Krahas pagesës në KESH që përfitojnë familjet në skemën e ndihmës ekonomike ato shumë shpejt do të mund të marrin edhe një paketë ushqimore. Këtë do ta sigurojë drafti më i fundit që po përgatitet nga ministria e Punës. Sipas tyre kjo paketë do të përmbajë ushqimet më të rëndësishme të shportës ndërkohë që ajo nuk do të jetë standarte, por edhe mund të ndryshojë në sajë të numrit të pjestarëve të familjes.





“Është gjykuar në këto vite që disa familje, edhe pse marrin ndihmë
ekonomike në pagesë, përsëri të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme
për të përballuar jetesën. Atëherë këtu ndërhyn shteti me një paketë apo
shportë ushqimesh bazë, jetike, të cilat do t’u jepen si supplement
këtyre familjeve të skemës  së ndihmës ekonomike. Jemi ende në fazën në
të cilën po vlerësojmë se cila do të jetë paketa ushqimore më e mirë për
të përballuar jetesën e këtyre familjeve” thotë Denada Seferi,
drejtoreshë e politikave dhe shërbimeve sociale në ministrinë e Punës.



Drafti që po përgatisin autoritetet e ministrisë së Punës,  parashikon
dhe ndryshime të tjera përsa i përket grupeve përfituese nga kjo skemë,
nga tre shtohen dhe dy kategori të tjera si viktimat e dhunës dhe ato të
trafikuara. Aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike ka rreth 95 mije
familje.



Edlira Sulejmani