Ministria e Arsimit publikon përgjigjet e provimeve me zgjedhje. Pas përfundimit të këtyre provimeve, dikasteri i Shkencës ka renditur në lista përgjigjet e pyetjeve të testit, sipas variantit, A, B dhe duke dhënë përgjigjet në skemën përbri.



Dje u zhvillua në të gjithë vendin provimi i fundit i Maturës Shtetërore 2009. Këtij provimi iu nënshtruan vetëm nxënësit që kanë kaluar dy provimet e detyruara dhe duan të vijojnë studimet universitare. Provimi zgjati katër orë dhe u zhvillua nën mbikëqyrjen e 2700 administratorëve. Në provim morën pjesë 39570 maturantë. Korrigjimi i testeve do të bëhet ditën e diel më 12 korrik, në katër qendra të vlerësimit: Tiranë, Shkodër, Fier dhe Elbasan. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2009 përmbanin për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative, 10 pikë, dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim, 30 pikë. Në tabelat e mëposhtme do të gjeni përgjigjet e testeve për lëndët me zgjedhje më tepër të kërkuara.



Vlerësimi



Rezultatet e këtyre provimeve do të dalin jo më vonë se 2 javë pas ditës së provimit, në datë 24 korrik 2009.



Ashtu si edhe në provimet e lëndëve të detyruara, dy ditë më parë, në orën 22:00, filloi shpërndarja e testeve nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve në drejtim të drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore.



Sipas një grafiku të caktuar, zonat më të thella tërhoqën të parat testet e provimit. Shpërndarja filloi me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 06:00 të mëngjesit të djeshëm.



Të gjitha makinat që kryen transportin drejt drejtorive arsimore rajonale u shoqëruan nga Policia e Shtetit.



Provimet me zgjedhje janë prova e fundit e Maturës Shtetërore dhe bashkë me dy provimet e detyrueshme, si dhe mesataren e shkollës së mesme, përbëjnë pesë komponentët e rezultatit për pranimin në institucionet publike të arsimit të lartë.



Formulari A2



Ministria e Arsimit ka kujtuar dje edhe një herë të gjithë maturantët, se dorëzimi i formularit A2 nëpër shkolla do të kryhet deri në datën 13 korrik 2009. Të gjithë ata maturantë që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2009 dhe nuk kanë plotësuar formularin A1Z, që do të thotë se nuk figurojnë në bazën e të dhënave, duhet të drejtohen në Agjencinë Kombëtare të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, pra AVA në Tiranë, për t‘u regjistruar për formularin A2 deri në datën 20 korrik 2009. Plotësimi i formularit A2 është i detyrueshëm edhe për të gjithë ata kandidatë që duan të konkurrojnë në Akademinë e Arteve të Bukura, në akademinë e sporteve "Vojo Kushi" dhe programet e studimit të Edukimit Fizik e Sporteve në universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, krahas regjistrimit në konkurset përkatëse që ata kanë kryer pranë këtyre institucioneve.



Shenim: Pergjigjet e teksteve mund t‘i lexoni ne PDF