisht me kohën e punuar. Kështu, llogaritja e pagës mujore për efekt të pagimit të kontributeve, kur rezultojnë ndërprerje apo mungesa në punë, në rast se mungesat janë të vërtetuara me raport mjekësor apo çdo dokumentacion tjetër të parashikuar nga Kodi i Punës apo ligji për Statusin e Nëpunësit Civil, bëhet mbi pagën ditore faktike shumëzuar me ditët e punuara në fakt. Subjektet punëdhënëse janë të detyruara të bëjnë shënimet përkatëse në regjistrin e pagave të punonjësve për kohën dhe arsyet e ndërprerjes së punës. Ndërsa llogaritja e pagës mujore për efekt të pagimit të kontributeve, kur rezultojnë ndërprerje të përkohshme (orare) në punë të parashikuar nga Kodi i Punës dhe të dokumentuara për çdo rast nga punëdhënësi, bëhet mbi pagën orare faktike shumëzuar me orët e punuara, në fakt shumëzuar me ditët e punuara në fakt. Subjektet punëdhënëse janë të detyruara të bëjnë shënimet përkatëse në regjistrin e pagave të punonjësve për kohën dhe arsyet e ndërprerjes së punës. Në rastet kur rezultojnë ndërprerje apo mungesa në punë, por mungesat nuk janë të vërtetuara me raport mjekësor apo çdo dokumentacion tjetër të parashikuar nga Kodi i Punës apo ligji për Statusin e Nëpunësit Civil, llogaritja e pagës mujore për efekt të pagimit të kontributeve, në kufijtë e pagës minimale e maksimale bëhet mbi pagën ditore bazë të parashikuar në kontratë, e cila nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar, shumëzuar me ditët e punës për muajin, të parashikuara në kontratën e punës.











Pagat referuese para datës 1.1.1994 për të gjitha profesionet

Tabela nr.1



Lloji i punës Paga mujore në lekë

Aparati i Këshillit të Ministrave

1.Kryetari i Këshillit të Ministrave 8,220

2.Zv.Kryetari i Këshillit të Ministrave 7,946

3.Kryetare e institucioneve në varësi të 5,480

Këshillit të Ministrave

4.Specialistë të lartë në Këshillin e Ministrave 4,932

5.Specialistë të mesëm 4,110

6.Punonjës të tjerë 3,562

7.Sipas kësaj tabele trajtohen edhe punonjësit 0

të aparatit të ish-Komitetit Qendror të PPSH

Në Ministri dhe institucione të tjera qendrore

1.Ministër, kryetar i Akademisë së Shkencave 7,672

2.Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokurori i 7,124

Përgjithshëm, kryetar Hetuesie

3.Zv.ministër,zv.kryetarë të institucioneve 6,302

dhe drejtorë të drejtorive

4.Drejtorë drejtorie në ministri dhe 5,754

institucione qendrore

5.Shefa sektori në institucione qendrore 5,754

6.Specialistë të lartë 4,384

7.Specialistë të mesëm në ministri 4,000

8.Punëtorë të kualifikuar 3,288

9.Punëtor të thjeshtë 2,740

10.Sipas kësaj tabele trajtohen edhe 0

punonjësit e aparatit të këshillave qendrore të organizatave të masave

11.Sipas kësaj tabele trajtohen edhe punonjësit 0

e Akademisë së Shkencave, punonjësit e aparatit të institucioneve të tjera qendrore të njëhsuara

Në administratën lokale

1.Kryetar i komitetit ekzekutiv 5,343

2.Nënkryetar, sekretar 5,042

3.Shef seksioni 4,713

4.Kryespecialist e përgjegjës zyre 4,384

5.Specialist i lartë 4,384

6.Specialist i mesëm 3,863

7.Specialistë të tjerë 2,740

8.Kryetar i këshillit të fshatit të bashkuar 4,658

9.Sekretar i këshillit të fshatit të bashkuar 3,836

10.Specialistë me arsim të lartë në këshilla 4,110

11.Specialistë të mesëm 3,672

12.Sipas kësaj tabele trajtohen edhe 0

punonjësit e aparatit të komiteteve të

partisë dhe këshillave lokalë të organizatave

të masave

13.Të tjerë 2,740









Tabela nr.2

Lloji i punës Paga mujore në lekë

Administrata e ndërmarrjeve

1.Drejtor 4,932

2.Krye ing.Kryeagronom,Kryegjeolog, 4,713

etj të kësaj kategorie

3.Zv.Drejtor 4,357

4.Kryetar Dege, shef dhe përgjegjës 4,220

repartesh

5.Specialistë të lartë 4,192

6.Specialistë të mesëm 3,288

7.Të tjerë 2,740

Institucione të tjera lokale

1.Drejtor, Kryetar gjykate,hetuesie,prokurorie 4,384

2.Zëvëndësa të posteve të pikës 1 4,165

3.Specialistë të lartë 4,110

4.Specialistë të mesëm 3,507

5.Të tjerë 2,740



Tabela nr.3

Përshkrimi i punës Paga referuese mujore

për punëtorët

1.Qymyrguri,bitumi 0

Nëntokë 4,302

Sipërfaqe 3,491

2.Miniera të tjera 0

Nëntokë 3,891

Sipërfaqe 3,293

3.Fabrika të përp.të mineraleve 3,293

4.Nafta 3,348

5.Gjeologjia 0

Nëntokë 3,420

Sipërfaqe 3,348

6.Metalurgjia me ngjyrë 3,304

7.Metalurgjia e zezë 3,392

8.Kimia 3,304

9.Qelqi 3,348

10.Sharrat 3,277

11.Material ndërtimi,tulla çimento 3,107

12.Mekanike elektrike 2,795

13.Druri,letra 2,795

14.Lëkurë-Goma 3,222

15.Tekstil-Trikotazh 2,965

16.Ushqimore 2,707

17.Këpucë-Konfeksione 2,795

18.Duhani 2,893

19.Peshkimi 4,110

20.Bujqësi,pyjet 2,833

21.Blegtori 2,899

22.Tipografia 3,063

23.Tregti-Grumbullim 2,740

24.Ushqim social 2,466

25.Ndërtimi 3,063

26.Mekanizmat e rënda 4,110

27.Shoferë transporti 3,233

28.Punëtorë porti 3,420

29.Postë telekomunikacion 2,921

30.Mirëmbajtje rruge 2,904

31.Transporti hekurudhor 3,562

32.Komunale 2,965

33.Punëtorë të tjerë 2,685













2 Nentor 2008