Qeveria miratoi, gjatë mbledhjes, së djeshme vendimin për përcaktimin e rregullave për mënyrën e shitjes së pasurive të presidentëve të ish-firmave piramidale. Nëpërmjet këtij vendimi qeveria kërkon rritjen e përqindjes për dëmshpërblimin e kreditorëve që kanë humbur paratë në këto firma. Vendimi parashikon që shitja e objekteve apo e pasurive të ish-presidentëve të këtyre firmave e të pjesëtarëve të familjeve të tyre të bëhet në lekë dhe në valutë të huaj. Shitja e pasurive do të realizohet nëpërmjet ankandit, i cili do të organizohet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, në bashkëpunim me administratorët e shoqërive huamarrëse. Vendimi i qeverisë favorizon kreditorët që të blejnë pasuritë e firmave piramidale në të cilat ata kanë depozituar paratë e tyre. Nga ana tjetër, vendimi përjashton mundësinë e blerjes së pasurisë nga persona të tretë të autorizuar nga pronarët e këtyre firmave.

Ankandi

Në bazë të vendimit të qeverisë, administratori saktëson me konsulentët juridikë pronësinë e pasurisë që do të shitet, si dhe cakton grupin e vlerësimit të pasurisë për çdo element të veçantë. Ky grup, i përbërë nga ekspertë të fushës, përgatit një raport vlerësimi. Ky raport publikohet nga administratori vetëm kur hapet ankandi. Komisioni i ankandit përbëhet nga përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, administratori i shoqërisë huamarrëse, juristi i shoqërisë huamarrëse, të cilët kanë të drejtë vote. Po kështu, pjesë të komisionit pa të drejtë vote janë sekretari i DASHPP-së, i cili mban procesverbalin e ankandit, si dhe të ftuar nga grupi mbikëqyrës i shoqërive huamarrëse me statusin e vëzhguesit. Komisioni i ankandit regjistron dhe verifikon pjesëmarrësit në ankand, dokumentacionin e personave, identitetin e tyre, prokurat e veçanta të përfaqësimit si dhe drejton marrjen e ofertave. Komisioni verifikon në shoqëritë huamarrëse, nëse personat që marrin pjesë në ankand janë ose jo kreditorë të ndonjë subjekti kontrolli. Në bazë të vendimit parashikohet që pjesëmarrësit në ankand duhet të paraqesin pranë komisionit të ankandit formularin e plotësuar me ofertën për asetin që ata do të blejnë. Pjesëmarrësit në ankand duhet të kenë gjithashtu mandatin bankar, i cili vërteton shumën e depozitës për blerjen e pasurive që do të shiten. Deklaratën me shkrim për llogarinë bankare që disponon, apo sasinë e mjeteve monetare, cash. Dokumentin e depozitimit, nga çdo pjesëmarrës, të së paku 20 për qind të shumës, për të cilin ai konkurron, në lekë ose valutë të huaj, në llogarinë e shoqërisë huamarrëse përkatëse. Komisioni që organizon ankandin duhet të publikojë në media ditën dhe orën e saktë dhe vendin ku zhvillohet ankandi.

Fituesit

Fitues i ankandit shpallet pjesëmarrësi që ofron çmimin më të lartë. Në të gjitha rastet, pasuritë e shoqërive huamarrëse në administrim nuk lejohen të shiten nën çmimin e raportit të vlerësimit, të përcaktuar nga ekspertët vlerësues. Pjesëmarrësve të tjerë u kthehet 20 për qind e shumës së paguar paraprakisht për konkurrimin në ankand.

Nëse aseti nuk shitet pas zhvillimit, tri herë radhazi të ankandit, atëherë DASHPP-ja, në bashkëpunim me administratorin e shoqërisë huamarrëse, marrin vendim për të bërë rivlerësimin e asetit nga grupi i ekspertëve vlerësues. Vendimi i qeverisë favorizon kreditorët që të futet si blerës i parë për pasuritë e shoqërisë huamarrëse, ku ai ka depozituar vlerat e tij financiare, kur ndërmjet një a më shumë kërkuesve, pjesëmarrës në ankand, janë ofruar çmime të barabarta blerjeje. Kur komisioni i ankandit vëren se ofertat e paraqitura për çmimin e blerjes së pasurive janë të njëjta me ato të kreditorit apo të një grupi të kreditorëve, shpall fitues kreditorin që ka paraqitur kërkesën për blerjen e pasurisë. Personi, fizik a juridik, që shpallet fitues i ankandit, duhet të paguajë çmimin e plotë të blerjes, nëpërmjet bankës, në llogarinë e shoqërisë huamarrëse përkatëse. Në rast se fituesi i ankandit, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes fitues, nuk paguan vlerën e plotë të pasurisë që shitet, ai e humbet të drejtën e blerjes. Vlera 20 për qind, e paguar paraprakisht, nuk kthehet. Vendimi parashikon që në rast se pasuritë blihen nga persona të tretë të autorizuar nga pronarët e këtyre firmave, pasuritë rivihen në shitje dhe vlerat e shitjes së tyre nuk i rikthehen blerësit, por kalojnë në favor të kreditorëve.







Miratohet fondi për pagesat e punëtorëve të ish-Kombinatit të Tekstileve në Tiranë



Qeveria miratoi, gjatë mbledhjes së djeshme, fondin prej 9 600 000 lekësh për likuidimin e pagave dhe të detyrimeve të prapambetura për punonjësit e ndërmarrjes shtetërore, ish-Kombinati i Tekstileve, Tiranë. Ky fond përfshin pagat e prapambetura, sigurimet, shoqërore e shëndetësore, si dhe tatimin mbi pagë për periudhën prill-dhjetor 2006, si dhe vitet 2007 e 2008. Fondi prej 9 600 000 lekësh do të përballohet nga buxheti i investimeve i vitit 2008, programi “Strehim dhe urbanistikë”, i miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.





25 Dhjetor 2008