Fabiola Çela

Në mbledhjen e parë të KRRTRSH-së, pas përfundimit të fushatës janë miratuar një sërë projektesh për ndërtimin e HEC-ve, të mesëm dhe të vegjël, studime për zona banimi në bregdet dhe kryeqytet, si dhe disa projekte për zona industriale. Gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së është miratuar studimi për zonën turistike të Gjirit të Lalzit. Gjithashtu është miratuar edhe masterplani për zonën energjetiko-industriale të Porto Romanes.
Vendimet
Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka miratuar masterplanin për zhvillimin e integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanes, në Durrës. Studimi parashikon një zonë prej më shumë se 800 hektarësh, ku përveç depozitave te naftës do të ndërtohen disa vepra industriale, ndër të tjera dhe një tec. Për Kryeministrin Berisha ky projekt do ta shndërrojë Porto Romanon në një nga zonat industriale më të fuqishme të vendit. “Kjo, do të jetë zona më e fuqishme industriale e vendit, që do të gërshetojë një nga nyjet energjetike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Ballkanit dhe një nga zonat industriale më të fuqishme të zhvillimit të vendit”, tha kreu i qeverisë Sali Berisha. Gjatë mbledhjes së djeshme, ai ka kërkuar që krahas studimit ekzistues të bëhet edhe një studim tjetër, për të përcaktuar kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë apo qymyr, të cilat, mbi këto kapacitete, prodhojnë ndotje nën kufijtë e lejuar. “Ka një studim që bën një farë vlerësimi dhe përcaktimi se në çfarë shkalle mund të ndërtohen termocentralet, ç’kapacitete mund të ndërtohen, por kërkohet dhe është e domosdoshme që të bëhet një studim për të përcaktuar kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë, qymyr, të cilat, mbi bazën e këtyre kapaciteteve, prodhojnë edhe një ndotje që nuk mund të jetë kurrë ndryshe, veçse nën kufijtë e lejuara”, tha ai. Po ashtu, një tjetër vendim që u miratua dje ishte ai për studimin e zonës turistike të Gjirit të Lalzit, në qytetin e Durrësit. Në këtë zonë sapo ka përfunduar edhe ndërtimi i rrugës. Në mbledhjen e djeshme, KRRTRSH-ja ka miratuar edhe vendimin për planin turistik të Orikumit, të cilin Kryeministri e quajti një investim gjigand.  Ndërkohë në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet për miratimin e lejeve të ndërtimit të katër fabrikave të prodhimit të çimentos. “Ne do i miratojmë ato, por vendimi do të zbardhet vetëm pasi të kemi në dorë studimin serioz mbi efektin e tyre. Kam bindjen më të madhe se adaptimi i teknologjive moderne dhe marrja e të gjitha masave për zvogëlimin e ndotjes, i bën ato plotësisht të mundshme”, u shpreh Kryeministri Berisha.


vendimet e KRRTRSH

Sheshi i ndërtimit për Hidrocentralin Ashtë, në komunën Bushat, Qarku Shkodër.

Shesh dhe leje ndërtimi për depozitat e karburantit në Porto Romano, për shoqërinë “Anoil”

Studim urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin “Kompleks rezidencial banimi me 2,3 dhe 4 kate, me sipërfaqe 21216 m2 në fshatin Lundër, komuna Farkë. (vendimi do të zbardhet pasi në të përfshihet ndërtimi i kampusit universitar)

Masterplani për zhvillimin e integruar të zonës energjike dhe industriale të Porto Romanos, në Durrës, infrastruktura dhe konturet e saj.

Shesh ndërtimi për objektin e “Hidrocentralit Lura 1, Lura 2 dhe Lura 3”.

Studim urbanistik pjesor për Park Logjistik Industrial, në Laknas, qarku Tiranë.

Shesh ndërtimi për fabrikë prodhimi, paketimi dhe tregtimi për produktet blegtorale në fshatin Pezë e Vogël, komuna Pezë.

Shesh ndërtimi për objektin “Tirana Business Park”, më sipërfaqe 2.1 hektarë, në komunën Prezë.

Leje për Shesh ndërtimi për godinën 1,2,3 dhe 5 kate me destinacion hotel, me 1 kat parkim nëntokë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. (hotel Hilton, Prezë, me investitor “Albanian Hospitality”.

 Studim urbanistik pjesor, shesh dhe leje ndërtimi për pastrimin mjedisor të Uzinës së Sodë-PVC.

Studim urbanistik i zonës Qesarakë, në komunën Dajt, në qarkun Tiranë.

Studim urbanistik i zonës me përparësi zhvillimin e turizmit Rradhimë – Orikum.

Detyra e projektimit, studim dhe shesh ndërtimi për “Fabrikë riciklimi të mbetjeve plastike, në fshatin Bitinskë, komuna Bilisht”

Studim Urbanistik Pjesor, në fshatin Hamallë, të zonës kadastrave 1925, me sipërfaqe 43.69 hektarë, në Bashkinë Sukth, inv.”Mane TCI” dhe “CSS Property Partners LP”.

Studim urbanistik pjesor, në zonën 13/E dhe 13/D, në zonën turistike Gjiri i Lalzit.

Studim urbanistik pjesor, në territorin me sip. 15.5 ha, në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.

Studim urbanistik pjesor, në territorin me sip. 9.3 ha, në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.

Studim Urbanistik pjesor në fshatin Lanabregas, komuna Dajt.

Detyra e projektimit dhe studimi urbanistik për zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e bregut në hapësirën bregdetare Derdhja e Vjosës- Hidrovori