Qeveria miratoi dje koeficientet e indeksimit të pagave nga viti 1994 deri në 2010-n. Këto koeficiente do të përdoren në përllogaritjen fillestare të pensioneve që fillojnë nga 1 janari i këtij viti. Indeksimi i pensioneve bëhet sipas procedurave dhe koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit përkatës. Ndërsa rillogaritja e masës së pensionit dhe indeksimet bëhen në bazë të pagave të dokumentuara e të paraqitura në dosjen individuale të pensionit dhe mbi të cilat është caktuar masa e pensionit fillestar. Për rillogaritjen e pensioneve rillogaritet baza e vlerësuar dhe u indeksohet paga neto. Paga neto e tri viteve rresht në dhjetë vitet e fundit të punës rillogaritet duke përdorur të njëjtat koeficiente indeksimi, si dhe për rillogaritjen e bazës së vlerësuar. Masa e re e pensionit e rillogaritur sipas vendimit rritet radhazi sipas përqindjeve të rritjes së pensioneve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave për rritjen e pensioneve. Masa e pensionit që rezulton pas rillogaritjeve dhe zbatimit të rritjeve është masa përfundimtare e pensionit individual. Përveç pensioneve, qeveria indekson çdo vit edhe pagat për efekt të llogaritjes së pensioneve. Sipas asaj që është përcaktuar tashmë, janë miratuar koeficientet e indeksimit të pagave për llogaritjen fillestare të pensionit që nga viti 1994 deri në vitin 2009. Ligji Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë përcakton se shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. LLOGARITJA Për të llogaritur se sa do të jetë shuma fillestare e pensionit, nevojitet paga mesatare mujore e tr iviteve në 10 vitet e fundit të punës, si dhe koeficientet e indeksimit. Kështu, shuma e pensionit llogaritet me 75 për qind të pagës neto mesatare të tre viteve rresht në 10 vitet e fundit të punës. Këta tre vjet pune shumëzohen me koeficientet përkatës të viteve që merren për llogaritje. Gjithashtu specialistët e pensioneve shpjegojnë se koeficientet e indeksimit nuk kanë ndikim për rritjen e pensioneve, siç pretendojnë pensionistët, por janë të vlefshme vetëm për personat që dalin për herë të parë në pension. Sipas tyre, indeksimi i pensionit është i vlefshëm për ata persona që dalin për herë të parë në pension, dhe jo për ata që përfitojnë pension dhe pretendojnë për rritje. Ekspertët e pensioneve theksojnë se rritja e pensioneve nuk varet nga këto koeficiente, por nga vendimet që merr qeveria për rritjen e tyre. Llogaritja e pensionit kryhet nëpërmjet masës së kontributeve që të gjithë pensionistët duhet ti paguajnë çdo fund viti. Për llogaritjen e pensionit, pensionistët duhet që përqindjen e rritur për vitet e sigurimit ta shumëzojnë me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Ky është një nga nenet ku përcaktohet edhe detyrimi i Këshillit të Ministrave për të indeksuar çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara. Ky koeficient do të shërbejë njëkohësisht edhe për indeksimin e pagës neto mesatare.


KOEFICIENTET 1994-2010


Për vitin 2010    1.00

Për vitin 2009    1.01

Për vitin 2008    1.04

Për vitin 2007    1.11

Për vitin 2006    1.04

Për vitin 2005    1.02

Për vitin 2004    1.12

Për vitin 2003    1.10

Për vitin 2002    1.09

Për vitin 2001    1.14

Për vitin 2000   1.07

Për vitin 1999    1.09

Për vitin 1998    1.05

Për vitin 1997    1.22

Për vitin 1996    1.09

Për vitin 1995    1.37

Për vitin 1994    1.32


NERTILA MAHO