Planifikimi familjar nga çiftet e reja ndikon në krijimin e një bërthame familjare të qetë dhe të lumtur. Por ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare në këtë pikë vlen për t’u diskutuar, ndonëse shumë syresh e kanë bërë edukatë përdorimin e kontraceptivëve në jetën e tyre bashkëshortore, për shumë të tjerë mungon edhe informacioni bazë. Për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për rëndësinë e përdorimit të kontraceptivëve bashkëkohorë, USAID-i po kontribuon për ndryshimin e sjelljes në planifikimin familjar. Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) prezantoi dje një seri mesazhesh për momente të lumtura me njeriun e zemrës, duke përdorur metodat kontraceptive bashkëkohore për të parandaluar shtatzani të paplanifikuara. Nisma e re, që zbatohet nga programi, “Komunikimi për Ndryshimin e Sjelljes në Planifikimin Familjar në Shqipëri” (C- Change FP in Albania), përqendrohet për rritjen e përdorimit të metodave bashkëkohore kontraceptive, për të sqaruar keqkuptimet në lidhje me efektet anësore dhe për të pakësuar përdorimin e metodave tradicionale, kryesisht për të rinjtë dhe të rejat e moshës 18-35 vjeç. "Shumë nga çiftet shqiptare, tashmë e kanë të qartë konceptin e planifikimit familjar, por bazohen kryesisht në metodat tradicionale, të cilat nuk janë shumë të besueshme, ashtu siç janë metodat bashkëkohore kontraceptive të tilla, si: pilulat kontraceptive, prezervativët dhe injeksionet kontraceptive", - tha Berengere de Negri, drejtore e projektit. "Me përdorimin e metodave bashkëkohore, jeni të sigurt në parandalimin e shtatzanive të paplanifikuara dhe do të keni më shumë momente të lumtura dhe qetësi shpirtërore". Në ceremoni ishte e pranishme dhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberata Mahoney, e cila tha se qëllimi i kësaj përpjekjeje është të ofrojë për shqiptarët një mundësi për një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme. Mahoney, gjithashtu theksoi nevojën për vazhdimin e investimeve në sektorin e shëndetësisë si një standard i rëndësishëm për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Mahoney u shoqërua nga ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, si dhe nga bashkëshortja e Kryeministrit, znj. Liri Berisha.