Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka inspektuar sot punimet për ndërtimin e ambjenteve të reja të paraburgimit për qarkun e Elbasanit, të cilat po zhvillohen tek ish kombinati Metalurgjik në këtë qytet. Sipas Halimit, investimi është tepër serioz dhe plotëson të gjitha kushtet dhe standardet europiane.

 


Sipas tij, projekti në fjalë është një bashkëpunim midis Komisionit Europian dhe Ministrisë së Drejtësisë, projekt i cili kap vlerën e 4 milionë eurove.


Në fjalën e tij, ministri ka theksuar se ministria që ai drejton, nuk ka tendencën e ndërtimeve të sa më shumë godinave të burgimit apo paraburgimit por ka tendencën e aplikimit më të madh të dënimeve alternative dhe sipas tij të dënuarit e kësaj lloj kategorie, shumë shpejt do të kontrollohen në mënyrë elektronike pas realizimit të projektit dixhital “GPS”, që do të funksionojë pasi t`i vendoset të dënuarve një lokalizues 24- orë në 24, që do të mbajë në kontroll ata. Sipas tij, prioritet për ministrinë e tij është rritja e sigurisë publike.

 


Godina e re e paraburgimit, që po ndërtohet në Elbasan,ka një kapacitet prej rreth 120 vendesh, ku do të mbahen rreth 80 meshkuj, 20 femra dhe 20 të rinj.