TIRANE - Vetëm Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk e kanë provuar barkën e tij. Të tjerët jo vetëm që kanë peshkuar, por kohën më të shumtë të pushimeve në Pogradec e kalonin me atë, Thoma Simakun, peshkatarin që njihet “si parja e kuqe” në Pogradec.

Për të takuar Thomain nuk duhet të shkosh në vend tjetër, përveçse buzë liqenit, atje ku “prehet” edhe varka e madhe, apo siç njihet “varka e Byrosë Politike”. Ai është një burrë rreth të 65, i shkurtër dhe muskuloz që e ka nisur zanatin e tij prej 1966, të trashëguar nga babai, e që poi a lë trashëgim edhe të birit. “Eja thotë, do të flasim, porn ë barkë, duke peshkuar”. Duket sikur gjithë jeta e tij, gjithë bisedat, gjithë historitë janë të lidhura vetëm me liqenin, me barkën dhe me peshqit.

Për minuta të tëra, merremi me problemet e peshkimit, me erën, me pulëbardhat që na ndjekin pas, siduket e dinë që kur ka barkë në liqen, edhe për to do të dalë diçka. Ai më shpjegon me hollësi sekretet e zanatit, I bindur që unë kam për t’I harruar sërish sapo të dal në breg. Më shpjegon fije e për pe se ku duhet hedhur koshi, pse është I trullosur peshku, çfarë uji kërkon korani dhe ku gjendet me shumicë.

Nuk I ka mësuar në një ditë. I jati Jorgji, e ka marrë me vete që kur ishte shtatë vjeç, ndërsa me çduket zanatin ia “ka taksur” edhe Kadri Hazbiu. “Shoku Kadri, ky djalë nuk më mëson, si tja bëj”, I ishte “ankuar” njëherë Jorgji ish-ministrit të nomenklaturës kur e kishte në varkë, ndërsa Maqua ishte bashkë me ta, por vetëm 14 vjeç. Përgjigja kishte ardhur rrufe: Bëje peshkatar si veten. Dhe kështu ndodhi, sapo mbaroi shtatëvjeçar, Maqo u bë peshkatar I rregullt.
 
ANËTARËT E BYROSË
 
Në varkët e tij kanë hipur të gjithë. Ai I kujton mirë gjuetitë e bëra me Adil Çarçanin, Beqir Ballukun, Kadri Hazbiun, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosin, Haki Toskën, Hekuran Isain. Në varkë ka hipur edhe Lenka Çuko, por “ajo na vinte në siklet se na hipte në varkë me fustan apo fund”, qesh Maqo. Të gjuaje me ata ishte goxha përgjegjësi, se edhe nuk pranonin të dilnin “bosh”, megjithatë çdo herë ata ktheheshin me rrjetat e me kallambat plot. E kështu pushimet u dilnin të mbara.

“Ata nuk vinin për gjueti një ditë, apo dy, por nga 30 ditë që bënin pushime, 20 I kalonin me mua në liqen. Kampion ishin Beqir Balluku dhe Adil Çarçani që rrinin edhe 6 orë pandërprerje në liqen, madje jo pak herë kanë dashur të qëndrojnë edhe natën për të gjuajtur. Por në fund të gjuetisë, peshkun e ndanim së bashku”, thotë peshkatari Maqo, teksa edhe pak nostalgjik nuk harron të përmendë, se “ata” ishin shumë të thjeshtë, jo aq hijerëndë sa dilnin në televizor, madje mëse njëherë e kishin pyetur se mos kishte ndonjë hall për të zgjidhur, apo si jetonte.

“Shpesh drekonim bashkë”, thotë Maqo, ndërsa “sekretin” e le për në fund. “Sa herë niseshim për gjueti, me ne vinte edhe një shoqërues i armatosur. Eh, me sa duket ky i fundit e detyronte peshkun të binte vetë në grep, ndryshe mund ta “hante” Maqo. Ndërsa Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të mëdhenjtë, nuk preferonin të gjuanin me Maqon, por gjithsesi Hoxha e hante koranin që zinte peshkatari.

Vërtetë Enveri nuk vente, por barkën e Maqos e shoqëronte një barkë e diktatorit me dy shoqërues të tij që vëzhgonin. Sapo dilnin rrjetat me Koran, një nga shoqëruesit vinte tek varka e tij dhe zgjidhhte peshkun për udhëheqjen, e fuste në një kasë frigoriferike dhe shkonte direct nga liqeni tek vila e Enverit. “Ne nuk e preknim fare me dorë peshkun që konsumonte Enver Hoxha”, thotë Maqo.

Por Maqo peshkatari nuk mundet të mos krahasojë vitet e atëhershme, gjithmonë duke i lidhur me gjuetinë në liqen, me vitet e sotme. ‘Atëherë na linin të peshkonim edhe përballë vilave në zonën e bllokut ku pushonte edhe Enver Hoxha, por kur erdhi demokracia e u hapën të gjitha rrugët, na u bllokua rruga e gjuetisë përballë vilave nga bllokmenët e rinj. “Eshtë turpÇfarë shqetësimi mund të sjellim ne nga gjuetia në thellësi, vetëm se jemi në drejtim të vilave.

Jo na thonë ata të gardës, mos peshkoni përballë vilave se I prishni qetësinë filan ministri”, ndërhyn në bisedë edhe një peshkatar tjetër. Por ka pasur edhe histori të hidhura. Ai kishte foto me të gjithë anëtarët e byrosë, si gjithë shqiptarët që u jepej një mundësi e tillë. “Por kur Petrit Dume doli armik, erdhën më thanë; e dimë që ke foto. Bën mirë t’i djegësh ato me armiqtë se e kupton vetë ti po t’i gjetëm”, tregon pak me të qeshur e pak me të ngjeshur për atë kohë.
 
E lëmë pas byronë dhe byroistët, dhe e pyesim Maqon për ndonjë aventurë në liqen. Në fakt nuk ka qenë aventurë, siç thotë ai, por jeta që u varej në fije të perit. “Ka qenë prilli i 1978, kur kishim dalë për gjueti në liqen bashkë me Jovan Hilën, Shaban Topçiun dhe Ramazan Bllokun. Na kapi një erë e fuqishme me dallgë që nuk ishin parë ndonjëherë në liqen.

Era na ka përplasur nga Tueshemishti deri në Hudënisht, rreth 20 kilometra gjatësi”, kujton ai. Ka qenë një ditë e tmerrshme. Alarmi u dha në gjithë Pogradecin. U njoftua edhe “lart” dhe u dërgua një helicopter, por ai nuk kishte se çbënte sepse dallgët arrinin deri në 7-8 metra, aq sa shihnim Gurin e Topit në horizont. “Pas tetë orësh lufte me dallgët, as sot nuk e di si kemi shpëtuar”, e mbyll këtë histori rrëqethëse peshkatari Maqo.

Sigurisht që nuk mund të lerë pa përmendur edhe ndonjë shkatërrim që në këto vite i është bërë fushës së tij. “Në Gurras prodhoheshin 930 mijë rasate krapinë vit, është prishur. U ndërtua impianti i ujërave të zeza që prishi një investim shumë serioz të mbarështimit të peshkut. Ndërsa korani nga gjuetia pa kriter e gati 600 varkave pa liçencë po shfaroset”, ankohet ai.

Megjithatë ai është i kënaqur nga zanati i tij. “Na ka mbajtur me bukë”, thotë Maqo dhe përfundon i bindur katërcipërisht se edhe djali i tij i vetëm Eltoni do të ndjekë të njëjtën rrugë, peshkatar në Pogradec.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)