10/05/2005  Paskualina dhe Bruno Shllaku rikthehen në teatrin e Shkodrës pas 14 vitesh emigrim në Greqi; Çfarë akumuluan nga teatri grek dhe sprova e madhe në Festivalin e Aktrimit “Apolon 2005” në Fier; Rigjallërimi i teatrit; projekti i teatrit të poezisë; thithja e aktorëve të rinj dhe bashkëpunimi me artistin e popullit Serafin Fanko -janë hapat e parë të regjisorit Bruno Shllaku për teatrin “Migjeni” të Shkodrës; “Antigona” - tragjedia që do të çojë çiftin Shllaku në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Butrint


Paskualina Gruda rikthehet në skenën e teatrit shqiptar pas 14 vitesh mungesë. Për kolegët e saj, kjo ishte një kërshëri e madhe, nëse kishte mbetur ajo aktorja e bukur, plot ëmbëlsi, kur në Festivalin e Aktrimit në Fier ajo do të ishte protagonistja e komedisë së Goldenit “Mirandolina”. Rezerva të forta dhanë kritikët për shfaqjen e teatrit të Shkodrës, për lodhjen e aktorëve në interpretim, për regjinë jo të goditur, ndërsa për aktoren Gruda heshtja e veçoi. Vetë Paskualina thotë se trupa duhej të kishte më shumë harmoni, ndërsa roli i Mirandolinës nuk ishte shkaku i kthimit në Shqipëri. Bashkë me Bruno Shllakun, bashkëshortin dhe partnerin e saj në teatër, aktorja synon “Antigonën”, me të cilën duan të paraqiten në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Butrint.


Kohë e gjatë nga ikja juaj drejt Greqisë. Ç’është ky rikthim i papritur i çiftit Shllaku në teatër?


Rikthimi ishte një dëshirë absolute për të ardhur sërish në teatër. Jemi larguar para 14 vitesh dhe ishte shumë e vështirë shkëputja. Nuk e di se si mund të na gjykojë puliku, kur, në fakt, ne kemi shumë pak të afërm këtu në Shqipëri. Bashkë me Brunon morëm vendimin për të ardhur vetëm për dëshirën e madhe që kishim për punën tonë. Kjo ishte e vetmja arsye për kthimin tonë.


Mos përkonte ky kthim me ftesën për shfaqjen “Mirandolina”, me të cilën u paraqitët në Festivalin e Aktrimit “Apolon 2005” në Fier?


Realisht kur erdhëm fillimisht nuk e kishim vendosur përfundimisht nëse do të qëndronim në Shqipëri, apo jo. Dhe nuk ishte kjo premierë që na bëri të qëndrojmë këtu. Kemi bërë eksperimente për shumë vite, duke u nisur gjithmonë me mendimin se kur mund të ishte momenti më i afërt i kthimit tonë. Por janë dallgët sociale që po i kalon çdo familje shqiptare dhe, përfundimi ishte një vendosmëri absolute për të qëndruar.


Projekti i parë që u bë sprovë për mua, ishte puna me një regjisor të ri, i cili kishte ardhur nga jashtë për të realizuar me aktorë shqiptarë një pjesë shumë të bukur ruse, që trajtonte probleme të rinisë sot, të ditës. Fillova menjëherë punën dhe kjo ishte një eksperiencë shumë e mirë. Në stafin e aktorëve merrte pjesë dhe një aktor nga Kosova, Shpëtim Kastrati dhe dy-tre të rinj studentë.


Isha mësuar gjithmonë me atë rolin “unë e reja në teatër, heroina”, jo se nuk isha këtu në rolin kryesor, por këtë herë kisha të bëja me një grup të rinjsh. Kjo për mua ishte një mrekulli, që më entuziasmoi, më hapi dhe më çliroi.


Mbas kësaj shfaqje erdhi “Mirandolina” e Goldenit. Kjo për mua nuk ishte e re, nuk ishte eksperiment për të luajtur në komedi. Kur kam qenë studente kam luajtur fillimisht në komedi. Ndërsa këtë rol e mora me kënaqësi dhe jo e detyruar nga fakti që tani, në kthim, duhet se s’bën të dal në skenë, që të më shohë spektatori. E mora me dëshirë dhe jo me bindje se do të bëj mrekullira, por me mendimin se diçka do të realizoj.


Janë 14 vite shkëputje nga teatri, angazhuar në një jetë sociale tjetër, megjithëse thatë se e thyet akullin e sprovës së kthimit në skenë, gjithsesi a ishte e vështirë të merrnit këtë rol protagonist, duke pasur parasysh energjinë e Goldenit?


Natyrisht që ishte e vështirë, për faktin bazë se ishte përgjegjësi shumë e madhe. Por u ktheva në Shqipëri me dëshirën e madhe për të punuar. Dhe më falni, jo për mungesë modestie, por nuk më frikëson asgjë, sepse brenda vetes ndiej një pasion të madh për teatrin, aq sa për të superuar ato vite të humbura.


Një publik, më herët, ju mban mend në dramën e njohur “Gjaku i Arbërit”. Ka qenë një teatër pedant, skematik dhe ju jeni hedhur direkt në një komedi klasike plot ngjyra, ritmike, ku janë bërë me mijëra skica interpretimi për Mirandolinën.


Në këtë thyerje kohore dhe aktoreske, çfarë transformimi keni ndjerë brenda vetes?


Do të kisha pasur dëshirë të kisha vitet te “Gjaku i Arbërit” për të luajtur Mirandolinën.


Mirandolina është një nga rolet më brilante të komedisë, që do të ishte e lumtur çdo aktore ta luante. Është një galeri interpretimi, pa fund. Mund të gërmosh në këtë personazh dhe gjithmonë ka vend për mundësi, apo alternativë interpretimi. Në fund është spektatori që gjykon, jep vlerësimin. Me këtë them se diçka kam arritur, por s’mund të them se ishte përsosmëri. E vetmja gjë që më ka bërë gjithnjë të dyshoj, mbase e kam ndjerë dhe veten pak të shqetësuar, është përshtatja e moshës.


Mbase unë mund ta ndjej veten që e luaj, sepse kam një karakter të tillë, harroj nganjëherë moshën. Ndoshta është dhe kjo që natyra e artistit fluturon nganjëherë, kjo mbase mund të jetë dhe si karakter i imi, por, pavarësisht kësaj, them se më shqetëson mosha. Pastaj mendoj se, në përgjithësi, rolin e kam studiuar, kam punuar shumë, gati si në vitet e para të punës sime.


Si përfaqësim i teatrit të Shkodrës, në festival morët shumë kritika, sidomos për problemet që kishte komedia nga ana regjisoriale dhe sa i takon ritmikës dhe freskisë së personazheve. Ju vetë çfarë do të ndreqnit nga këto kritika?


(Qesh) Paruket, sepse më shqetësuan shumë, gati më penguan në rol. Sa i takon kritikave mbi realizimin e veprës, mbase një pjesë të kritikave i takojnë regjisorit. Por, ideja ime është se regjisori ka punuar në mënyrë shumë serioze, mbi një platformë regjisoriale shumë të përgatitur. Mbase duke filluar nga unë si rol kryesor, dhe të gjithë personazhet duhet të ishim në një harmoni më të rrjedhshme, duhet të ishim më të lidhur dhe pjesët të interpretoheshin më me ritëm, për të arritur në atë orgazjen, pasi dukej sikur ishte e zbehtë si shfaqje. Ky është problem që nga fillimi, madje dhe me aktorët që kishin të bënin me rolet kryesore siç është kalorësi, markezi, konti. E kam shprehur këtë si shqetësim. Kjo më pas varet dhe nga përvoja aktoriale, ku gjithkush do të bëjë të pamundurën, por shkon aq sa është mundësia.


Cilat janë planet që synon në teatër, meqë tani e keni vendosur përfundimisht qëndrimin në Shqipëri?


Kam shumë dëshira dhe ëndrra, por mbi të gjitha dua vetëm të punoj. Nuk kam prirje regjisoriale që të mendoj të vë në skenë ndonjë pjesë. Këto prirje i ka im shoq, Bruno, ai më sugjeron pjesët dhe unë entuziasmohem pa masë, sepse e di që do të luaj, dhe kjo nuk është monopol. Shpesh kur bëjmë projekte mund të rri dhe pa gjumë deri kur të nisë realizimi. Realisht kemi shumë plane, bëhet fjalë për një projekt gjigand, për të cilin na kanë dhënë një shumë të madhe biznesmenët shkodranë, të cilët na janë përgjigjur me shumë dashamirësi. Për këtë na janë dashur të kërkojmë deri në një kile gozhdë, na janë gjendur me shumë respekt.


Sa për vete, kam dëshirë të jem intensivisht në skenë. Më pëlqen të luaj në pjesët moderne, pasi teatri ynë, sidomos i Shkodrës është marrë pak me teatrin modern. Tani duhet të hyjë kjo frymë në teatrin tonë, sepse dhe aktorët e rinj kanë nevojë të jenë më konkretë për të dalë nga ajo diku larg, kandilene, që nuk më pëlqen ta përdor dhe mbase ekziston pak në teatrin tonë. Kemi nevojë për teatrin bashkëkohor, modern, teatrin e ditës. Disa projekte në këtë drejtim i kemi me regjisorin Gëzim Kame.


Bruno Shllaku


“Antigona”, kali i betejës për teatrin e Shkodrës


Sfida më e afërt që kërkon të kapërcejë regjisori dhe aktori Bruno Shllaku, është realizimi në skenën e teatrit shkodran të tragjedisë “Antigona”, me të cilën pretendon të shkojë dhe në Festivalin e Teatrit në Butrint. Me të do të jetë dhe aktori Serafin Fanko. “I munguari pa arsye”, thotë Shllaku. Por rikthimi i tij, pas 14 vitesh në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, nuk ka shenja pesimizmi.


Pasi tani Shllaku ka akumuluar jo vetëm përvojë, por dhe energji të mjaftueshme për të ndryshuar gjendjen amorfe në të cilën ka qenë teatri i Shkodrës në këto 15 vite. Teatri i Poezisë është një rikthim i traditës së nisur në vitet ’80 nga regjisori Fanko, por tani Shllaku, përmes Fishtës, Zorbës, Pipës a Nolit, u bën thirrje kthimit intelektual në Shqipëri. Teatri simbolik i Shopenhaurit, tani është pasuruar te regjisori dhe me përvojën e teatrit klasik dhe antik grek. Për 7 vite emigracioni në Greqi, çifti Shllaku u mor me ndërtimin e teatrit për fëmijë, duke krijuar qendrën e parë teatrore për 80 mijë banorë të Nea Jonias. Ndërsa kritika që u bë për paraqitjen e komedisë “Mirandolina”, përbën një kundërpërgjigje për regjisorin Shllaku, duke u shprehur se teatri shkodran nuk do të ketë më fazën e mplakjes. Sepse në skenë së shpejti do të shfaqen një grup të rinjsh, tek të cilët Shllaku beson se do të jetë e ardhmja e teatrit shkodran.


Ju riktheheni bashkë me Paskualinën në teatrin e Shkodrës, cila ishte gjendja e këtij teatri nga koha kur e latë?


Për fatkeqësinë e madhe, jo vetëm të teatrit shkodran, por dhe të teatrove të tjerë, mund ta përshkruaj që këtu është një lloj epidemie. Gjithmonë këto epidemi kanë një vaksinim dhe, kështu kjo një ditë mbyllet dhe fillon ringjallja e jetës, ose reanimacioni i jetës. Teatri shkodran, për fatkeqësinë e madhe, është deportuar nga fjala teatër i mirëfilltë, që ka pasur aromën dhe shijen e teatrove. Sepse teatri shkodran ka qenë thembra e Akilit, duam apo nuk duam. Tani kjo ka pësuar një çarje të madhe, një tektoni me daljen në pension të regjisorit, Artistit të Popullit, Serafin Fanku. Sërish them për fatkeqësinë e madhe, për 14 vjet heshti totalisht së qeni. Nuk jam kthyer, sepse nuk jam Prometeu që vodhëm diku një flakë dhe po e ndezim prapë në tokë. Asgjëkundi nuk kemi “vjedhur flakë”, teatrin e gjetëm prap, aty ishte, pavarësisht se ishte pa gojë, memec.


Nuk janë pak 14 vite të qenit larg teatrit. A mendoni se keni humbur nga kjo largësi apo keni fituar energji për t’u kthyer prap te teatri?


Në mënyrë absolute që kemi fituar energji. Nëse kemi ikur më ’91 nga Shqipëria, si një ar me karat që matet 14-ësh, unë e quaj veten se jam kthyer në një ar që nuk di ta mas. Kjo për faktin, sepse i kemi qëndruar jashtëzakonisht pranë profesionit. Dhe në Greqi, ku kemi jetuar, me teatrin jemi marrë, pavarësisht se ishte teatër për fëmijë.


Thoni se nuk i jeni ndarë teatrit në Greqi, si mbijetuat në këtë profesion?


Kemi pasur një fat të madh që ne nuk u larguam nga Shqipëria pa ditur gjuhën ku shkojmë, të mësuar nga xhaxhai im, përkthyesi i njohur Gjon Shllaku. Kështu u përshtatëm dhe qëndruam në teatër. Atje krijuam një teatër fëmijësh, sa arritëm deri atje saqë fëmijët rrinin jashtë dhe prindërit shikonin teatër. Dhe për çudi ishte teatri i parë në një qytet me 80 mijë banorë, në Nea Jonia, afër Athinës. Aty ishte një rikthim mbrapa, por shumë interesant. Paskualina ka pasur një seancë shfaqjesh të shkruara prej meje, ku ajo ishte në rolin e Çarli Çaplinit. Me këtë rol pati një tërheqje të jashtëzakonshme të publikut. E mbajtëm gjallë atë teatër për 7 vjet. Pra, ishim dy shqiptarë që themeluam një teatër në gjuhën greke. Mirëpo, ajo gjuha greke, qëndrimi në Greqi, më ka bërë që tani të flas si Bruno, duke më dhënë një shkollë të madhe. Atë që ma kanë mohuar një herë, që nuk arrita të vazhdoj Institutin e Arteve dikur, në vitet ’79. Pikërisht këtë shkollë e mora në Greqi, falë gjuhës dhe literaturës së bollshme për teatrin që gjetëm atje.


Kur isha këtu, kam qenë i apasionuar pas Shopenhaurit dhe Bodlerit, që i përkasin teatrit të simbolikës. Mirëpo me literaturën e bollshme që nuk pata nevojë ta njoh, por i gjeta nëpër vitrina, kam krijuar një koncept të mrekullueshëm, gjë që e kurorëzuam me shumë sukses tani në teatrin e Shkodrës, që ka të bëjë me teatrin e poezisë.


Kjo do të thotë se do të riktheheni në teatrin “Migjeni” të Shkodrës me këto ide që i keni konsoliduar dhe akumuluar nga përvoja e të jetuarit në Greqi?


Janë dy gjëra që kemi konsoliduar në Greqi, jemi bërë njohës të teatrit. 14 vjet nuk ishin për ne kazëm, çekan, lopatë ose pastrues, ishte një jetë afër teatrit dhe atij teatri që është i trashëguar, gjë që as amerikanët nuk kanë mundur ta imitojnë; teatrin klasik dhe antik grek. Ne, këtyre shfaqjeve i kemi qëndruar shumë afër. Pra, kemi një përvojë të mrekullueshme, të atij teatri që për fat të mirë organizohet me mjeshtëri nga ana e Alfred Bualotit edhe në Butrint, ku bëhet një ballafaqim forcash shumë të çuditshme. Sepse dikush mund të presë që teatri i Sarandës të paraqitet me antikitetin grek, por që të paraqitet teatri i Shkodrës me këtë, kjo merr domethënie tjetër, po ashtu dhe diapazon.


Cilat janë projektet konkrete që keni të lidhur me skenën e teatrit shkodran?


Kemi një projekt përpara dhe mendoj se i ka ardhur koha, pasi po kthehen tani një e nga një njerëzit, ata që quhen gjaku i nxehtë - intelektualët, inventari i butë i një kombi. Mendoj se ka ardhur koha t’i bëjmë thirrje popullit shqiptar në të gjithë trevat ku flitet shqip, në mënyrën dhe forcën siç e ka Fishta, Mjeda, Noli, Arshi Pipa, Zorba etj. Me këto kemi përgatitur një material që u bën thirrje kudo të ndodhurit shqiptar për rikthim në identitet. Kjo do të jetë në teatrin e poezisë, por jo në atë sallën e vogël tradicionale, por do të jetë në skenë. Kjo është konceptuar e veshur në lëvozhgën e simbolizmit. Me këtë shfaqje do të shkojmë deri në Boston, të ftuar nga shoqata Çamëria. Kjo është një shfaqje, teatër poezie, por në këtë nuk do të dëgjohet poezia, nuk ka rrymën e vargut, aty gjithçka do të jetë në dialog me vargjet e Fishtës, Mjedës etj., e interpretuar në dialog nga aktorët me mizanskena, me efekte sonore. Ka veprim skenik të mirëfilltë. Kjo është aplikuar në vitet ’80 nga Serafin Fanko, me “Këngën e dhimbjes krenare” të Migjenit, që u prit me shumë sukses. Më vonë e vazhdova me materialin e Fishtës, më pas me ato të Kosovës.


Ju të dy nuk ndaheni, çfarë të përbashkët keni në realizmin e projekteve tuaja?


Kjo është fatbardhëisa e madhe. Gjithmonë kur në shtëpi hahet bukë dhe teatër, shkon mirë dhe teatri.


Përveç shfaqjes së teatrit të poezisë, cilat janë projektet për gjallërimin e jetës skenike në Shkodër, sepse në komedinë e shfaqur në Festivalin e Aktrimit në Fier, trupa e Shkodrës mori një vërejtje për “vjetërsinë e trupës”?


Regjisori Edmond Mëhilli për komedinë “Mirandolina” them se ka punuar tepër seriozisht, prandaj nuk polli komedi. Kjo është e vetmja vërejtje që kam për regjisorin. Nuk mungonte arsenali i aktorëve. Por mbetem dhe me mendimin e kritikut Josif Papagjoni, që rolet ishin përzgjedhur gabim. Përballë Paskualinës nuk duhej ai ekip, ai kalorës.


Jeni dakord dhe me faktin që nga kritika u zu në gojë, që për Shkodrën është pak e rëndë, se i mungon brezi i ri për teatrin?


Fatbardhësisht kjo do të mbetet si një thënie e thënë në Fier. Shkodra është e mbushur me talente dhe unë po përpiqem fuqimisht, deri tani, ku kam përzgjedhur një trupë djem e vajzash të reja, për të cilët mendoj se do të jenë një befasi në të ardhmen e teatrit. Për këtë jam i bindur.


Aktori Serafin Fanko është shprehur shpesh se teatri i Tiranës ka qëndruar indiferent. Ky aktor gjithnjë ka interpretuar gati si i vetmuar, madje dhe larg publicitetit të medias. E përmendët dhe më parë, do të keni bashkëpunim me aktorin Fanko?


Pavarësisht se vij nga një thënie krejtësisht e vërtetë, që jam një “bir i artit”, fillimet e mia ia kushtoj babait tim, “Artistit të Popullit”, Lec Shllaku. Por, kur mbërrita në moshën e pjekurisë, që e kuptoja se unë e kërkoja skenën, se ajo ndoshta nuk kishte nevojë për mua, këtë ia dedikoj aktorit Serafin Fanko. Ai është një aeroplan mbajtëse që çan oqeanet me idetë, guston dhe shijet e tij, me punën që bën me aktorët. Ai është një gjigandier dhe jam i bindur se, sikur ta kishte një teatër, Serafin Fanko nuk do të kishte këtë pauzë të gjatë. Pikërisht, ai është një mbështetje sërish e fortë për mua, kemi shumë plane, që nuk mund t’i deklaroj. Por tentativa jonë është që këtë aktor ta fusim edhe një herë në rrjedhën e jetës së skenës, sepse është një mungesë e madhe. Dhe e them me bindje se është një mungesë pa arsye.


Gjithashtu, bashkë me Serafin Fankon kemi një projekt për Festivalin e Butrintit për “Antigonën”. Ky është i vetmi kal i betejës, kush nuk kalon këtë teatër, ai nuk ka hipur në kalë, por në kërriç. Temperamenti i kësaj tragjedie do të jetë i çuditshëm ‘ala Mirush Kabashi’, Paskualina Grudën dhe Drita Krasniqin. Mendoj se do të jetë një trio e mirë.