Për herë të parë mendimi shqiptar i viteve ’30-të zgjon intelektualët e sotëm, por dhe burokracinë zyrtare, të politikës, në një veprimtari shkencore - si njohje të personaliteteve që u përfshinë në jetën politike, sociale e kulturore të vendit në vitet 1870-1945 nga shkollat shqipe. Censura nga diktatura, fshirja nga kujtesa dhe referenciali i sotëm i ka lënë ende në heshtje përballë inkonsekuencave të programeve shkollore që ka miratuar deri tani Ministria e Arsimit. Pse kemi frikë të njohim veten? Është një nga pyetjet më kardinale që ka udhëhequr elitën e viteve ’30, për ta bërë ende këtë pyetje edhe sot, si një nga shkaqet e plagëve të shoqërisë shqiptare








Personaliteti i shquar i historisë shqiptare, Stavro Skëndi, një historian profesionist i arratisur në Amerikë në 1945 për bindjet e tij balliste në librin "Historia e Rilindjes Kombëtare", botuar në Universitetin e Princtaun-it në Nju Xhersi, një theks të veçantë në këtë libër voluminoz i kushton zgjimit të vonuar të shqiptarëve për të fituar lirinë politike. "Shqiptarët, ndonëse një popull luftarak dhe liridashës, ishin të fundit që u kujtuan për zgjimin e tyre kombëtar dhe ndryshimet e tyre hera-herës i përcjellin me tronditje", - shkruan autori. Zgjimi i vonuar i tyre për t'u ngritur e për të fituar lirinë është një nga shkaqet e çdo prapambetjeje kombëtare për historianin Stavro Skëndi.


Po në këtë vazhdë, Mehdi Frashëri në librin e tij "Probleme shqiptare" shkruan: "Otomanët ikën nga Ballkani, por për fat të keq si populli më i mbramë i Perandorisë provuam padrejtësitë më të mëdha dhe pasojat më të rënda".


Krist Maloki, një mendimtar brilant i viteve tridhjetë, sëmundjet tona shoqërore i shikonte te filozofia që sollën pushtimet e huaja, sidomos dy perandoritë që qëndruan disa shekuj me radhë, pra problemin e shihte tek orientalizmi.


Komunizmi është historia bosh, pa ekzistencë mendimi, pa kushte të një zhvillimi të debatit intelektual përveçse ekzutimit të tyre, dhe mohimit.


Në këtë kontekst të qëndrimit mbrapa, apo të zgjimit të vonuar, mund të shikohet konferenca shkencore që mbahet sot, për mendimtarët shqiptarë të viteve ’30, dhe njohjen e tyre në shkollat shqipe, të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e të Shkencës. Është një listë e gjatë e personaliteteve kur mendimi shqiptar vjen më i përfaqësuar nga të gjitha kohërat. Por a e dinë këtë zotërinjtë që bëjnë bordet në Ministrinë e Arsimit, ku prej 20 vitesh liri –ende nuk janë nxjerrë nga censura e diktatura këto personalitete? Fakti është i qartë në tekstet shkollore, si ato të mesme, ashtu dhe parauniversitare, nuk gjendet asnjë emër nga kjo listë: Anton Harapi, Branko Merxhani, Zef Valentini, Eqerem Bej Vlora, De Rada, Sami Frashëri, Vangjel Koça, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Faik Konica, Fan Noli, Stavro Skëndo, Tajar Zavalani, Vaso Pasha, Gjergj Fishta, Gjon Shllaku, Ismet Toto, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Jorgji Meksi, Nebil Çika, Nonda Bulka, Zef Krispi, Safet Butka, Getano Petrotta, Sejfulla Maleshova, Vinçens Dorsa, Namik Resuli. Një pjesë e mirë e kësaj elite intelektuale - që nxitën mendimin dhe mbahen gjatë në kujtesë në vitet ’30 – janë botuar nga ente private, pa ndonjë nismë institucionale apo ministrore.


Botuesi, publicisti dhe studiuesi Ndriçim Kulla që ka botuar një pjesë të mirë të kësaj plejade, duket se është një epigon i kësaj nisme, pasi nuk është hera e parë që sensibilizon mbi këtë situatë - mungesë totale, indiferentizëm, injorancë të njerëzve që bëjnë programet e shkollave. “Kjo është një mungesë shumë serioze në procesin e mësimdhënies së shkollës sonë, sepse përveç të tjerash, tërë ato dije që po na vijnë nga kultura botërore, nuk mund të përvetësohen si duhet pa u shartuar me mendimin shqiptar”, - ka qenë ndër reagimet që Kulla ka pasur në një replikë, letër të hapur drejtuar para pesë viteve Ministrisë së Arsimit, prej së cilës asnjëherë nuk mori përgjigje. Ndërsa lista e leximeve që propozonte ministria, nuk ndryshonte shumë nga ajo e kohës së diktaturës, duke u freskuar me inkonsekuenca deri në gafa emrash, mosnjohje autoritetesh letrare. “Problemi i tyre është i përhershëm, që çalon një hartografi dhe skicografi e lëndës shpirtërore të letërsisë në shkollat e mesme dhe universitete. Nuk u drejtohen njerëzve që i dinë, që kanë një njohje, një ndjeshmëri dhe profesionalizëm në shkallë të caktuar. Dhe çfarë dëshmojnë? Dëshmohet për shembull instituti i kurrikulave të standardeve që bën programet, dëshmon një injorancë, ose të themi në gjuhën latine obskurancë të thellë në njohjen e letërsisë”, - është shprehur shkrimtari, pedagogu, studiuesi Agron Tufa.


Kurse ajo plejada për të cilën po flasim, dhe që pritet të tubohet nesër si shenjë e “zgjimit të vonuar” të shqiptarëve - do të vihet në vëmendjen e historianëve, shkrimtarëve, studiuesve, kulturologëve nga të gjithë trevat shqiptare për ta ngritur këtë traditë të mendimit shqiptar në aktualitetin e sotëm të shkollave shqipe. Në njohjen e një reference të domosdoshme për të marrë vesh cilët jemi.


Ligjërimet sensibilizuese do jenë: kulturologu Arbën Xhaferri, vjen nga Maqedonia për të treguar “Orientimi europerëndimor i intelektualëve shqiptarë në vitet 1920-1940”; botuesi Ndriçim Kulla kthen vëmendjen mbi etikën e përgjegjshmërinë e etërve tanë themelues; Gjergj Sinani, shefi i departamentit të filozofisë në Universitetin e Tiranës do na njohë me perceptimin e tij mbi “Kritika e disa mundësive për zgjidhjen e problemeve social-historike”; Zyhdi Dervishi, pedagog ne Universitetin e Shtetëror të Tiranës, me “Rrezatime aktuale të koncepsioneve të kulturës në mendimin shqiptar të viteve ’30 të shekullit XX”; Uran Butka, studiues, kërkon shtrirjen e njohjes me “Edukimi i brezave përmes mendimit të Mit’hat Frashërit”; kritiku dhe shkrimtari nga Kosova, Sabri Hamiti, me fjalën “Kritika e Krist Malokit”; Agron Tufa na njeh me “Memuaristika françeskane dhe vendi i saj në traditën letrare”; Nevila Nika, drejtore e Arkivit Qëndror të Shtetit, me “Grupi i të rinjve” i viteve ’30-të dhe Enti Kombëtar “Djelmëria shqiptare” etj. Ndërsa në pasditen vonë do të jetë dhe një tryezë e rrumbullakët me “Politikat kulturore dhe arsimore mbarëkombëtare” me pjesëmarrjen e pritur të Ismail Kadaresë, Arbën Xhaferrit, Sabri Hamitit, Fatos Bejës, ministër i Arsimit dhe Shkencës, dhe homologu i tij, Enver Hoxhaj, ministër i arsimit shkencës dhe teknologjisë, në Republikën e Kosovës, si dhe Rrok Gjolaj, këshilltar i parë i ministrit për arsimin e pakicave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Republika e Malit të Zi.


Mendimi intelektual hedh dritë mbi elitën e viteve 1870-1945, me të cilët lexuesi njihet në koncentratin e botimit “Antologjia e mendimit shqiptar 1871-1945”.


Botuesi i saj, Ndriçim Kulla, si duket nuk ia ka dalë zyrtarisht të çajë burokracitë, ku më parë është shprehur se kjo mungesë është shumë serioze në procesin e mësimdhënies së shkollës sonë, sepse përveç të tjerash, gjithë ato dije që na vijnë nga kultura botërore, nuk mund të përvetësohen si duhet pa u shartuar me mendimin shqiptar. Ndihma politike dhe shtetërore që ka kërkuar prej vitesh Kulla gjithnjë ka qenë e refuzuar. Mund të duket si ogur ky zgjim institucional, zyrtar, për të mos mbetur pjesë e një fushate emocionale, por e një detyrimi moral.


Në mos, edhe këtë veprimtari do ta quajnë padyshim zgjim i vonuar i shqiptarëve, për të kuptuar plagët tona shoqërore, ashtu sikurse iu vunë intelektualët e viteve ’30, si njohje e vetvetes.