Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Nuk ka struktutë të specializuar për letërsinë për fëmijë. Përveç botimeve me karakter didaktik, që i nxjerr Instituti Pedagogjik, fletoreve dhe librave ndihmës për mësuesit dhe prindërit, nuk ka rekomandime për libra parashkollorë. Prindërit, kush mundet, orientohet vetë për cilësinë, ndërsa as që bëhet fjalë për udhëzues dhe për sektor kritike. Kohë më parë, madje u kërkua, që të bëhej nje antologji për fëmijë dhe nuk u realizua, sepse shumë-pak emra ka, që shkruajnë letërsi të mirë për fëmijë. Jo vetëm si specialiste, por edhe në pozicionin e prindit, sikurse prindërit e vërej edhe unë, që ka botime pirate, por edhe të tjera, të cilat janë përshtatje ose përkthime të dobëta të përrallave botërore. Jo Andersen, por nuk e merr vesh se ç është. Ka deformime të përrallave botërore, ndoshta për t i shpëtuar plagjiaturës. Po ashtu, me gabime gramatikore. Kur iu gjetën një numër i madh gabimesh Abetares, ç mund të themi për këto botime, një pjesë e të cilave janë të paredaktuara?! Nuk mjafton të përkthesh, por duhet të dish të përshtatësh dhe të përzgjedhësh nga letërsia e huaj. Midis librave të paktë me të drejtën e kopjimit dhe cilësor është “Libri i bebeve”, por ka shumë botime të tjera kopje, pa nivel. Duhet të kishte një strukturë në MASH, që ta mbikqyrte tregun, që është tërësisht i pakontrolluar. Shteti të kishte një agjenci me akreditime dhe standarde edhe për këto lloje botimesh.”



MASH, filtër përzgjedhjeje vetëm për librat e BORELAPS

Specialistët: “Nuk kemi sektor për letërsinë artistike, shqyrtojmë vetëm librat didaktikë”



Ekziston një listë e gjatë librash për fëmijë të moshës mbi 6 vjeç të cilët janë përzgjedhur nga BORELASP, një bord i posaçëm specialistësh, i cili lejon mësuesit të përzgjedhin si literaturë jashtë programit, vetëm mes titujve të listës së aprovuar. Kjo përzgjedhje ka ndikuar pozitivisht, duke i vënë fëmijët më tepër në kontakt me letërsinë e mirë. Por ndërkaq, nuk ka asnjë filtër rekomandues apo përzgjedhës për librat e moshës parashkollore. Tregu i hapur i botimeve gëlltit çdo ditë tituj të rinj, një pjesë e të cilëve me vlera të cunguara, të zbehta apo gati të pavlera. Nga departamenti i ciklit parashkollor në MASH thonë se nuk merren me këto botime, nuk i përzgjedhin ata, pasi Ministria ka në vëmendje vetëm botimet me natyrë didaktike, që janë në funksion të programeve shkollore. Kurse për letërsinë artistike për fëmijë, nuk kanë sektor dhe përzgjedhja mbetet në dëshirën e prindërve. “Ata duhet të orientohen vetë, se çfarë duhet të zgjedhin, pasi as tregun nuk mund ta pengojmë”, thonë specialistët.

***

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në Qarkoren- Antikorrupsion që lëshoi në shtator të vitit 2005, ndër 4 pikat që renditi si më emergjentet dhe që kërkonin zgjidhje, ishte edhe problemi i disiplinimit të futjes së librave jashtë programit në shkolla. I krijuar më 13 prill 2006 me një urdhër të ministrit Pollo për të frenuar abuzimin komercial, që është bërë me këto tekste në të kaluarën, Bord i Rekomandimit të Literaturës Artistike, Studimore dhe Publicistike, (BORELASP) pati si qëllim, të bëjë një politikë kulturore, e cila synon t i ofrojë shkollës shqiptare korpusin e vlerave më të larta letrare, kombëtare dhe botërore. Përzgjedhja e librave nga titujt e listës për realizimin e programit mësimor dhe të veprimtarive të ndryshme ekstra-kurrikulare bëhet në çdo shkollë, nga komisioni lëndor në përbërje të të cilit janë të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe për shkollat 9-vjeçare dhe mësuesit e letërsisë dhe të filozofisë për shkollat e mesme. Për shkollat me numër të vogël nxënësish, ku ka vetëm një mësues të gjuhës shqipe dhe letërsisë, komisioni lëndor ngrihet nga Drejtoria Arsimore Rajonale ose Zyra Arsimore me grup shkollash, qendra e të cilit do të jetë në shkollën më të madhe.

Në listën rekomanduese të librave jashtë klase, për nxënësit e arsimit 9-vjeçar, duke patur parasysh edhe moshën, kriter ka qenë përzgjedhja e veprave më të njohura të letërsisë botërore dhe shqiptare si “Pinoku”, “Çufo e Bubi Kaçurrel” etj. Ndër dy a më shumë botime të një vepre, bordi ka përzgjedhur botimin me cilësi më të lartë. Kur në treg mungojnë botimet, që janë vlera të letërsisë shqiptare apo botërore, bordi sugjeron për shtëpitë botuese botimin ose ribotimin e titujve, që mendon se i vinë në ndihmë procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare në fushën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Bordi nuk ka marrë në shqyrtim, botimet që nuk respektojnë të drejtën e autorit, që rezultojnë me probleme redaktoriale dhe drejtshkrimore apo veprat e letërsisë artistike të parashikuara për lexim në programin mësimor shkollor. Për sa i përket përkthimit ndër dy a më shumë përkthime nga letërsi të huaja, natyrisht më shumë përparësi në përzgjedhje ka patur ai tekst, që është përkthyer nga origjinali dhe jo nga një gjuhë e huaj e dytë.



DETAJ

Kujt moshe i takon libri?

Shumë libra me natyrë didaktike nuk saktësojnë grupmoshën të cilës i drejtohen. Në këtë prizëm, ndodh që prindërit e kanë vështirë të orientohen drejt, nëse një botim është i parakohshëm apo i kaluar për moshën e fëmijës së tyre. Mungesa e informacionit për moshat të cilave i dedikohet ky libër, mund të ketë lidhje me pamjaftueshmërinë e qartësisë që kanë vetë autorët dhe përgatitësit e librit, se deri në cilën moshë ai rekomandohet dhe nga ana tjetër, mund të jetë një fshehje e qëllimshme e botuesve, për të mos e kufizuar mundësinë e blerjes së librit në një grupmoshë të limituar, pra për të rritur shanset e shitjeve më të mëdha.



Lexuesit- Opinione

Fëmijët janë një juri e vështirë për t u kaluar



Afërdita

Mendoj se brezat sa vijnë dhe përparojnë dhe janë edhe më të zhvilluar fizikisht, edhe më të zgjuar. Vetë zhvillimi shoqëror kërkon disa standarde të tjera, më të larta sesa na kërkoheshin ne. Sot fëmijët mësojnë gjuhë të huaj që në kopsht, lozin në kalkulator dhe njohim më mirë gjuhën e tij sesa ne të rriturit. Pra, për mendimin tim, edhe letërsia duhet të ecë me kohën. Më duket se me fjalë pa kuptim thjesht për rimë, nuk sjellin asgjë për intelektin në formim të fëmijës. Poezitë, tregimet, përrallat duhet të jenë pak më komplekse, të kenë edhe fjalë të reja me shpjegimet përkatëse dhe me kuptime-morale (morali i fabulës) Fëmijët kuptojnë shumë më shumë se sa duam ne të pranojmë. Na duket sikur janë të vegjël dhe “nuk dinë” por PSE-të e tyre ndonjëherë na zënë aq ngushtë, sa nuk na e merr mendja. Mendoj se të gjitha krijimet për ta duhet të jenë interaktive, jo thjesht fjalë të hedhura me rimë, por me shumë përgjegjësi, sepse që në fëmijëri fillojnë të krijohen idetë e para, estetika, normat e moralit, gjykimi, logjika, dëshirat për një formë apo një tjetër të artit. Letërsia për fëmijë nuk është aq e thjeshtë. Imagjinata e tyre është aq e madhe dhe fantazitë aq të gjalla, sa ke të bësh me një juri shumë të vështirë për të të pranuar si shkrimtarin e tyre.



Librat shërbejnë edhe si lojë. Librat tridimensionalë janë nga më të pëlqyerit për fëmijët në gjithë botën...

se Mund të ketë edhe shembuj të tillë, si “Libri i parë i numrave për parashkollorët”, 250 lekë, shtëpia Jeoer, një libër thuajse pa ngjyra, kur sot edhe librat e moshës shkollore përpiqen të bëhen sa më tërheqës me ngjyra. Në botime të tjera të kësaj shtëpie, hasen gabime gramatikore e të tjera. Libri për parashkollorët, “Çfarë dhe sa duhet të dijë një fëmijë 4-5 vjeç?”, ndryshe nga kopertina, në faqen e parë ka të shënuar 4-6 vjeç! Në disa botime si Librat e Artë, nuk e dimë, se cila është shtëpia botuese dhe nëse ka ndonjë shtëpi botuese me këtë emër. Në disa nga këto botime nuk është respektuar madhësia e shkronjave dhe hapësirat mes rreshtave. Këto botime nuk kanë as autor, as adresë dhe as numër telefoni. Po ashtu, romani, “Aventurat e Hakëlber Finit”. Ka libra pa autorësi, pa përkthyes, dhe redaktor, si p.sh “Gjikanti egoist” i shtëpisë Ombra (Ndonëse kjo shtëpi është nga më seriozet me botimet e librave enciklopedikë për moshat nga 3 deri në 10 vjeç, që japin një informacion të plotë, të thithshëm për lexuesin e vogël, me një material shumë të mirë, dhe që edukojnë lexuesin me ndjenjën e përkujdesjes për mjedisin ku jetojmë, për natyrën dhe njerëzit).



Vëzhgimi

Libri i xhunglës, me kuba, 590 lekë, shtëpia ARBA

Fabula shumë e dobët, presjet mungojnë



Liza në botën e çudirave, e ARBA

Kopështin për kopshtin



Revista “Ngjyrat” për kopshtet e shtëpisë JOER

Eskavator për ekskavator, qingji për qengji



Libri “Dua të mësoj” i shtëpisë JOER

Lasp për laps (lapsus) dhe ulëras për ulërij



“Pema” e shtëpisë Ombra

Sequoja për sekuoja

Ky lajm është publikuar: 07/07/2008