18/02/2005  Për të kuptuar se si pesha jonë ndryshon me kalimin e viteve dhe të moshës, duhet filluar të flitet për fëmijët dhe se si ambjentohen ata me ushqimin. Në kushtet më natyrale, për muaj të tërë, i vetmi burim ushqimi për ta, është nëna. Dhe sipas ekspertëve, qumështi i marrë nga nëna duhet të zgjasë të paktën deri në gjashtë muaj. Ushqimet që ha nëna, reflektohen në qumësht me shije të ndryshme dhe kështu, i jepen dhe fëmijës. Duhet të merren gjatë kësaj periudhe ushqime me shumë proteina, në mënyrë që fëmija të ketë një ekuilibër ushqyes, në të cilin nuk duhet të mungojnë asnjëherë frutat, perimet. Gjatë rritjes, është mirë që fëmija të ketë një mëngjes të pasur, mundësisht ulur dhe rregull në oraret e ngrënies, gjatë ditës. Ky proces edukativ, është elementi i parë kundër çrregullimit të marrjes së kalorive (pica, hamburger, etj.), që mund të jetë baza e një fillimi të çekuilibrit metabolik, që çon drejt obesitetit. Deri në moshën e pubertetit, masa e dhjamit te fëmijët, duhet të jetë deri në 15 %, por pas zhvillimin seksual te vajzat, mund të arrijë deri në 25 %. Nëse femrat hanë ushqime me shumë kalori, por dhe me shumicë, ato janë të predispozuara që përveç mbipeshës, të kenë dhe probleme në fytyrë, si akne, hipertension, obesitet. Nga mosha 20-45 vjeç, ka gjithmonë një rritje peshe dhe kjo varet nga mosha. Te gratë, shtatzania është armiku numër një për mbipeshën. Dhe nga kjo, duhet të kihet kujdes 5 muajt e parë, për të mos e ngritur shumë dozën e kalorive. Nga shumë studiues mësohet se edhe pas lindjes, nëse mendon se ke hequr shumicën e kileve, ato mbeten gjithsesi dhe grumbullohen në një tjetër formë. Një tjetër faktor rreziku për femrat është roli që luajnë në shoqëri. Një shtëpiake, e cila rri gjithë ditën duke gatuar, ushqime të shijshme për familjen, është më e predispozuar për të shtuar në peshë. Dhe këto janë vitet ku merret më kollaj pesha dhe është shumë e vështirë për t’i hequr ato. Pesha e tepërt e trupit, përveçse të shqetëson, mund të shkaktojë edhe shqetësime kardiake dhe sëmundje të tjera, të cilat kanë lidhje me shëndetin. Si tensioni, kolesteroli në gjak, probleme me ecjen dhe marrje fryme. Nëse gjatë rrjedhës së jetës do të kemi shumë kujdes me ushqimet që hamë, do të ishte më e lehtë për ne të kishim një vazhdimësi më të qetë dhe më të kujdesshme. Të rekomandueshme janë në njëfarë mënyre dietat e kontrolluara nga mjeku, të cilat të ndihmojnë në mosmarrjen e tepërt të ushqimeve me shumë kalori dhe mbrojnë organizmin tonë nga shqetësimet.