Jonida Tashi





Numri i përfituesve të pagesës për aftësi të kufizuar gjatë vitit 2010 do të rritet. Lajmi bëhet i ditur nga shifrat zyrtare të Ministrisë së Punës, të cilat evidentojnë se gjatë vitit të ardhshëm, 2800 persona të tjerë do të trajtohen me pagesën e aftësisë së kufizuar nga shteti. Konkretisht, nga 128 876 persona me aftësi të kufizuar, që marrin aktualisht pagesën e paaftësisë, për vitin 2010, do të trajtohen me pagesa cash 131 679 persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë të tyre, me një fond prej 11 442 miliardë lekë, ose 24% më shumë se viti 2009.

Panorama

Me rastin e 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit social Shtetëror (SHSSH), Mihal Naço, ka bërë një panoramim të situatës për personat me aftësi të kufizuar në vendin tonë. Fillimisht Naço, në prononcimin e tij të posaçëm për shtyp, ka sqaruar se buxheti i shtetit mbështet me pagesë mujore personat me aftësi të kufizuar, të cilët kanë lindur të tillë ose janë bërë të tillë gjatë jetës. “Kjo kategori në nevojë ka patur dhe do të ketë gjithmonë vëmendjen e shtetit për t’u mbështetur jo vetëm financiarisht, por në radhë të parë për t’u integruar në të gjitha proceset jetike”,- është shprehur drejtori i Shërbimit Social. Më tej ai ka vijuar me numrin e përfituesve dhe trajtimet që ata do të marrin nga shteti gjatë 2010-s.

Përfituesit

Sipas Mihal Naços, konkretisht, 128 876 persona me aftësi të kufizuar, prej të cilëve, 3 733 janë edhe përfitues të paketës higjiene-sanitare. Në mënyrë më të detajuar janë përfitues: 15 411 persona të verbër me 3 775 kujdestarë; 7 792 persona para dhe tetraplegjik me 3 821 kujdestarë dhe 3 733 përfitues të paketës higjiene-sanitare; 51 891 invalidë pune. Ndërkaq, çdo përfitues i Statusit të Invalidit para dhe tetraplegjik, përfiton një pagesë mujore prej: 87 000 lekë personi i sëmurë; 92 000 lekë kujdestari; 160 000 lekë paketa higjienike (totali 339 000 lekë në muaj). Për vitin 2009, për mbështetjen e këtyre shtresave u përdorën rreth 9 800 000 (mijë lekë).





Numri i përfituesve

128 876 persona me aftësi të kufizuar, prej të cilëve, 3 733 janë edhe përfitues të paketës higjiene-sanitare



Në mënyrë më të detajuar janë përfitues:

15 411 persona të verbër me 3 775 kujdestarë

7 792 persona para dhe tetraplegjik me 3 821 kujdestarë dhe 3 733 përfitues të paketës higjiene-sanitare

51 891 invalidë pune



Pagesa

Ndërkaq, çdo përfitues i Statusit të Invalidit para dhe tetraplegjik, përfiton një pagesë mujore prej:

87 000 lekë personi i sëmurë

92 000 lekë kujdestari

160 000 lekë paketa higjienike



Shërbimet për personat me aftësi të kufizuara

Në tërësinë e strukturave të shërbimit rezidencial një vend me rëndësi zënë institucionet specifike të shërbimit rezidencial për personat me aftësi të kufizuar, kryesisht fëmijë të moshës deri në 25 vjeç. Rrjeti i shërbimit social për personat me aftësi të kufizuar është i larmishëm si tipologji, si formë menaxhimi, administrimi dhe financimi. Për efekt studimi, rrjeti i institucioneve mund të ndahet:

Institucione publike rezidenciale (6 qendra rezidenciale publike: Berat, Durrës, Korçë, Tiranë, Vlorë, Shkodër);

Institucione jopublike rezidenciale (8 qendra jopublike rezidenciale: Shkodër, Tiranë, Berat etj.);

Qendra zhvillimi dhe trajtimi ditore (4 qendra ditore publike: Lezhë, Korçë, Shkodër, Elbasan);

Shërbime në komunitet (10 qendra ditore jopublike: Tiranë, Tepelenë, Shkodër, Korçë, Librazhd etj.);

Shtëpi familje për personat me aftësi të kufizuar.



Rrjeti i institucioneve publike dhe jopublike

Rrjeti i institucioneve publike dhe jopublike që ofron shërbime për personat me aftësi të kufizuar, të moshës nga 0 deri në 25 vjeç është i përqendruar në 6 qendra rezidenciale dhe 4 qendra ditore. Nga pikëpamja gjeografike këto institucione janë të vendosura në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Berat, Korçë, Vlorë, Durrës. Në këto qendra rezidenciale të zhvillimit dhe rehabilitimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara trajtohen 250 persona në qendra publike rezidenciale dhe 198 në qendra jopublike rezidenciale (403). Ndërsa 154 të tjerë përfitojnë shërbime në qendrat ditore publike. Në sistemin e shërbimit rezidencial për personat me aftësi të kufizuar evidentohet një rrjet tjetër institucionesh të ngritura dhe të specializuara në fushën e shërbimit social për personat me aftësi të kufizuara. Ato janë të drejtuara dhe të financuara nga aktorë jo publikë të huaj dhe vendas në formën të larmishme të shërbimit rezidencial, jo rezidencial dhe gjysmë rezidencial. Në përgjithësi ato janë bërë faktor komplementar me rëndësi në sferën e plotësimit të nevojave të personave me aftësi të kufizuar.



Shërbimi komunitar për personat me aftësi të kufizuar



I gjithë shërbimi social për personat me aftësi të kufizuar deri në vitin 2002 ka qenë i determinuar në dy format klasike: shërbimi rezidencial në institucione dhe qendra të zhvillimit dhe programi qeveritar i mbështetjes ekonomike të personave me pagesën e paaftësisë dhe në raste të tjera edhe me pagesën e kujdestarisë. Nga ky vit, në kuadrin e përpjekjeve për zgjerimin e tipologjisë së shërbimit për personat me aftësi të kufizuar është ndërmarrë në nivel kombëtar një veprimtari e gjerë që synon përmirësimin e strukturës kombëtare të shërbimeve sociale për personat me aftësi të kufizuar, duke reduktuar shërbimin e mbyllur rezidencial në favor të shërbimit të decentralizuar dhe komunitar si dhe duke aplikuar gradualisht edhe format më

moderne të shërbimit.





Në 2010-n, Ministria e Punës premton rritjen e shërbimeve



Gjatë vitit të ardhshëm, Ministria e Punës parashikon ndërmarrjen e politikave eficiente për rritjen e mbështetjes ndaj personave me aftësi të kufizuar, jo vetëm me pagesa, por edhe me shërbime. Kështu, parashikohet garantimi i standardeve të shërbimeve, sipas kuotave të përcaktuara me ligj (ushqim, veshmbathje, aktivitetet integruese, kushte materiale dhe infrastrukturën e nevojshme) për 1050 klientët rezidenciale në 27 institucionet e përkujdesit social. Po ashtu, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve, për vitin e ardhshëm është parashikuar rikonstruksioni i disa qendrave sociale dhe mbështetja e ngritjes së qendrave të reja në të gjithë vendin. Rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës, Tiranë, duke e kaluar atë në Shtëpi-Familje, duke realizuar kështu objektivin e de-institucionalizimit është një tjetër parashikim i Ministrisë së Punës, për vitin 2010. Gjithashtu, është parashikuar ndërtimi i Qendrës së Rehabilitimit të Verbërve, si dhe rikonstruksioni i qendrave të tjera publike.







3 Dhjetor 2009