Mënyra e ushqyerjes konsiderohet si një nga shkaqet e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës, diabetit, disa formave tumorale, sëmundje këto që vitet e fundit po përhapen në mënyrë mjaft shqetësuese. Organizata Botërore e Shëndetësisë në udhëzimet e veta, nënvizon rolin e një ushqyerjeje të ekuilibruar për të qenë të shëndetshëm dhe për të parandaluar apo dhe trajtuar mjaft sëmundje.
Në vendin tonë vitet e fundit sëmundje si: diabeti, sëmundjet e aparatit kardiovaskular, apo dhe kanceri, po përhapen mjaft dhe për specialistët mendohet se një ndër shkaqet kryesore është një dietë jo e përshtatshme. Sot ne përdorim një dietë jo të përshtatshme me nevojat e organizmit. Dieta përmban shumë yndyrna, sheqer, kripë dhe është e varfër me fibra, minerale dhe vitamina. Ushqimet janë të përpunuara deri në atë pikë që nuk ngjajnë aspak me ushqimin natyralë. Për dr.Shefqet Deliallisi, i cili është i pari që studion në librin e tij “Ushqyerja dhe shëndeti. Shkenca e ushqyerjes”, duhet ditur se bazën e një ushqyerjeje të shëndetshme e përbën sasia e moderuar dhe larmia e ushqimeve. Me fjalë të thjeshta: shmangni sasitë e tepërta ose të pakta të çdo ushqimi. Nuk ekziston asnjë ushqim që i vetëm të sigurojë mjaftueshëm të gjitha elementët e domosdoshëm, për të garantuar shëndet. Prandaj është e nevojshme që dieta të përmbajë larmi ushqimesh, por kjo duhet bërë duke seleksionuar dhe njohur ushqimet e shëndetshme.
Piramida ushqimore
Në librin e tij ai këshillon një dietë të ekuilibruar, që do të thotë merrni elementët ushqimor të rëndësishëm, që sigurojnë energjinë e nevojshme për organizmin, në përputhje me nevojat e gjithsecilit. Ekzistojnë disa udhëzues që sugjerojnë dhe arrijnë të plotësojnë një mënyrë ushqyerje të shëndetshme. Më i njohuri është ajo që njihet si dieta mesdhetare, që në bazë të saj ka ushqimet me origjinë bimore si: buka, makaronat, frutat, zarzavatet, vaji i ullirit dhe konsumimi i moderuar i ushqimeve me origjinë shtazore. Për t’i vënë në praktikë rekomandimet rreth sasisë së elementeve ushqimorë që duhen konsumuar çdo ditë përdoren tabela, të cilat përcaktojnë sasinë e energjisë dhe përmbajtjen në proteina, yndyrna, karbohidrate, për secilin ushqim.
Ekziston ajo që njihet si piramida ushqimore, e cila i ndan ushqimet në 7 grupe, ku në grupin e parë futen: mishi, peshku dhe veza. Këto ushqime përmbajnë 18-20 % të proteinave. Në grupin e dytë renditen: qumështi dhe derivatet e tij, që janë burim i mirë proteinash të cilësisë së lartë, por dhe burime të kalciumit, fosforit, vitaminave A, B dhe D. Në grupin e tretë janë: drithërat, patatja dhe orizi, të pasura me vitamina dhe proteina. Më pas renditen legumet si fasulet, bizelet, bathët, thjerrëzat, të cilat përmbajnë vitamina, kripëra minerale dhe sasi yndyrnash “të mira”. Në vend të pestë renditen” yndyrnat që përdoren për gatim. Këto ndihmojnë për prodhimin e energjisë dhe sigurojnë acidet yndyrore esenciale. Në dy grupet e fundit janë zarzavatet dhe frutat, të cilat janë burim vitaminash, kripërash minerale dhe fibrave ushqimore.



Dieta që mbron shëndetin

Ruajtja e një balance mes karbohidrateve, yndyrnave, proteinave, vitaminave kripërave minerale garanton një ushqyerje të shëndetshme. Kjo duhet bërë sipas një skeme të përcaktuar ose siç quhet një piramidë ushqimore e shëndetshme.
Kështu karbohidratet që shpesh nënvlerësohen ndikojnë në peshën trupore, nivelin e sheqerit në gjak dhe luajnë rol të rëndësishëm në shfaqjen e obezitetit, diabetit dhe të sëmundjeve të zemrës. Ndërkohë, për sa i përket yndyrnave rekomandohet që të mos abuzohet me to. Ato konsiderohen si “armik” i zemrës dhe si një nga shkaqet kryesore që çojnë në obezitet, diabet tip 2, kancer të gjirit dhe të zorrës së trashë. Përdorimi i tepërt çon në rritje të nivelit të kolesterolit në gjak. Por duhet ditur se jo të gjitha yndyrnat janë të dëmshme, yndyrnat e pangopura, mbrojnë organizmin nga sëmundjet e zemrës. Proteinat, janë mjaft të rëndësishme, sepse marrin pjesë në formimin e antitrupave, duke forcuar sistemin imunitar, janë burim energjie dhe ndikojnë në mjaft funksione jetësore të organizmit të njeriut. Tashmë rolit të vitaminave, shkenca ka kohë që i ka atribuuar edhe parandalimin dhe mjekimin e mjaft sëmundjeve kronike, por dhe të kancerit apo sëmundjeve të zemrës. Nuk ka asnjë ushqim ideal që i përmban dhe të jetë burim i të gjitha vitaminave. Por sasia e domosdoshme e vitaminave mund të sigurohet nga çdo dietë e zakonshme e ekuilibruar, e shumëllojshme.