Naim HASA* Në muajin dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr.10197, datë 10.12.2009 “Për Fondet e Pensioneve Vullnetare”. Parë në këndvështrimin e zhvillimit të tregut të pensioneve, miratimi i këtij ligji, sjell një sërë avantazhesh në raport me ligjin e mëparshëm. Ky ligj, me dëshirën e mirë për të zhvilluar fondet private të pensioneve, bën një ndryshim rrënjësor në fushën e organizimit, administrimit dhe funksionimit të fondeve private të pensioneve, duke rritur sigurinë, garancinë e këtyre fondeve dhe si rrjedhim interesin ndaj tyre.Në këtë aspekt, ky ligj sjell disa ndryshime pozitive në tregun e pensioneve private;Së pari. është një ligj bashkëkohor që reflekton eksperiencën, tashmë disa vjeçare të zbatimit në praktik të ligjit të pensioneve në disa vende të Evropës Lindore. Më konkretisht të Polonisë, çekisë, Sllovenisë, të Maqedonisë, si dhe eksperiencën e pakët të zhvillimeve në vendin tonë.Ky ligj rregullon veprimtarinë e Fondit të Pensionit Vullnetar me kontribute të përcaktuara, me plan individual dhe profesional, ku një plan pensioni mund të ketë më shumë se një produkt (pension).Funksionimi i këtij ligji, nga pikëpamja e administrimit kalon në tre nivele.Niveli i parë: Fondi i Pensionit, i cili përbëhet nga një grup asetesh në pronësi të anëtarëve të fondit, krijuar mbi bazë kontratash, ku secili anëtar ka pjesën e tij. Në asetet e fondit përfshihen kontributet e derdhura dhe fitimi neto i realizuar nga investimi i tyre. çdo anëtar ka një kuotë që përfaqëson pjesën e pronësisë së tij, në asetet e Fondit të Pensionit.Sipas Ligjit, kemi dy lloje fondesh pensioni.A) Fondi i Pensionit Vullnetar, që përfaqëson bashkësinë e individëve fizikë, të cilët mund të marrin pjesë në një apo disa plane pensioni. Në këtë rast, midis individit dhe Shoqërisë Administruese të Fondit të Pensionit lidhet një kontratë, ku përcaktohen kushtet dhe detyrimet që kanë palët, për të përfituar  pension vullnetar.Pjesëmarrës në një Fond Pensioni, mund të jetë çdo individ, pavarësisht nga vendbanimi, mosha, madhësia e kontributit, etj., vetëm pasi ka lidhur më parë kontratën me Fondin.Anëtari i Fondit të Pensionit ka të drejtë:të marrë pensionin mujor vullnetar, 5 vjet përpara se të mbushë moshën për pension sipas ligjit “Për Sigurimet Shoqërore”;te marrë pensionin mujor vullnetar, kur bëhet i paaftë në punë në mënyrë të përhershme;kur largohet nga jeta para mbushjes së moshës së pensionit, trashëgimtarët përfitojnë asetet e akumuluara;Kur dhe në çdo kohë që dëshiron të bëjë tërheqje të parakohshme.Të transferojë në çdo moment, asetet e tij në fonde të tjera pensioni.B)Fond Pensioni Profesional: që përfaqëson dëshirën e punëdhënësit privat ose shtetëror, të sigurojë tek një Fond Pensioni punonjësit e tij, me një plan pensioni profesional. Në këtë rast, midis punëdhënësit dhe Shoqërisë Administruese të Fondit të Pensionit lidhet një kontratë aderimi, ku specifikohen kushtet që duhet të plotësojnë të dy palët, emrat e personave që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, masa e kontributit mujor, afati kohor, etj. Në këtë rast, pjesëmarrja në planin e pensionit, mund të jetë trellojshe; kolektive, individuale dhe e kombinuar. Plan Pensioni Kolektiv: ku punëdhënësi obligohet të paguajë tërësisht kontributet për pension vullnetar në emër të punonjësve të tij. Në këtë rast, midis punëdhënësit dhe punëmarrësve lidhet një kontratë, aneks e kontratës së punës. Në aneks kontratë specifikohen kushtet që punëmarrësi duhet të plotësojë në marrëdhëniet e punës, për të përfituar nga marrëveshja e aderimit.Plan Pensioni Individuale, ku punëmarrësit marrin përsipër të paguajë gjithë kuotën e kontributit për pension vullnetare nga të ardhurat e tyre personale.Plan Pensioni i Kombinuar, ku kontributet për pension vullnetar paguhen pjesërisht nga punëdhënësi, pjesërisht nga punëmarrësi, në përqindje sipas dëshirës. Edhe në këtë rast, midis punëdhënësit dhe punëmarrësve për pjesën e punëdhënësit lidhen aneks kontrata.Niveli i dytë. Shoqëria Administruese. Sipas ligjit, Fondi i Pensionit Vullnetar do të administrohet nga Shoqëria Administruese, e cila themelohet si shoqëri aksionere, në përputhje me ligjin “Për Shoqëritë Tregtare”. Shoqëria për të administruar një ose disa plane pensioni, duhet të licensohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Për këtë duhet të plotësojë disa kërkesa kryesore:Shoqëria administruese duhet të themelohet si shoqëri aksionere me kohëzgjatje të pakufizuar, ku jo më pak se 51% e aksioneve, të zotërohen nga një bankë ose institucion financiar.Shoqëria Administruese duhet të ketë një kapital minimalisht prej 15.625 mijë lekë. Kur vlera e aseteve kalon 31.2 miliardë lekë, kapitali duhet rritur me 0.02 % të vlerës së aseteve.Shoqëria Administruese duhet të ketë si funksion kryesor mbledhjen e kontributeve dhe investimin e tyre. Por, në raste të veçanta, kjo shoqëri ka të drejtë të kryejë edhe veprimtarinë e administrimit të Fondeve të Investimit dhe të Aseteve të Fondit të Pensionit, me kusht që të jetë licencuar për këtë veprimtari nga Autoriteti.Shoqëria Administruese duhet të administrojë Fondin e Pensionit Vullnetar me një kosto që nuk kalon 3% të aseteve të Fondit.Niveli i tretë. Depozitari, është një bankë e licencuar nga Banka e Shqipërisë për të ofruar shërbime kujdestarie e miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me propozim të Shoqërisë Administruese.Depozitari është gjithashtu përgjegjës për ruajtjen e aseteve të fondit. Ai ka këto detyra kryesore:Informon periodikisht mbi vlerën neto të aseteve, Shoqërinë Administruese;Kontrollon administrimin e aseteve nga Shoqëria Administruese, në është në përputhje me legjislacionin në fuqi;Siguron që transaksionet e kryera nga Shoqëria Administruese, t’i kthehen Fondit;Siguron që të ardhurat e fondit shpërndahen sipas kontratave dhe legjislacionit në fuqi;Së dyti, Ligji i ri, bën më të interesuara palët pjesëmarrëse në plane pensioni vullnetar. Si aderuesit, ashtu dhe përfituesit favorizohen nga ana fiskale.Lehtësirat tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit.Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.Fitimi që realizohet nga investimi nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese.Kontributet e bëra nga punëdhënësi, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale.Kontributet e paguara nga anëtari nuk përfshihen në totalin e të ardhurave për qëllime të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.Blerja e kuotave të një fondi pensioni konsiderohet shërbim financiar dhe si rrjedhojë është e përjashtuar nga TVSH-ja.Shërbimet e ofruara nga Depozitari për shoqërisë administruese dhe anëtarët e saj, konsiderohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë janë të përjashtuara nga TVSH-ja. 2.Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi.Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni, konsiderohet si shpenzim i zbritshëm në llogaritje të tatimit mbi fitimin. Së treti, ligji i ri përcakton disa detyra për fondet ekzistues të pensioneve private, të detyrueshme për t’i zbatuar brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij, kështu;Institutet ekzistuese të pensioneve, të licencuara në përputhje me ligjin nr.7943, datë 1.6.1995 “Për Pensionet Suplementare dhe Institutet Private të Pensioneve” do të vazhdojnë të punojnë sipas kushteve që janë licencuar.Institutet ekzistuese, brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të ri, duhet të plotësojnë kushtet e parashikuara në dispozitat e këtij ligji. Pas plotësimit të kushteve dhe brenda vitit nga hyrja ne fuqi e tij, duhet të bëjnë rinovimin e licencës së re.Nëse institutet ekzistuese nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligje ose nuk bëjnë rinovimin e licencës së re brenda vitit nga hyrja në fuqi e tij, licenca e dhënë nuk është më e vlefshme, nga dita e marrjes së vendimit të Autoritetit. Në këtë rast, Autoriteti urdhëron Institutin ekzistues t’i transferojë asetet në një Institut tjetër Pensioni të licencuar, ose me dëshirën e anëtarëve të bëjë likuidimin e tyre.Përfundimisht mund të themi se ligji i ri “Për Fondet e Pensioneve Vullnetare”, do t’i japë një zhvillim të ri pensioneve private në Shqipëri.  I rëndësishëm është edhe fakti se gjatë diskutimit e miratimit të këtij ligji, është evidentuar nevoja e domosdoshme e zhvillimit të sistemit të detyruar privat të pensioneve.Sistemi shtetëror i sigurimeve shoqërore ka problematikën e vet. Në kushtet kur ritmet e lindjes po bien dhe jetëgjatësia mesatare po zgjatet, sistemi i sigurimeve shoqërore, po shkon gjithmonë e më shumë drejt pamundësisë së plotësimit të kërkesave financiare për pjesën e popullsisë së “moshës” së tretë. Mjafton të përmendet një fakt, shkalla e zëvendësimit që përfaqëson raportin midis pensionit mesatar dhe pagës mesatare, aktualisht sot ajo është jo më shumë se 30 %, kundrejt jo më pak se 70-75 % që është detyrimi ligjor. E gjithë kjo hapësirë, duhet të kompensohet me skemat private të pensioneve.Duke ju referuar eksperiencës së zhvillimit të sistemeve të pensioneve, veçanërisht në Evropën Lindore, pas viteve ‘95, vërehen lehtësisht dy tendenca ose dy modele, të ndërtuar në mbështetje të kushteve konkrete të çdo vendi.Modeli i parë dhe më i përgjithshmi, sistemi i pensioneve përbehet nga tre skema.Skema e pare - një sistem shtetëror i detyrueshëm, PAYG i cili mbulon deri në 35-40% të shkallës së zëvendësimit, nëpërmjet kontributeve që çdo person që ka aktivitet ekonomik duhet të paguajë në këtë skemë.Skema e dytë - sistem privat i detyruar, ku një pjesë e  kontributit të përgjithshëm i kalon kësaj skeme dhe menaxhohet nga Fondet Private të Pensioneve. Kjo skemë mbulon 20-25% të pensionit. Skema e trete - sistemi vullnetar privat, i cili  mbulon 10-15% të pensionit. Këtë model e gjejmë në Poloni, Bullgari, Hungari, Kroaci, Estoni, Rumani, Sllovaki, Maqedoni, etj.  Modeli i dytë është ai ku, sistemi i përgjithshëm përbëhet nga dy skema pensioni - nga një skemë bazë shtetërore e konsoliduar mirë, e cila do të përballojë 55-60% të pensionit dhe një skemë e sigurimit privat vullnetar të zhvilluar, duke i krijuar mundësinë, nëpërmjet lehtësirave fiskale të gjithë popullsisë aktive të përfshihet në të, e cila mbulon 15-20% të pensionit. Këtë sistem të mirëadministruar e gjejmë në çeki, Slloveni etj. Mendoj se drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare, futja graduale e sistemit tre kolonësh do ishte efikase, por do të kërkonte disa modifikime dhe përmirësime të ligjit bazë të pensioneve.Problematika e sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe ajo e pensioneve në veçanti, është mjaft e gjerë dhe komplekse, kjo për faktin se me to është e lidhur direkt dhe indirekt e tërë popullsia. Mendoj se hapi i parë, me këtë ligj është ndërmarrë, por ai ka nevojë të shoqërohet me masa te tjera të rëndësishme që do të mbështesnin zhvillimin e këtij tregu në Shqipëri.*Drejtor i Përgjithshëm i Pensioneve CAPITAL