Të tjera rreth shkrimit /VIDEO
TIRANE- Duke filluar nga mëngjesi i djeshëm, kanë hyrë në fuqi Buxheti dhe Paketa Fiskale 2014, pas dekretimit që iu bë nga Presidenti Bujar Nishani në datën 30 dhjetor 2013. Por, si ndryshojnë këto taksa? Ndër taksat më të përfolura që kanë ndryshuar është tatimi mbi pagën, ku do të aplikohet taksa progresive për pagat mbi 30 mijë lekë, pas heqjes së taksës së sheshtë prej 10%. Nga zbatimi i parimit "kush fiton më shumë, paguan më shumë", do të sigurohet mbështetja e shtresave në nevojë dhe e shtresave të mesme të popullsisë.

Një tjetër taksë, ajo e qarkullimit për naftën dhe benzinën, bëhet 17 lekë/litër nga 7 lekë që ishte. Rritja e taksës së qarkullimit pritet të sjellë rritje të çmimit prej 6.6% dhe 6%, përkatësisht për benzinën dhe naftën. Po ashtu hiqet tavani 10% i masës së taksave dhe tarifave të përkohshme që vendos Këshilli Bashkiak, apo Komunal, për ndërtesat dhe ndryshon taksa për objektet e biznesit dhe ndërtesave në pronësi.

Taksa për ndërtesat e banimit para vitit 1993 u la e pandryshuar.

Edhe akcizat pësuan ndryshime nga 1 janari, ku u rrit akciza për cigaret, duhanin e hapur, pijet alkoolike, si dhe struktura e taksimit të birrës.

Bashkë me to, si produkt i ri me akcizë u futën dhe pijet energjike që që tani taksohen me 50 lekë për litër. Ndryshim pësuan edhe taksat e biznesit, ku u hoq taksa 10% për biznesin e vogël. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe norma tatimore u bë 7.5%, si dhe u vendos taksa fikse 25 mijë lekë për subjektet me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit. Për biznesin e madh tatimi mbi fitimin nga 10 u bë 15%. Nga 1 prilli 2014, do të hiqet dhe TVSH-ja për barnat.
 
Taksa progresive/ tatimi mbi pagën
Paga    mujore                                                Tatimi në %
30 mijë lekë                                                      0% tatim
30 - 130 mijë lekë                                             13% tatim
Mbi 130 mijë lekë                                             17% tatim
 

Taksa për ndërtesat e banimit dhe biznesit
Ndërtesa                                  Ishte                            Bëhet
Shtëpitë para 1993                   15 lekë/m2                   15 lekë/m2
Shtëpitë pas 1993                    20 lekë/m2                   30 lekë/m2
Ndërtesat e biznesit               200 lekë/m2                    400 lekë/m2
Fshatra turistike                     200 lekë/m2                   400 lekë/m2
 

Akcizat nga 1 janari 2014
Produkti                                  Ishte                                        Bëhet
Cigare                                      70 lekë/paketë                        90 lekë/paketë
Pije alkoolike                            50 000 lekë/HL                       65 000 lekë/HL
Birrat                                        310 lekë/HL                           710 lekë/HL
Pijet energjike                           0 lekë/litër                               50 lekë/litër
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)