11/03/2011  Historia e patriotit Sefer Efendi Kazazi, si u dënua me burgim të përjetshëm


DURRES- Pak para se të shkosh tek godina disakatëshe e gjykatës dhe Prokurorisë së Durrësit gjendet një rrugicë që shtrihet në të majtë të rrugës dhe rrugica vijon të gjarpërojë drejt kodrës së qytetit. Ndërtimet e shumta, gardhet, avllitë e kanë detyruar rrugicën të bëjë zigzage deri në mesin e kodrës për të humbur më pas në mesin e shtëpive. Rruga mban emrin e një personazhi historik të shekullit 19, 20 Sefer Efendi Kazazi. Banorët në të vërtetë e njohin lagjen dhe rrugën me emërtimin toponimik Sefer Efendiu “Jam i Sefer Efendiut,”, “E kam shtëpinë tek Sefer Efendiu”, “Kam lindur te Sefer Efendiu”, “Takohemi te Sefer Efendiu” etj. Këtu janë vendosur një nga një dhe vetëm në saj të kujdesit të Sefer Efendiut familje të mëdha e të vogla, por që të gjitha atdhetare e patriotike. Shtëpitë në faqen e kodrës, e cila për shekuj ka qenë tokë e lënë djerr dhe e mbuluar nga shkurre të dendura e pyll i vogël, u ndërtuan një nga një. Lagjja e lidhur ngushtësisht me emrin e atdhetarit Sefer Efendiu njihet gjithandej në Durrës. Disa për shkak se ajo është ndër lagjet më të hershme, të tjerë ngase është pranë qendrës dhe se këtu u shtri Durrësi në fillimet e shekullit 20. Familja Kazazi nga Tirana ka histori më vete, por Sefer Efendiu, pinjoll i këtij trungu të njohur për tregti, trimëri, qëndresë dhe inteligjencë, ia shtoi edhe më tej lavdinë. Sefer Efendiu ka lindur në Tiranë në vitin 1857. I ati i tij, Mahmud Kazazi, ka qenë oficer madhor në ushtrinë e perandorisë turke. Pasardhësit, nipërit e mbesat e Mahmud Kazazit u ushqyen me vlerat atdhetare duke u rreshtuar në anën e patriotëve dhe emrave që luftuan për pavarësinë dhe lirinë e vendit. Vrasja e një diplomati turk në Mostar të Bosnjës e bëri kolonelin e ushtrisë turke Sefer Efendiu të njohur deri në Portën e Lartë. Sulltani kërkoi kokën e tij në torbë në shenjë hakmarrje për vrasjen e funksionarit të lartë të administratës turke. Jeta e shqiptarit pas aktit të vrasjes u vendos në zgrip të greminës. Arsyet e krimit u bën shumë shpejt të njohura. Diplomati turk e fye kolonelin Sefer Efendi në kohën kur ky i fundit po këndonte këngë patriotike shqiptare në një lokal boshnjak. Belegu mes turkut dhe shqiptarit përfundoi me vrasjen e diplomatit të huaj.


Ngjarja


Sefer Efendiu në moshën 14 vjeç regjistrohet në shkollën e oficerëve në Stamboll. Dukë rrjedhur nga një familje shumë e njohur dhe me tradita në Tiranë e më gjerë Sefer Efediu detyrohet ti nënshtrohet vullnetit të prindërve për tu shkolluar. I ati, Mahmud Kazazi, kishte ndikim shumë të fuqishëm në të gjithë krahinën duke krijuar kështu edhe miqësi të forta e të qëndrueshme me fise e persona të njohur për kohën. Stambolli asokohe ishte qendër shumë e madhe administrative dhe shkollonte të rinj që vinin nga shumë vende të Botës kryesisht në artin ushtarak. Intelekti i tij i shfaqur ra menjëherë në sy ndaj për mprehtësi të treguar dhe zotësi dërgohet komandant garnizoni në Mostar të Bosnjës. Sundimi turk ishte ende i fuqishëm dhe i plotpushtetshëm edhe në Bosnjë. Këtu Sefer Efendiu martohet me një boshnjake, e cila do të vdesë pa e parë të shoqin pas internimit të gjatë përtej shkretëtirës. Këtu, në Mostar nis edhe pika e madhe e kthesës, por edhe e vuajtjeve për Sefer Efendiun, të graduar me gradën e kolonelit të ushtrisë turke. Gjatë një darke të shtruar në kohën kur qejfi kishte arrirë kulmin Sefer Efendiu fillon e këndon. Kafeneja ishte shumë e njohur në të gjithë Mostarin dhe veçohej për shkak se aty pinte kafe dhe dëfrente elita e kohës. Në lokal shërbehej me orkestër dhe pasi ndizet atmosfera Sefer Efendiu nis e këndon këngë shqipe patriotike duke i kërkuar orkestrës ta shoqërojë. Kënga nuk u pëlqye nga një i pranishëm që më pas u mësua se ishte diplomat turk. Ky i fundit përpiqet të përçmojë shqiptarin duke guxuar të shkojë deri në mohimin e kombit të patriotit Sefer Efediu. Pohimet e diplomatit turk e prekën në sedër kolonelin, i cili nuk pranon të përgojohet vendi i tij. Sefer Efendiu rrëmbimthi ngrihet në këmbë dhe pasi i kërkon beleg, duel, turkut, e godet fluturimthi me shpatën e tij. Kafeneja mbulohen në gjak, kurse Sefer Efendiu nga ky çast do të përballej me ndëshkimin e rëndë. Këtë gjë e kishte të qartë pasi prerja e kokës së një diplomati turk në perandorinë turke ishte shumë e rëndë dhe personi do të përballej me dënimin kapital. Sefer Efendiu, Kazazi, i kishte marrë parasysh të gjitha. Ngjarja e bujshme u mbyll me dënimin me vdekje të shqiptarit, dënim që dihej paraprakisht ngase vrasja ishte cilësuar shumë e rëndë. Kjo vrasje dëshmonte edhe zbehjen e pushtetit turk në rajon. Familja dhe veçanërisht prindërit e Seferit e pritën lajmin të tronditur. Ata i kishin të qarta pasojat, por e ëma vendosi të bëjë të gjitha përpjekjet për ti shpëtuar të birit jetën. Sabrija, nëna e Sefer Efendiut, ishte me origjinë arabe dhe rridhte nga një familje e pasur e kohës. Ajo u betua se do të bënte çështë e mundur për të shpëtuar të birin e bindur se djali saj nuk kishte pasur rrugë tjetër veç shpagimit për të mbrojtur dinjitetin e kombit të vet. Rruga e gjatë dhe shumë rraskapitëse për në fisin e prindërve të Sabrijes nuk e dobësoi karakterin e gruas, përkundrazi ajo e dinte se në çudhë po ecte. Që andej merr të gjithë pasurinë dhe kthehet në kullën e të shoqit për të kërkuar tani ndihmë për ndërmjetësim me Sulltanin. E ëma e të dënuarit me vdekje kërkoi së bashku me të shoqin e saj ndihmë tek Toptanët, derë shumë e njohur dhe atdhetare. Gani Toptani, adjutant i Sulltanit do të hapte dritën e shpresës për Sabrijen, e cila nuk do të kursehet për asnjë çast mjaftonte që djali i saj Seferi të mos ekzekutohej. Gruaja me origjinë nga Lindja e Mesme mundi të futet në sarajet e Sulltanit. Ajo i ka kërkuar ti falet jeta e të birit duke u përpjekur ta mbrojë Seferin. Këmbëngulja dhe argumentet e Sabrijes, si dhe shpërblimi shumë i madh që ajo afroi për të birin e bindën Sulltanin të zbusë ndëshkimin. Kështu Sefer Efendiu fitoi jetën, por jo lirinë e tij.


Dënimi


Sefer Efendiut i shpëton jeta, por dënohet me burgim të përjetshëm. Ai do ta vuante dënimin në një burg në shkretëtirën e Çadit në Afrikën e Veriut. Udhëtimi i tij nga Stambolli deri në Çad ishte tejet drobitës. Shkretëtira ishte e paanë dhe sa më larg shkonte aq më shumë shuheshin shpresat se një ditë Seferi do të shikonte viset që linte pas. I dënuar me burgim të përjetshëm atij nuk i mbetej tjetër veçse të mendonte për arratinë, e cila dukej sa e pabesuar edhe e pamundur. Në atë kamp gjendeshin shumë të burgosur, të cilët ishin treguar rebel me perandorinë turke apo kishin shkuar edhe më tej siç bëri Sefer Efendiu me punonjësin e lartë të administratës turke. Jetesa në atë vend të largët u bë shumë e paduruar dhe mendoja nisi ti punonte për tu arratisur. Për të asgjë më nuk kishte rëndësi. Ditë pas dite vështronte me sy të mprehtë lëvizjet e “gardianëve”, terrenin, ndërrimin e rojeve, pikat e kontrollit të fortë, vendqëndrimin e ushtarakëve dhe të tjera detaje të rëndësishme për misionin. Seferi e kurdisi në mendje idenë dhe një natë guxoi të kapërcente nga izolimi pa u vënë re. Eci nëpër rrugën e gjatë pa ndonjë orientim të saktë e të qartë deri sa pas disa ditë rrugëtimi lodhet dhe bie në mes të rrugës. Etja dhe uria e kishin këputur. Fati e deshi që në ato çaste, në atë rrugë e cila rrihej fare pak për të mos thënë shumë rrallë, kaluan disa të huaj. Ata u kujdesën për të dhe pasi Seferi vjen në gjendje niset së bashku me të huajt. Kthehet në Evropë dhe pas qëndrimit të shkurtër në Angli niset për në Shqipëri. Dënimi i Sefer Efendisë kishte mbaruar edhe pse turku e kërkonte kokën e tij, ndërsa Seferi ishte betuar të mos binte më në dorë të Sulltanit.


Nënshkroi Pavarësinë


Familja Kazazi ishte e njohur për qëndrime atdhetare e patriotike. Edukatën e parë e mori nga prindërit, Mahmudi e Sabrija, por më pas shkollimi dhe ndjenja e krenarisë për vendin e tij e bënë edhe më të pjekur. Ikja nga Afrika e bëri edhe më të ndërgjegjshëm për tiu përkushtuar frymës atdhetare. Ai përfshihet në lëvizjen antifashiste dhe dalë nga dalë do të luajë një rol kyç në ngritjen e flamurit në Durrës dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Gjatë izolimit në burgun e Çadit mësoi nga kultura e bujqësisë dhe kjo do e ndihmonte të bënte pjellore tokën e kodrës së Durrësit, të cilën e administroi. Mbolli pemë dhe hapi puse duke i dhënë kodrës gjelbërim dhe jetë, ndërsa e populloi këtë pjesë të qytetit, ku sot është lagjja numër 2, me banorë të ndershëm e patriotë. Kthimi në Shqipëri u shoqërua edhe me martesën e dytë të Sefer Efendiut, i cili kishte humbur të shoqen boshnjake në kohën që ishte degdisur në burg të përjetshëm. Marrëdhëniet e tij me qytetarët ishin modeli më i mirë, por edhe qeverisë Sefer Efendiu i shlyente të gjitha detyrimet. Emri i tij cilësohet si figurë shumë e njohur atdhetare edhe për shkak të lidhjes me figura shumë të njohura kundër pushtuesit turk. Ndër nismat e tij dhe të të tjerëve patriotë janë edhe shpërndarja e librave nëpër qytete të ndryshme për fëmijë dhe të rritur me qëllim që ata të mësonin gjuhën shqipe. Roli i Sefer Efendiut në themelimin e pavarësisë së vendit është ai i grupit të shquar të patriotëve shqiptarë. Sefer Efendiu do të jetë në listën e 31 përfaqësuesve të popullit të Durrësit në nënshkrimin e pavarësisë së Durrësit. Emri i tij është vendosur në krah të figurave si Neki Libohova, Afiz Ali Podgorica, Sabri Dermani etj. Sefer Efendiu njihej në Durrës jo vetëm si tregtarë shumë i zotë, por edhe patriot i dëgjuar që ndihmoi edhe në pavarësinë e vendit në Vlorë.