Kohët e fundit u njohëm me një botim në “Studime Gjeografike” nr. 16, revistë zyrtare, pronë e ish-Qendrës së Studimeve Gjeografike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH). Ky numër i revistës është realizuar në kuadrin e një projekti me studiues gjermanë të Universitetit të Bambergut, Instituti i Gjeografisë, financuar nga DAAD (Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman) në kuadrin e Paktit të Stabilitetit për Evropën JL. Prof. Dr. Arqile Bërxholi dhe Prof. Dr. Dhimitër Doka kanë trajtuar këtu probleme fiziko-gjeografike jashtë kompetencave të tyre, prandaj nuk na çudisin gabimet shkencore deri në nivele paradoksale. Punimi i këtyre autorëve lidhet me vlerësimin fiziko-gjeografik të zonave të marra në studim, si Malësia e Pukës, Lugina e Drinit të Zi, vargu malor i Korabit, pjesa lindore e Maleve të Lurës, Alpet Lindore, Malësia e Hasit dhe e Gjakovës.


Që në fillim të bie menjëherë në sy se autorët Bërxholi dhe Doka kanë konceptime tejet të gabuara që reflektohet tek terminologjia e përdorur, kanë konfuzion në përdorimin e termave “rajon”, “njësi”, “zone”, “malësi” etj., në analizën dhe interpretimin e gabuar të dukurive gjeografike me ato fiziko-gjeografike të mjedisit të këtyre zonave.


Në trajtimin e çdo zone të veçantë spikat çoroditja e theksuar në analizën shkencore gjeografike të tyre. Nisur nga fakti se gabimet shkencore janë të pranishme absolutisht në çdo rresht të studimit dhe se paraqitja e tyre është e pamundur në një artikull, më poshtë po veçojmë ato më kryesoret dhe më flagrantet. Konfuzioni fillon menjëherë tek paragrafi i parë dhe i dytë i hyrjes, tek Malësia e Pukës, ku vërehet një renditje që mund të quhet “model” se si nuk duhet të jetë i organizuar një studim. Sipas autorëve, kjo malësi “përfaqësohet nga një grumbull vargjesh malore dhe malësish tepër të fuqishme”(?!). Se si “malësia” përfaqësohet nga “malësitë” e kupton vetë lexuesi, sepse në njëjës nuk mund të përfshihet shumësi (!). Gjithkund në këtë pjesë ngatërrohet koncepti fiziko-gjeografik me atë gjeografik. Po këtu thuhet se “në jug kjo malësi zbret në shpatet e malësisë së Kushnenit”, pra malësia zbret në shpatet e malësisë (?!) kur dihet se ato quhen Bjeshkët e Kushnenit dhe jo malësi. Për anën lindore thuhet se “në lindje kufiri kalon kreshtës (cilës kreshtë?) së vargut që bie në luginën e Drinit të Zi”, pra një kufi imagjinar, sepse ky vargmal nuk lidhet fare me këtë malësi. Në vazhdim trajtimi i relievit tepër skematik, i gabuar (sepse malësia nuk është pllajë, siç e quajnë) me “zonat e sheshta të kufizuara”, pra brenda zonës shtrihen zonat (?!), gjithashtu, të kufizuara, duke hedhur poshtë njëherazi trajtën e pllajës. Ndërtimi gjeologjik, i cili trajtohet shkencërisht përpara relievit, dhe kjo është elementare, paraqitet me gabime, mangësi e pasaktësi, ku sipas tyre mbi lartësitë mbi 1000 m janë vendosur “kësula” gëlqerore, kur dihet se ato takohen vetëm tek mali i Munellës. Si ka mundësi që në këtë malësi me “grumbuj (term i çuditshëm!) vargjesh malore e malësish” sipas shprehjes së autorëve, nuk përmendet asnjë “mal apo malësi” (?!), ndërkohë që injorohen Tërbuni, Krrabi, Kunor-Dardha, Munella, Shllumi i Merturit etj. Në vazhdën e paradokseve të ndërtimit gjeologjik të kësaj malësie është lidhja e dukurisë sizmike (tërmeteve) me ndërtimin gjeologjik, kur dihet se kjo dukuri kushtëzohet nga tektonika e re aktive. Kjo është shprehje e amatorizimit të tyre në këtë fushë. Natyrisht, kulmi i paradoksit të këtyre autorëve është trajtimi i klimës në 3 rreshta edhe ato të gabuara, të cilët po i citojmë: “Në klimën e malësisë hasen elementët (?!) e tri zonave klimatike, ajo mesdhetare kodrinore deri në lartësitë e Bjeshkëve të Tërbunit (ndërkohë që ky është mal dhe jo kodër (Gj.G); ajo mesdhetare paramalore kryesisht në shpatet e harkut lindor malor (cili është ky hark nuk e dinë as vetë autorët derisa nuk e thonë (Gj.G); si dhe ajo mesdhetare malore në kreshtat e maleve në lartësinë mbi 1500 m (theksojmë se lartësitë mbi 1500 m në këtë malësi janë të papërfillshme, pasi pjesa dërrmuese e relievit shtrihet në lartësitë 900- 1300 m Gj.G). Pra, sipas logjikës “shkencore”, të këtyre autorëve kreshtat e maleve janë zonë klimatike e ndryshme nga shpatet e tyre (?!).


Gabime shkencore origjinale të këtyre autorëve shprehen, gjithashtu, tek trajtimi i tipareve fiziko-gjeografike të Luginës së Drinit të Zi, të cilin herë e quan zonë ku përfshihen disa njësi gjeografike (?!), kur dihet se koncepti gjeografik është më i gjerë se ai fiziko-gjeografik. Autorët herë e quajnë rajon(?!) dhe përsëri njësi mjedisore(?!) të dalluara dukshëm nga mjedisi fiziko-gjeografik dhe nga mjedisi social, pra një konfuzion, të cilin me siguri nuk e kuptojnë as vetë autorët.


Më tej autorët shprehen me fjalinë: “Kufiri i kësaj lugine në veri me ish-luginën e Drinit të Bardhë, tashmë pjesë e liqenit të Fierzës...”, ku vihen re dy paradokse: paradoksi i parë: çfarë kuptojnë autorët me “ish”, mos lugina nuk ekziston më, apo mos është transferuar në ndonjë vend tjetër (?), dhe paradoksi i dytë: liqeni tashmë është pjesë e luginës dhe jo e kundërta siç thonë autorët.


Konceptime dhe trajtime të gabuara ka gjithashtu, përbërja litologjike (shkëmbinjve) të shpateve të kësaj lugine, pra “shpatet perëndimore gëlqerorë të mermerizuar (?!), ndërsa ato në lindje të luginës nga dolomite e gëlqerorë” (?!). Shtrojmë pyetjen: po shkëmbinjtë terrigjenë, të cilët ndërtojnë pjesën më të madhe të luginës nga Dibra në Zall-Dardhë, ku i kanë futur autorët? Në vijim, trajtimi i relievit dhe klimës janë tejet skematike, kurse hidrografia dhe tokat bimësia mungojnë tërësisht në analizën e kësaj lugine. Në vazhdim “vargu i Korabit” të habit me një mënyrë trajtimi që mund të quhet model i pasaktësive shkencore të problemeve fiziko-gjeografike, sepse autorët thonë që aty “gjendet rajoni (?!) i Shishtavecit”, pra rajon brenda njësisë gjeografike të Korabit. Tenxherja brenda kapakut. Spekulime të tilla me këto koncepte e terminologji shkencore gjeografike zor se i gjen gjëkundi. Të tilla gabime takohen tek ndërtimi i truallit të Korabit, me termin “shkëmbinj gjeologjikë” i “shpikur” për herë të parë vetëm nga këto autorë, rrjedhojë kjo e “kontrabandës” në këtë fushë studimi. Si ka mundësi që këta autorë i kanë lejuar vetës të shpërfillet (apo nuk e dinë?) relievi i Korabit, më i madhi i trevave shqiptare dhe nga më të mëdhenjtë e Gadishullit Ballkanik, pasi male të tillë të rëndësishëm të këtij vargmali, si Koritniku, Gjalica, Serakoli e Deshati, as kanë marrë mundimin t’i përmendin?! Si zakonisht toka, bimësia dhe fauna mungojnë krejtësisht, kurse hidrografia me tre rreshta(?). Pavarësisht se pjesa lindore e maleve të Lurës është përfshirë në zonën e studimit, autorët nuk i kanë trajtuar fare(?).


Në vlerësimin fiziko-gjeografik të Alpeve Lindore nuk jepet citimi i një ndarjeje të tillë(?), kurse paradokset shkencore nuk kanë të sosur dhe e kemi të vështirë cilin të veçojmë më parë. Të bie menjëherë në sy mënyra e gabuar e formulimit të fjalive që tek paragrafi i parë, ku njësia e Alpeve u përbëka nga dy nënrajone(?) me kufij gjeografikë(?!) luginën e Shalës. Kjo luginë është kufi fiziko-gjeografik dhe jo gjeografik, kurse nuk bëhet fjalë për të cituar autorin nga e kanë marrë një ndarje të tillë që e citojnë dhe gabim. Si gjithnjë trajtimi i ndërtimit gjeologjik të Alpeve Lindore, vetëm me katër rreshta, paraqitet me mangësi dhe pasaktësi shkencore të theksuara, krahas një skematizmi të pafalshëm, ku zor se gjen një fjali të saktë. “Kurrizet e kreshtat ndërtohen nga shkëmbinj të ndryshëm prej luginave e fundet e shpateve” (?), pra një “shpikje” dhe sajim në dritë të diellit e këtyre autorëve dhe që nuk përputhet me realitetin.


Relievi i Alpeve Lindore është paraqitur me terma tepër të përgjithshme ku nuk përmendet asnjë bllok malor, të tillë si ai i Jezercës, Kollatës, Grykave të Hapta, të Kakisë, të Majës së Hekurave etj., me lartësi mbi 2500 m, apo luginat, si ajo e Valbonës, e Nikajt, Gashit, Tropojës. Përdoren vetëm terma të përgjithshme dhe në disa prej tyre vulgare dhe aspak shkencore (shpella e galeri masive, lëndina ndërmalore, lugina herë të sheshta e herë të thella, etj.


Një “shpikje” e radhës spikat menjëherë tek trajtimi klimës së Alpeve Lindore, ku pozita “gjeografike, lartësitë e mëdha, veçoritë e shtrirjes së vargjeve malore e luginave”, qenkan “elemente gjeografike”(?!). Pra duke ngatërruar idenë e ndryshimit thelbësor midis konceptit shumë më të gjerë gjeografik.


Tek hidrografia e Alpeve, e cila çuditërisht në tekst zë vend sa dyfishi i pjesës së klimës (?!), pjesën dërrmuese e zënë burimet e ujit, duke shpërfillur lumin e Valbonës, të Nikajt, të Gashit, të Tropojës (për dy të parët jepet vetëm prurja vjetore), të cilët zotërojnë pasuri ujore me vlera ekonomike. Kurse pasuritë floristike të Alpeve janë trajtuar vetëm me dy rreshta pa përmendur fare pyjet (?!) e mirënjohura të Valbonës, Çeremit, Lumës, Gashit, Nikajt etj. Vargu i gabimeve shkencore origjinale të këtyre autorëve mbyllet me ato të bëra tek trajtimi i malësisë së fundit, asaj të Hasit dhe Gjakovës ku: “Është pjesë përbërëse e nënrajonit VL”, i cili nuk del gjëkundi në trajtimin e zonave të marra në studim. Pastaj trajtimi vazhdon me kufijtë e gabuar të shtrirjes në VP (jo në veri) me pellgun e Tropojës dhe jo lumin me të njëjtin emër, kurse në JL (jo në jug) me pellgun e Kukësit, e luginën e Drinit të Bardhë (jo të lumit Drin).


Ndërtimi gjeologjik si zakonisht me pasaktësi, ku thuhet se “brenda kësaj zone dallojmë zonën e Bytyçit e të Hasit”, pra brenda një zone veçojnë dy zona (?!); nuk është e vërtetë se Hasi ka vetëm gëlqerorë e molasa, siç e thonë autorët, pasi pjesa më e madhe ndërtohet nga shkëmbinj magmatikë.


Midis ndërtimit gjeologjik dhe klimës me rreth 8 rreshta, qëndron relievi me 2.5 rreshta (?!). Pra përbërësi kryesor i mjedisit natyror (pas ndërtimit gjeologjik) pothuajse nuk trajtohet fare nga këta “gjeografë”, duke i shtuar njëherazi gabimet dhe pasaktësitë e trajtimit të klimës, hidrografisë dhe të tokave.


Paradoksi më befasues është trajtimi i klimës tek Malësia e Hasit dhe Gjakovës ku “zona mesdhetare paramalore zë pjesën kryesore të mjedisit dhe të zonës mesdhetare malore” (?!). Se si një zonë klimatike zë pjesën kryesore të një zone tjetër klimatike besojmë se e kupton lehtësisht lexuesi (f. 47) se çfarë gabimi shkencor, deri në absurd, mbart mendimi i autorëve”. Në radhë të parë duhet të sqarojmë autorët se përdorimi nga ana e tyre e termave të tilla si “reliev kodrinor i ulët”, “sistem kodrinor i lartë”, dhe “sistem paramalor”, pra herë reliev e hërë sistem, janë tejet të vjetëruara në Gjeografi, por janë njëherazi dhe jashtë reales sidomos për këto malësi, e cila karakterizohet nga një reliev kodrinoro-malor. Kurse degradimi i pjesshëm i tokave të murrme pyjore mbi 1000 m si pasojë e “terracimit të mëparshëm” janë një “shpikje” e radhës së këtyre autorëve. Shtrojmë pyetjen: me gabime shkencore të tilla të papranueshme a mund të jetë Prof. Arqile Bërxholi, anëtar në Këshillin Botues të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH), të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një vepër kapitale me vlera mbarëkombëtare që është në proces botimi?


Modeli i punimit i trajtuar më lart dëshmon se si nuk duhet konceptuar grupi kërkimor, dhe se si nuk duhet të shkruhet shkenca, në këtë rast ajo e gjeografisë. Shprehim keqardhjen tonë që edhe këtë herë fondet e DAAD-së Gjermane janë përdorur për pseudoshkencë duke përzgjedhur autorë të tillë. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse studimi do t’i ishte nënshtruar, gjithashtu, oponencës shkencore. Jemi të hapur për një ballafaqim me autorët për të gjitha vërejtjet e paraqitura ndaj këtij punimi, me qëllim të ndërgjegjësimit të tyre për paaftësinë profesionale në funksion të studimeve fiziko-gjeografike.








*Autori është Profesor në Departamentin e Gjeografisë, Universiteti i Tiranës, titullar i lëndës Geomorfologji e Përgjithshme dhe “Gjeomorfologji e Shqipërisë”