Plazhi 100-vjeçar, si ndryshoi brenda një shekulli nga dunat e rërës, tek pallatet dhe vilat shumëkatëshe


Që prej dy javësh, mbi 80 punonjës dhe 18 automjete po pastrojnë vijën bregdetare në plazhin e Durrësit, pasi në Qershor kur hapet zyrtarisht sezoni i ri veror, këtu në plazhin më të madh, pritet të mbërrijnë qindra mijë pushues, kryesisht shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, të huaj dhe qytete të ndryshme. Drejtori i ndërmarrjes komunale të Plazhit, Ali Karaj tha se nga vija bregdetare prej 3.4 km nga ura e Dajlanit, deri në plazhin Iliria, janë larguar rreth 8 mijë metër kub leshterikë dhe mbetje të tjera detare, të depozituara gjatë stinës së dimrit. Në këtë aksion, bashkë me mjetet e ndërmarjes janë bashkuar edhe fadromat dhe automjete të tjera vetshkarkuese të subjekteve private turistike të plazhit të Durrësit. "1 Maj do të jetë prova e parë për të gjithë ne, pasi dihet se mijëra qytetarë shfrytëzojnë mjediset e plazhit për të festuar familjarisht", thotë Karaj. Sipas tij, këto ditë ka nisur puna për pastrimin nga grumbujt e rerës të trotuarëve të shëtitores, ndërsa gjatë gjithë muajit maj do të punohet për plugimin, frezimin dhe dizinfektimet ndaj insekteve dhe bakterieve në të gjithë sipërfaqen e rërës në plazhet e Durrësit. "Në fillim të muajit qershor plazhi i Durrësit do të ketë gjithcka duhet për një sezon të mbarë turistik", thotë Avniu, një prej punëtorëve të ndërmarrjes, ndërsa shton se në territorin prej 18 ha me rërë, do të vendosen mbi 150 kosha plastikë për mbeturinat ditore. Ndër masat më të mira për këtë vit, Karaj shton se 105 kontejnerëve për evadimin e mbeturinave nga zonat e banuara, do t'i shtohen edhe 25 të tjerë, ndërsa do të shtohen për 4 muaj edhe 30 punëtorë të rinj sezonalë brigadës me 86 punonjës të ndërmarrjes komunale të Plazhit në Shkozet, me qëllim, funksionimin më të mirë në sektorin e shërbimeve ndaj pushuesve. 


Edhe Bashkia e Durrësit për herë të parë parashikon angazhimin e 20 punonjësve të punësuar me kohë të pjesëshme, në kuadër të projektit "Punësimi në komunitet", thotë Karaj. Sipas tij, Plazhi është një hapësirë dinamike, gjithnjë në lëvizje dhe është e vështirë të përcaktosh numrin e saktë të bizneseve ambulante, apo pushuesve. Në periudhën 15 korrik-20 gusht 2008, në hotelet, banesat dhe dhomat e dhëna me qera nga banorët e plazhit pushuan mbi 200 mijë turistë. Zakonisht në dimër në këtë lagje të Durrësit nuk jetojnë më shumë se 30 mijë banorë, pra sezoni veror e 6-7-fishon numrin e "popullsisë", me vizitorë të rinj të ardhur për pushime.


Një shekull me ndryshime


Në fillim të shekullit të kaluar, zona e Plazhit klasifikohej "tokë bujqësore". Rëra me vlera mjaft kurative kishte pamjen e dunave të mbuluara me gjineshtra, ferra dhe bar. Rruga nacionale Durrës-Kavajë e shtruar me kalldrëm, në segmentin ura e Dajlanit-Plepa kalonte pikërisht aty, ku sot ndodhet rruga e re moderne me gjashtë korsi. Më vonë kjo vijë do të shërbente për të ndarë konvencionalisht zonën turistike nga toka bujqësore. Sipas dëshmive të Eqrem Shijakut, pinjoll i njërës prej familjeve më të njohura të qytetit bregdetar, në vitet ’20 të shekullit të kaluar, më shumë se 50 familje nga Durrësi, Tirana, Berati etj., ndërtuan shtëpitë e para palafite prej druri brenda në det. Megjithëse banjot ndodheshin në bregdet, familjet morrën urdhër nga bashkia e qytetit që për shkak të rrezikut të epidemive ti largonin nga uji banesat me forma prehistorike.


Në fillim të viteve 30-të, Oborri mbretëror ngarkoi Bashkinë e Durrësit dhe një grup specialistësh që të hartonin planin rregullues për plazhin, i cili përfshinte të gjithë territorin e tij,  nga rruga nacionale deri në bregdet, me një gjatësi nga 200-800 metra dhe me gjërësi mbi 4 km, dhe e gjithë kjo sipërfaqe, në dokumentat e kohës emërtohej thjesht "Banjat". Në Këshillin e qarkut disponohen sot dokumente dhe harta të kësaj periudhe, ku shihet ndarja në 300 parcela, me sipërfaqe 400 dhe 500 metra katrorë secila, të renditura në katër radhë nga bregu i detit, deri në rrugën nacionale.


Bashkia e Durrësit ua shiste parcelat pronarëve, që sipas planit urbanistik duhet të ndërtonin vetëm në gjysmën e sipërfaqes së blerë, pasi duhet t'i jenin përparësi gjelbërimit. Sipas një dokumenti të kohës, deri në vitin 1936 në zonën turistike të Banjave ishin ndërtuar 82 vila 1-2 katëshe, vlera e ndërtimit të të cilave lëvizte nga 1.500 deri në 5000 franga ari. Ndërtimet sipas planit rregullator vijuan intensivisht deri në prag të Luftës së dytë Botërore, ndërsa më pas, popullsia e Durrësit u shpërngul thuajse tërësisht në Tiranë dhe Kavajë për shkak të luftës.


Pas vendosjes së diktaturës komuniste, në vitin 1946 të gjitha vilat e plazhit u shtetëzuan, ndërsa pronarët e tyre u detyruan të jetojnë si të mundeshin. Vilat fillimisht u përdorën si shtëpi pushimi për punëtorët, ndërsa më pas, një pjesë e tyre u kthyen në vila pritjeje për udhëheqësit e partive të huaja marksiste-leniniste dhe si shtëpi pushimi për drejtuesit dhe funksionarët vendas. Ndërkohë rreth 1.2 km plazh në stabilimentin Iliria u militarizua plotësisht. Atë që nuk arriti ta bëjë mbreti Zog në zonën me pisha të Plepave, që quheshin Banjat Mbretërore, e realizuan drejtuesit e lartë komunistë, të cilët ashtu si në Tiranë, krijuan edhe në plazhin e Durrësit një territor disahektarësh, ku askush nuk mund të afrohej, dhe që njihet ende sot me emrin gati mistik "Blloku i udhëheqësve".


Nga Currilat, në Plazhin e madh


Qytetarët durrsakë filluan ta frekuentojnë masivisht plazhin vetëm në fillim të viteve ’60. Deri në atë kohë ata i drejtoheshin plazhit të Currilave në veriperëndim të qytetit. Në këtë periudhë në Plazhin e ri nisën të ndërtohen disa godina masive si komplekset  hoteliere me arkitekturë të dukshme sovjetike, në të cilin, u vendos në qendër hotel "Adriatik", me dy çifte hotelesh "Butrinti" & "Durrësi" si dhe "Kruja" & "Apolonia" në të dy krahët e tij. Pak më larg, u ngritën godinat e shtëpisë së Pushimit të punëtorëve me rreth 600 shtretër gjithsej. Plazhi i Durrësit u kthye në ato kohë në pikën verore më të frekuentuar dhe e kërkuar vecanërisht nga intelektualët dhe studentët nga gjithë vendi, familjet e të cilëve, të gjitha kursimet vjetore synonin t'i shpenzonin në Plazhin më të madh të vendit. Dhe për të siguruar dy javë pushime në një nga dhomat me sipërfaqe dhe komoditet minimal duhej patjetër rekomandim nga shteti. Në mesin e viteve ’80 plazhi i Durrësit iu nënshtrua një sistemimi masiv, që mbeti i papërfunduar për shkak të ndryshimeve të tranzicionit. Gjelbërimi i vjetëruar dhe i rrezikshëm me plepa, nisi të zëvëndësohej me pisha dhe eukalipte, ndërsa paralelisht me rrugën automobilistike, u ndërtua një trotuar i mjaftueshëm në shërbim të kalimtarëve pushues.


Hoteli i ndertuar 70 vite më parë nga durrsaku Rexhep Breshka në stabilimentin Hekurudha, ishte simboli i fundit, që u rrafshua në fundin e viteve ’80, ndërsa urat prej druri, që zgjateshim vetëm pak metra në det, u zëvëndësuan nga urat prej betoni, të cilat edhe sot i drejtohen thellësive. Plazhi i Durrësit aktualisht është destinacioni turistik i preferuar për dhjetra mijë pushues nga vendi, Kosova dhe Maqedonia e të huaj, të cilët gjejnë mikpritje dhe dëshirë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve ndaj turistëve.



...