28/02/2011  Nuk njihet përdorimi i metodave kontraceptive , shtohen rreziqet ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme


Përveç sëmundjeve, fenomeni kërcënon edhe me probleme në formimin e këtij kontingjenti


Ulet mosha e pjekurisë seksuale edhe për shqiptarët. Tashmë marrëdhëniet seksuale në moshë të hershme nuk mbeten tabu për realitetin shqiptar. Gjatë viteve të fundit është vënë re një tendencë në rënie të theksuar e moshës kur të rinjtë, e veçanërisht moshat shkollore, fillojnë marrëdhëniet e para seksuale. Në aktivitetin e zhvilluar mbi rëndësinë e përdorimit të metodave të kontracepsionit, drejtoresha e maternitetit të ri “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, ka pohuar se studimet e fundit kanë treguar që kufiri mesatar i nisjes së aktivitetit seksual në vendin tonë ka rënë në moshën 13-14 vjeç. Ndërkohë që nuk përjashtohen edhe rastet sporadike, ku aktiviteti seksual është vënë re dhe në moshën 11-vjeçare,


kufi ky që shihet si tepër problematik, për shkak se fëmijët dhe adoleshentët në këtë moshë nuk janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që u kanosen. Këto rreziqe vinë gjithnjë e më shumë në rritje me kalimin e viteve. Sipas saj, pjekuria e hershme seksuale shihet si shqetësuese, pasi nxënësit nuk kanë informacionet e duhura, çka mund t’i dëmtojë ata gjatë rritjes. Po ashtu ata bien pre e një sërë sëmundjeve infeksioniste që prekin rrugët gjenitale, siç është kanceri i qafës së mitrës e të tjera me radhë. Ndërsa njohja me masat mbrojtëse, si dhe përdorimi i metodave kontraceptive në pjesën më të madhet të rasteve mungon, duke i ekspozuar këta të fundit drejt sëmundjeve të ndryshme seksualisht të transmetueshme, si dhe duke ndikuar negativisht në formimin e tyre të mëtejshëm. Specialistët pohojnë se fakti që pjesa më e madhe e të rinjve e fillojnë aktivitetin e tyre seksual që në moshën tepër delikate 13 deri në 16 vjeç është tepër alarmant, pasi mund të mbartë pasoja të rënda për formimin e tyre. Shkaqet që i çojnë drejt këtij fakti janë nga më të ndryshmet. Inicimi i aktivitetit seksual nga nxënësit e shkollave të mesme fillon që në moshën 13-vjeçare, në masë te djemtë dhe më pak te femrat. Ndërsa ajo që cilësohet si kufiri i lejueshëm për fillimin e aktivitetit të parë seksual, që është mosha 18 vjeç, konsiderohet i papërfillshëm. Kjo situatë prej specialistëve të fushës sociale shihet si shqetësuese, pasi nisja e aktivitetit seksual që në këtë fazë i ekspozon ata drejt situatave rriskuese, që mund të mbartin pasoja fatale për jetën e tyre, si dhe të ndikojë negativisht në formimin dhe edukimin e mëtejshëm psikologjik të tyre. Edukimi i hershëm i nxënësve mbi edukatën seksuale shihet si një ndër masat më të mira për zbutjen e efekteve që mund të vijnë nga pjekuria seksuale e hershme. Sipas Moisiut, është e nevojshme që për realitetin shqiptar të ndërhyhet në përmirësimin e kurrikulave shkollore, në mënyrë që nxënësve që në klasat e dyta apo të treta t’u jepen informacionet e duhura, në format e përshtatshme sipas moshave, duke i përgatitur ata gradualisht hap pas hapi për situatën.


Rrezikshmëria e pjekurisë së hershme seksuale


Ekspertët e shëndetësisë pohojnë se nisja e jetës seksuale që në moshë 13 apo 14 vjeç mund të ndikojë në shfaqjen e çrregullimeve të rënda psikologjike, që evidentohen me kalimin e kohës. Situata më problematike rezulton të jetë në kryeqytet, por nuk mbeten pas as rrethet në këtë drejtim. Sipas të dhënave, rezulton se të rinjtë janë të ekspozuar ndaj marrëdhënieve seksuale që në vitin e parë të gjimnazit (madje tani me ndryshimin e strukturës arsimore vërehen raste sporadike edhe në arsimin e detyruar tek nxënës të klasave të teta apo të nënta). Lidhur me këtë problematikë, punonjësit socialë dhe psikologët kanë kërkuar që të ndërhyhet në zbutjen e këtij fenomeni dhe pasojave që lë në mënyrë të menjëhershme te formimi dhe rritja e këtyre grupmoshave. “Veprime të tilla janë të prirura që të shfaqin një jetë sociale të paqëndrueshme, si dhe karrierë të dobët, që përjetohet nga të rinjtë, çka dërgon në shfaqjen e traumave psikike që përjeton kjo kategori, pasojat e së cilës vinë me kalimin e kohës”, thuhet prej tyre. Rënia pre e sëmundjeve të rënda infeksioniste


Përkundrejt problematikës së nisjes së hershme të pjekurisë seksuale mbetet edhe marrja e informacioneve të duhura mbi metodat kontraceptive të mbrojtjes. Kjo kategori me kalimin e viteve bie pre e një sërë sëmundjesh, veçanërisht infeksioneve që prekin rrugët gjenitale. “Pjekuria seksuale e hershme bëhet shkak për prekjen nga sëmundje të ndryshme infeksioniste. Kjo pasi vetë të rinjtë në këtë moshë nuk janë ende të ndërgjegjshëm siç duhet për rreziqet që u kanosen”, pohon Moisiu. Një ndër më problematiket mbetet edhe kanceri i qafës së mitrës. Megjithatë, specialistja e shëndetit publik, Lumturi Mërkuri, ka pohuar se në këtë drejtim po diskutohet mundësia që në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, në kalendarin kombëtar të vaksinave të përfshihet edhe vaksina mbrojtëse ndaj kancerit të qafës së mitrës, e cila listohet në kategorinë e vaksinave të shtrenjta. Por me përfshirjen në kalendar shteti mund të ndërhyjë në rimbursimin e kësaj vaksine, në mënyrë që të shmanget edhe rreziku i sëmundjes, që në shumë raste mund të mbartë komplikacione të rënda.


Abortet, zgjidhja e preferuar e


shtatzënive të padëshiruara


Ndonëse ekzistojnë mbi 17 lloje të ndryshme metodash kontraceptive, të cilat luftojnë shtatzënitë e padëshiruara, abortet mbeten ende një zgjidhje ndaj tyre. Fatkeqësisht, abortet që kryhen në vendin tonë qoftë në sistemin publik, ashtu dhe në atë privat mbeten në nivele shqetësuese, ndërkohë që rrezikshmëria e tyre mbetet e lartë. Vetëm materniteti “Koço Gliozheni” në kryeqytet raporton 700 aborte të kryera në vit. Po kaq është edhe shifra e aborteve të kryera në maternitetin e vjetër të kryeqytetit. Ndërsa shifrat për klinikat private mbeten të pacaktuara, për shkak se këto të fundit në masë nuk e raportojnë një fenomen të tillë. Ndërkohë që në total prej strukturave të shëndetësisë raportohen në vit rreth 6 mijë aborte të kryera në strukturat publike. Kjo shifër ende nuk mund të quhet e saktë, për sa kohë aktiviteti i strukturave private lulëzon nën dorë. Megjithatë, specialistët e shëndetit pohojnë se zgjidhja e kësaj problematike do të ishte përdorimi i metodave të kontracepsionit, duke shmangur kështu mundësinë që aborti të shihet si një metodë kontracepsioni. Por përdorimi i tyre mbetet ende në nivele tepër të ulëta, çka konfirmohet me faktin se rreth 67 për qind e popullatës përdor mënyrat tradicionale për ndalimin e shtatzënive të padëshiruara.