Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar pedagogët dhe studentët e Universitetit Ismail Qemali të Vlorës e kanë bojkotuar mësimin dhe auditorët kanë qenë bosh. Ndërkohë që në vende të dukshme të godinave ishin varur banderola me kërkesat kryesore të pedagogëve, nëpër autoporlantë shpërndahej muzikë partizane dhe ushtarake. Sipas Eustrat Zhupës, zëvendës rektor i universitetit, kërkesat janë të qarta dhe të përsëritura ndaj MASH-it. Pedagogët kërkojnë



 promovimin e stafit pedagogjik, që universiteti të këtë të drejtën të japë titullin Profesor i Asociuar, sepse i përmbush të gjitha kriteret ligjore për këtë. E vetmja gjë që tani e privon nga kjo e drejtë është mungesa e një Vendimi të Këshillit të Ministrave të cilën ju u zotuat në takimin e zhvilluar me delegacionin e UV se do t'a realizonit përpara Janarit të 2010; programet e reja, për të cilat propozimet janë dërguar në MASH në mars të vitit 2009. Këto programe janë tërësisht të reja dhe cilësore. Përmbajtja e tyre është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe del jashtë kornizave dhe interesave të personave të veçante. Miratimin e programeve të reja; ambientet e reja dhe vendë punë të reja: Prej kohesh kemi kerkuar ambiente të reja dhe rritjen e organikës. Tani kjo bëhet jetike për të lehtësuar situaten shumë të rënduar që është krijuar pas pranimit "të detyruar" të studentëve që nuk plotësonin kriteret për studim në Universitetin e Vlorës. Kemi më tepër se një vit që kemi kërkuar me ngulm një tokë për të krijuar aty Kampusin tonë që do i hapte rrugën një perspektive shumë pozitive për Universitetin e Vlorës. Nuk kemi marrë përgjigje dhe nuk dimë ku kanë përfunduar kërkesat tona, thuhet në peticionin e pedagogëve. Nëse kërkesat e sipërpërmendura nuk plotësohen, pedagogët e Universitetit të Vlorës, do të bojkotojnë plotesisht mësimin deri në përmbushjen e tyre.  V. Sako