Marko Caka/ Athinë

Alket Rizai, shqiptari më i kërkuar në Greqi, u arrestua dje në mëngjes pas 9 muajsh arrati. Forcat speciale të policisë të shtetit grek kanë shtrënguar sërish prangat në duart e tij mëngjesin e djeshëm, duke i dhënë fund lirisë së tij fituar në shkurt 2009, pas një arratisje spektakolare me helikopter. Ka qenë ora 07:10 minuta e mëngjesit të djeshëm, kur 34-vjeçari është kapur në gjumë në një vilë që kishte marrë me qira dy ditë më parë në fshatin e banuar me arvanitas, Suli i Epërm në zonën Grammatiko, 30 km larg Athinës. Policia greke, pas operacionit tha paraprakisht se Rizai iu dorëzua forcave speciale, pa bërë rezistencë. Bashkë me Rizajn në banesë u prangos edhe e dashura e tij greke, Aspasia Mitropia, e njohur me emrin Sula, e cila ishte gruaja bionde që ndihmoi në superarratisjen me helikopter nga burgu i Koridhalosë në shkurt të këtij viti. Po kështu me Rizain dhe Mitropian janë vënë në pranga dhe një çift tjetër shqiptarësh, që jetonin në të njëjtën banesë me ta. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur, ndërsa po hetohet nëse këta kanë apo jo njohje me Rizajn dhe nëse janë përfshirë apo jo në krime së bashku me të.
Telefonata që zbuloi Rizain
Pas operacionit, policia greke pohoi se çifti tjetër që u prangos me Rizain dyshohen se gjatë kohës së arratisë kanë ndihmuar 35-vjeçarin në gjetjen e banesave dhe makinave, si dhe në falsifikimin e dokumenteve, duke ndryshuar "identitetet" pa lënë gjurme dyshimi tek autoritetet greke. Burime nga hetimi pohuan dje për mediat greke se vendndodhja sekrete e të arratisurit shqiptar, i cili kishte ndryshuar edhe pamje nga biond në brun, ishte tradhtuar nga një thirrje telefonike që 33-vjeçarja greke, Aspasia, i ka bërë nënës së saj. Shërbimi Sekret Grek, (EYP) që prej qershorit përgjonte bisedat telefonike të familjarëve të Aspaias, si dhe sms-të që ajo u dërgonte fëmijëve të saj, duke u vënë në gjurmë të lëvizjeve të çiftit të superkërkuar. Policia pohoi se operacioni i djeshëm i cili zgjati shtatë minuta, u krye nga 58 oficerë policie, 28 nga të cilët efektivë të forcave speciale EKAM, dhe 30 punonjës civil të Sigurimit Grek, të mbështetur nga mjete të shumta të blinduara ajrore dhe tokësore. Pasi thyen derën e banesës me forcë, njëri nga drejtuesit thërret me megafon: "Jeni të rrethuar, dilni jashtë". E menjëhershme ka qenë përgjigja e Rizajt: "Unë nuk ju besoj juve". Pas disa minutash negociata, Rizaj që mbante një pistoletë në kokë, duke kërcënuar se do vriste veten, u bind se nuk kishte asnjë mënyrë shpëtimi, dorëzohet duke thënë: "Në rregull djema, çdo gjë u mbyll, dorëzohem". Brenda pak sekondash ai ka dalë jashtë banesës, duke hedhur përtokë armën, ndërsa është vënë në pranga me të shpejtë. Menjëherë pas arrestimit 35-vjeçari, Rizaj dhe e dashura e tij janë dërguar në qelitë e sigurisë së lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Greke për arsye sigurie, si dhe për tu marrë në pyetje. Gjatë kontrollit rutinë të kryer në banesën e tij në Grammatiko, u gjetën dy automatikë një "Kallashnikov" dhe një "Scorpion", dy pistoleta, disa granata dhe një numër i konsiderueshëm fishekësh të kalibrave të ndryshme. Policia tha se gjatë kohës që Rizai ndodhej në kërkim kishte ndryshuar vazhdimisht adresat e tij të banimit, ndërsa lëvizte me makina të ndryshme private, shpeshherë të vjedhura, njëra prej të cilave e blinduar dhe përdorej në rast të rrezikimit të tij. Drejtori i Policisë së Athinës, Joani Dikopoulos tha se të arrestuarit përveç banesave ndryshonin vazhdimisht edhe llojet e makinave, vetëm e vetëm që të mos linin gjurmë gjatë kërkimeve të vazhdueshme të forcave speciale greke. Së fundmi, Rizai lëvizte me një "Smart" që ende nuk i dihet origjina, si dhe një mercedez të blinduar, i vjedhur një banke në Athinë pak ditë më parë.

Fier, Alket Rizai ndryshoi  emrin në Tini Krahanxhouk
TIRANE - Policia shqiptare ka pohuar dje se Alket Rizai, 35 vjeçari me origjinë nga Aranitasi i Mallakastrës, ka ndërruar emrin në Zyrën e Gjendjes Civile të qarkut Fier, nga Alket në Tini dhe mbiemrin nga Rizaj në Krahanxhouk. Ky pohim i policisë është kundërshtuar si jo i vërtetë nga familjarët e tij që jetojnë në qytetin e Ballshit. Ndërkohë, policia greke pohoi se gjatë kohës që ka kaluar në arrati Rizai mund të jetë përfshirë në krime të tjera, si vrasje, gjobëvënie dhe trafik narkotikësh. Kjo është argumentuar me shpenzimet e shumta që ai dhe e dashura e tij kanë bërë në kohën që kanë kaluar në dy arratitë e Rizait. Të paktën dy mjetet luksoze që iu kapën dje në momentin e arrestimit të tij, "Benz-Mercedez"-i, i blinduar me targë IHX 8141 dhe "Smart"-i me targa  IHE 7028, dyshohet se janë blerë me çmime "të kripura" nga vjedhësit. Po kështu, ditët e fundit para arrestimit, Rizai është hequr si një emigrant grek në Gjermani, ndërsa mendohet se ka përdorur dokumente të tilla të falsifikuara, të tilla saqë askush nuk ka dyshuar në to. Madje me dashamirësi, të zotët e vilës i kanë vënë si kusht që qentë që ai kishte sjellë me vete të mos bezdisnin fqinjët.

Rizai-Paleokostas, dy arrati spektakolare me helikopter
ATHINE - Më 22 shkurt të këtij viti, Alket Rizai përsëriti të njëjtën skemë arratisjeje si në qershorin e vitit 2006. Një helikopter i rrëmbyer nga e dashura e tij greke, që fluturon ulët sipër burgut të Koridhalosë, qëllon me armë drejt gardianëve dhe forcave speciale që ruajnë institucionin nga jashtë, duke i neutralizuar ata. Brenda pak çastesh mjeti fluturues ulet në tarracën e godinës së sigurisë së lartë, ndërsa dy të dënuarit e rrezikshëm Alket Rizai dhe Vasilis Paleokostas, që ndodheshin në fushën e ajrimit, nëpërmjet shkallëve prej litari ngjiten sipër dhe pastaj zhduken në drejtim të verilindjes së Athinës me destinacion zonën e Kopomandrit, 30 km larg kryeqytetit. Pas kësaj, dy miqtë kanë braktisur helikopterin dhe u larguan në drejtim të paditur me anë të një fuoristrade tip "Jeep", që ishte vendosur aty më parë nga organizatorët e arratisë spektakolare. E njëjta mënyrë arratisjeje u përdor edhe në qershor të vitit 2006, ndërsa arratia atëherë zgjati shumë pak, pasi njëri pas tjetrit Rizai dhe Paleokostas ranë në pranga. Atëherë, pas arratisë, efektivët e sigurisë së burgut qëlluan disa herë me armë zjarri pa arritur të qëllojnë helikopterin, ndërsa si pasojë e të shtënave një gardian u plagos. Por ndryshe nga ky version, bashkëvuajtës të Rizait dhe Paleokostas pohuan se në burgun Koridhalos, 15 metra nga vendi i arratisjes, qëndronte vazhdimisht një autoblindë policie. Në momentin e arratisjes, ky mjet nuk ndodhej në vendin e zakonshëm të shërbimit, duke hedhur dyshime për aferë të mundshme korruptimi të policëve. Një tjetër i burgosur pohoi atëherë se një gardian që ndodhej vetëm 70 metër larg, ka parë në qetësi të plotë arratisjen duke mos vepruar, ndërsa Rizai ka hipur i pari në helikopter dhe më pas Paleokostas. Po kështu i burgosuri pohoi se gjatë momentit të arratisë, një polic që kryente shërbimin jashtë kangjellave të burgut, në përpjekje për të ndaluar dy të dënuarit u vetëqëllua me armën e tij, duke u plagosur. Ndërsa gardianë të tjerë qëlluan disa herë me breshëri, por në mënyrë të dyshimtë mjeti fluturues, që ndodhej shumë pranë, nuk u godit nga asnjë plumb. Arratia për herë të dytë në mënyrë spektakolare e Rizait dhe Paleokostas solli reagime të ashpra nga opozita greke, e cila fajësoi qeverinë dhe Ministrinë e Drejtësisë Greke për përfshirje në afera korruptive, pasojë e të cilave ishte kjo ngjarje.