Rreth 37 mijë maturantë, në të gjithë vendin, iu nënshtruan dje provimit të dytë të detyrueshëm, atij të lëndës së Matematikës. Ashtu si në provimin e parë, atë të Letërsisë, teza kishte në përmbajtjen e saj rreth 25 pyetje. Testet janë hartuar nga specialistë të përzgjedhur nga Ministria e Arsimit, të cilët qëndruan në izolim të plotë në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Përgjigjet e provimit të dytë të detyrueshëm të Maturës Shtetërore 2009, pritet të dalin pas dhjetë ditësh, në përputhje me rregulloren e hartuar nga Ministria e Arsimit. Ndërsa, rezultatet e provimit të parë, atij të Gjuhës dhe Letërsisë, tashmë janë zbardhur, por pritet që të dhënat të kompjuterizohen dhe më pas të bëhen të ditura për të gjithë të rinjtë. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, të gjithë maturantët do të njihen me pikët që kanë marrë në provimin e Letërsisë, ditën e martë. Sipas drejtorit Vejsiu, provimi i Matematikës ka vijuar normalisht, ndërsa filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë. Maturantët në këtë provim u testuan për 7 lloje të ndryshme testesh, sipas profilit të shkollës së gjithsecilit. Pas daljes së rezultateve për dy provimet e detyruara të maturës shtetërore, nga ana e Ministrisë së Arsimit është premtuar se do të bëhet publik edhe Formulari A2, në të cilin të rinjtë kandidatë, për në institucionet e arsimit të lartë publik në vend, do të duhet të rreshtojnë dhjetë preferencat e tyre për studime. Ky formular, sipas rregullores së maturës, duhej të ishte shpërndarë që në fund të muajit maj, por për shkak të mungesës së miratimit të kuotave të pranimit në universitete, ai është shtyrë. Në datën 10 korrik, maturantët do t‘i nënshtrohen dhe provimeve të fundit, atyre me zgjedhje, për t‘i dhënë fund kështu procesit të maturës shtetërore. Gazeta "Shqip" boton sot të plota edhe çelësin e përgjigjeve të sakta të provimit të matematikës për të tre profilet e gjimnazit, atë natyror, shoqëror si dhe të përgjithshëm, në të dy variantet e përgatitura nga specialistët e AVA-s. Po kështu, edhe përgjigjet për testet e hartuara për maturantët e shkollave të mesme të gjuhëve të huaja, si dhe të shkollave profesionale (3+2), dhe pedagogjike. Mbi bazë të këtyre përgjigjeve maturantët mund të llogarisin paraprakisht pikët që duhet të marrin në provim.



Shenim: Pergjigjet mund t‘i lexoni ne PDF