04-05-2013 / Nga Adrian Roshniku.

Këto pjesë të arta janë marrë nga mbledhja e nivelit të lartë të PS, pa debate, pa pyetje e propozime, ku kryetari zhurmues i humbjeve, sqaroi “programin rilindas” para vartësve sy e vesh gjysmë mbyllur që heshtnin të nemitur në pritje të caktimit në listën e kandidatëve për deputet e “minister”. Midis të tjerave ai u shpreh me metafora e fjalë të rralla nga sociologjia, astronomia, arti skenik e muzikor, si “stonaturë”, “sfera e hemisfera ekzekutive”, “kukuveshi”, “ngjitur si m…pas këpucës”, “provokator“  etj.. Termin  stratosfere,  mesa u mor vesh, e la për një rast tjetër. Në fund e mbylli me fjalët optimiste: “Saliu deri më sot nuk ka bërë asgjë! Të gjitha do t’i bëjmë ne sipas motos nga shumë, shumë pak, të bëjmë shumë, shumë, shumë!”
Ja disa pjesë të ngjashme me pikturat abstrakte njëngjyrëshe, të kuqe flakë, që sado të vrasësh  mendjen  s’arrin të kuptosh seç ka dashur të thotë ish-piktori ynë. 
-Për punësimin: nga 1 milionë të papunë, në katër vitet e ardhshme do të punësohen 300 mijë vetë. Pra, 700 mijë të tjerët  do të lahen e do të nxihen  në plazhin e vjetër të Vlorës. Pastaj me ndihmën e taksës progresive, 300 mijë vetët do të bashkohen me 700 mijë të papunë dhe si në komunizëm do të luajnë domino, tavëll e shah, së fundi me lugë të florinjta do të hanë pula të pjekura me pilaf e bakllava.
-Për Bujqësinë: në Malësinë e Madhe në tokat djerrë të mos kultivohet sherebela (Për çudi, kjo bimë mjekësore seç ka diçka që përkon me emrat sher bela të kukuveshit kryetar). Në vend të saj të mbillet hashash për shokët e vjetër të partisë, si Dokle e Ruka, Dade e Leskaj, që vuajnë nga pagjumësia. Në Myzeqe në vend të lakrës të mbillet kanabis sativa, në vend të ullinjve lule dielli për shitje me kausha nga letrat e gazetave Zëri Popullit dhe Tema mbi Urën e Goricës në Berat, me përkrahjen e kryetarit të Bashkisë. Te sigurohet ushqimi në vend sipas parimit me forcat tona. Hollësira se ç’është ky ushqim, t’i paraqesë ish-kooperativisti Taulant Balla i Librazhdit. Në vend  të autoveturave të përdoren magjarët, në vend të traktorit shata.
-Per infrastrukturën: ndalohet kalimi nëpër rrugët e urat e Saliut! Në dalje të Rrëshenit dhe në fillim të unazave në Fushë-Krujë e Fier, të vendosen tabela Stop. Para tuneleve të Kërrabës të ngrihet një postobllok me roje e qenë kufiri. Në hyrjet e autostradave drejt jugut të ndërtohen barrikada me goma të djegura, bie fjala para bulevardit që zgjatet nga Lini në Pogradec. Rruga Tiranë-Elbasan të ndërtohet nga e para nën drejtimin e Ilir Bejtes me gjashtë tunele, të ngjashme me tunelet pa dalje të nënës Parti. Të miratohet kërkesa e ish-kryeministrit Majko të taksë së zhdukur dhe të deputetit Braçe, për prishjen e Rrugës së Kombit dhe hapjen e tuneleve nëndetare nga Shëngjini në Sarandë, nga Vlora në Otranto. Sipas projekt-idesë së Fatmir Toçit, nga Vlora në Gjirokastër të ndërtohet një rrugë qore e dytë ushtarake gjatë lumit të Shushicës paralel me rrugën e vjetër deri në Kuç. Më sipër udhëtimi të vazhdojë hipur mbi mushka deri në Rrapin e Mashkullorës, ku shoku Enver takohej  gju më gju me popullin. Për rrugët e Saliut merrni metrin dhe bëni matjet me kilometra katrorë, kurse Majko moja me centimetra.
-Për elektrifikimin: të miratohet propozimi i Dash Pezës për ndërtimin e mullinjve me erë  te Përroi i thatë afër Pezës e te Lumi i vdekur  për betejat e Don Kishotit, dora vetë, e Sanço Panços së LSI.
-Per kufijt detarë: t’i kërkohet ndjesë mikut Ilir Meta për sulmet  e padrejta kundër  tij, kur shprehej se nga deti ynë nuk kemi humbur asnjë pikë, përkundrazi kemi marrë ujra më shumë. Tani siç dihet ato shërbejnë për ngjalat.
-Për mbrojtjen e ambientit: të mobilizohen Ferrunët e ishkooperativave që impiantet e pastrimit të ujërave të ndohtura të shpallen si prishës të natyrës, që zhdukin qeniet e gjalla, mishkonjat, bakteret e mizat tok me fekalet aq të nevojshme.
-Për turizmin: të ndalohet ardhja e turistëve, sidomos nga Kosova. Me Qeverinë e ardhshme të rilindasit druzhe Rexhep Qose, të bisedohet  për mundësinë e lidhjes së traktatit  të miqësië midis Shqipërisë  socialiste dhe Republikës “multietnike” të Kosovës.
Për arsimin, artin e kulturën: ngarkohet shoku Rruçi, i cili emrin qeveria e shqipton saktë “qevrria”, të drejtojë kurset e analfabetizmi për anëtarët  e PS  të çdo moshe. I pari të regjistrohet Taulant Balla, ndërsa Saimir Tahiri të merret me krijimin e laboratorëve të tipit sigurims, për sajim fotosh me ndihmën e kompjutërve. Për shembëll, Braçes t’ia zmadhojë kokën vogëlushe, Iliri Bejtes t’i hiqet tulla  e madhe e t’i ngjitet koka e Ramës. Katër partitë komuniste me përkthyesit e tyre të ribotojnë veprën e shokut Enver “Reziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”.. Pastaj të gjejnë skulptorë të realizmit socialist për rivendosjen e shtatoreve e busteve të tij, aty ku ishin më parë dhe të hiqen shtatoret e të huajve. Monumenti i Skënderbeut me ndihmën e Edmond Dules t’i jepet Athinës për ta vendosur para muzeut, ku është  ekspozuar portreti me emrin Jorgos Kastriotos, fundja edhe serbëve meqenëse sipas një historiani të huaj i ati quhej Ivan dhe nëna Vojsavë. Shoku Cac Angjeli, të ngarkohet për të zbuluar thesaret muzeale të shokut Enver në Gjirokastër, kurse kryetari i Bashkisë së Korçës të shkarkohet nga përgjegjësia për zhdukjen e pikturave të Mios.
-Për pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv të parashikohen fondet shtesë në buxhetin e shtetit  për pagat e ministrave nga një krah dhe për deputetët nga krahu tjetër, duke mos harruar dhe fondet për gjallërimin e 40 partive motra dhe forumeve të tyre. Të gjithë ata që kanë lidhje gjaku me politikanët, edhe po të jenë me shkollë të lartë, të ulen në stola buzë rrugëve e të lypin lëmoshë nga kalimtarët.
Për takimet me votuesit:- kryetari ngarkohet të jap shfaqje me kukuvesha në Vlorën e daj Kolekës, ku për çdo rast do të këtë afër spitalin historik.
-Për lidhjet me shtypin e mediat: të gjithë deputetët e PS të marrin shëmbëll nga Gramoz Ruci që shtyn energjikisht reporterët “provokatorë”, apo nga Namik Dokle e Ben Blushi që nuk ndalen para tyre, por vazhdojnë ecjen trimërisht. 
-Shoku Anastas Angjeli si kompetent pasurish sekrete të siguroj fondet e nevojshme me ndihmën e ekonomistëve të LSI  pranë BE, për arritjen e gjithë  këtyre objektivave madhore.
Sipas shtypit hartimi i listës private të kandidatëve për deputet mendohet të jetë angazhimi i fundit politik i Edi Ramës në këtë fushatë elektorale. I pajisur me sondazhet që i konfirmojnë humbjen në zgjedhje po përgatit qysh tani kartën për mos njohjen e rezultatit të votimeve, duke fajësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë qëllim të mbrapsht tërhoqi përfaqësuesit e PS..Ndërkohë përpara kësaj situate të pashpresë propagandistët e PS  shpërndajnë me dinakëri tymnajën e mandatit të qeverisjeve.  Shumë vetë mbajnë mend se pas tetë vitesh me një qeveri të korruptuar, kandidatët socialistë edhe në votimet e vitit 2005 për mandatin e tretë të nxitur nga Gramoz Ruçi vrapuan nëpër gjykata e tyre për mbajtjen e pushtetit të humbur. Edhe në vitin 2009, kur Partia Demokratike dhe aletët e saj po mbyllnin vitin e katër të qeverisjes me arritje të dukshme në çdo drejtim Edvin Rama dhe sejmenët e tij kërkuan me këmbëgulje kthimin e pushtetit përmes një fushate të egër me konfrontime e protesta të papara ndonjëherë. Edhe në vitin 2011 ishte Edvin Rama ai, që u orvat për mandatin e katërt në krye të Bashkisë së Tiranës, por u ndëshkua nga vota e qytetarëve të saj për bëmat e tij 11 vjeçare. 
Tashmë Qeveria Demokratike me aleatët e saj po shkojnë drejt votimeve të 23 Qershorit pas një pune të jashtëzakonshme në shërbim të qytetarëve në qytet e fshat me një program më të gjerë e konkret  për katër vitet e ardhshme me moton: Ne Jemi ndryshimi. Përpara!
Me çfarë do të merret më pas Kukuveshi i gjorë, Edvin Rama?





...