Artan CENA

TIRANË - Oficerët e Policisë Gjyqësore do të kenë trajtim të ndryshëm tani e tutje, jo si më parë. Me botimin në Fletoren Zyrtare të ligjit, tanimë pritet vetëm hyrja në fuqi e tij, që do të bëhet në datën 10 shtator. Në ligjin e miratuar nga Kuvendi, flitet për rritje pagash të OPGJ-së (Oficerëve të Policisë Gjyqësore), si dhe ndryshime në sistemin e vlerësimit të tyre, lëvizjen në rrethe, emërimet dhe shkarkimet. Gjithashtu përcaktohen në mënyrë të qartë dhe ndëshkimet që do të marrin oficerët e Policisë Gjyqësore nëse gjatë punës së tyre u gjenden shkelje. Në ligjin e miratuar janë përcaktuar qartë dhe kushtet kur një oficer i Policisë Gjyqësore mund të tërhiqet, të heqë dorë nga një çështje. Ndërkaq që është qartësuar dhe puna që do të bëjnë ata dhe mënyra e saj.

Emërimet dhe transferimet

Në ligjin e ri është hequr numri i ngurtë i juristëve që duhet të përbëjnë Policinë Gjyqësore, jo domosdoshmërisht 1/4 e personelit. Ndryshimi tjetër në nenin 8 ka të bëjë me shtimin e një paragrafi për forcimin e pozicionit të pjesëtarëve të seksioneve gjyqësore gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, si një garanci procedurale ndaj ndërhyrjeve apo presioneve. Konkretisht, ata nuk mund të hiqen nga veprimtaria e Policisë Gjyqësore përveçse me pëlqimin e prokurorit të Përgjithshëm dhe nuk mund të zëvendësohen apo të hiqen nga hetimet që u janë ngarkuar, pavarësisht momentit procedural në të cilin ky hetim ndodhet, përveç me vendim të drejtuesit të prokurorisë. Një nen i veçantë është për transferimin apo ngritjen në detyrë të agjentëve të Policisë Gjyqësore, si dhe marrjen e pëlqimit të prokurorit të Përgjithshëm për këto lëvizje. Janë përcaktuar, gjithashtu, edhe kushtet kur oficeri heq dorë apo hiqet nga një hetim, si dhe kushtet e lirimit apo shkarkimit nga detyra. Në ligj janë përcaktuar rastet e procedimit disiplinor të punonjësve të Policisë Gjyqësore kur konsiderohen shkelje, llojet e masave disiplinore, si dhe trajnimin e vazhdueshëm dhe të detyrueshëm të këtyre oficerëve gjatë kohës që ushtrojnë funksionin e oficerit apo agjentit të Policisë Gjyqësore.

Vartësia dhe shkolla

Me ligjin e ri të OPGJ-së ruhet organizimi aktual, por duke shtuar në të specialistë të fushave të ndryshme, të emëruar nga prokurori i Përgjithshëm, të cilët do të kryejnë detyra ekspertize. Në ligjin aktual, prokurori i Përgjithshëm kishte kompetencë emërimin e personelit, ku një e katërta ishin juristë. Në këtë institucion, me ligjin e ri, tani përfshihen dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Një tjetër pikë e rëndësishme është dhe niveli i përgatitjes të oficerëve të Policisë Gjyqësore krahasuar me ata të emëruar nga Policia e Shtetit. Për këtë qëllim është miratuar që të ketë trajnime të detyrueshme. Gjithashtu, përcaktohet prerë që varësia e oficerit të Policisë Gjyqësore do të jetë nga prokurori, i cili drejton dhe kontrollon veprimtarinë e saj duke disponuar personelin dhe duke shfrytëzuar çdo shërbim të kësaj policie. Në Policinë Gjyqësore do të ketë oficerë dhe agjentë, të cilët i ndajnë gradat mes tyre. Një OPGJ tani ka detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit në fuqi për ndalimin e publikimit të akteve që dokumentojnë veprimet procedurale, si dhe të çdo informacioni që rrjedh prej tyre.

Pagesat

Në nenin 6 të këtij projektligji ka disa ndryshime të përqasjes së ligjit me sistemin e ri të gradave dhe niveleve të punonjësve të Policisë së Shtetit. Kështu, sipas projektligjit, oficeri i Policisë Gjyqësore i nivelit drejtues më të lartë për shërbimin, përgjigjet para drejtuesit të prokurorisë, në kompetencën territoriale të të cilit ndodhet qendra e shërbimit të Policisë Gjyqësore. Në nenin 7 ka një riformulim tërësor të tij, pasi krahasuar me dispozitën aktuale, risia që parashikohet në këtë ndryshim ka të bëjë me ruajtjen e organizimit dhe hierarkisë së shërbimeve të Policisë Gjyqësore sipas strukturës së institucionit publik ku bëjnë pjesë. Për ndjekjen e formave të veçanta të kriminalitetit, drejtuesi i institucionit përgjigjet dhe kujdeset për ngritjen dhe funksionimin e shërbimeve të posaçme të Policisë Gjyqësore.



Shkarkimi dhe lirimi

1. Oficeri/agjenti i Policisë Gjyqësore lirohet nga detyra kur:

a) jep dorëheqjen;

b) mbush moshën e pensionit;

c) bëhet i paaftë përgjithmonë për të kryer detyrat zyrtare, për shkak të kushteve shëndetësore;

ç) dënohet me vendim gjyqësor të formës të prerë për kryerjen e një vepre penale.

2. Oficeri/agjenti i Policisë Gjyqësore shkarkohet nga detyra kur:

a) dënohet me vendim gjyqësor të formës të prerë për kryerjen e një vepre penale;

b) merret ndaj tij masa disiplinore e largimit nga detyra.



Emërimi

1. Caktimi në seksionet e Policisë Gjyqësore bëhet bazuar në një procedurë konkurrimi, nga ministri, që ka në kompetencë forcën policore ku bën pjesë kandidati, ose nga prokurori i Përgjithshëm, në rastin e juristëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme të ekspertizës.

2. Rregulla më të hollësishme përcaktohen me udhëzim të përbashkët të prokurorit të Përgjithshëm, ministrit të Brendshëm dhe ministrave përgjegjës që kanë në kompetencë forca policore.



Transferimi dhe ngritja në detyrë e OPGJ-ve

1. Organi kompetent i forcës policore njofton dhjetë ditë përpara drejtuesin e prokurorisë

pranë gjykatës së rrethit gjyqësor në rastet kur do të ngrihen në përgjegjësi ose do të transferohen oficerët e Policisë Gjyqësore në varësi të tyre.

2. Nëse transferimi i oficerit të Policisë Gjyqësore mund të ndikojë në ecurinë e hetimeve paraprake të një çështjeje komplekse, transferimi shtyhet/pezullohet deri në përfundimin e hetimeve, me kërkesë të prokurorit të Përgjithshëm, bazuar në njoftimin e drejtuesit të prokurorisë përkatëse.

3. Transferimi, qoftë edhe i përkohshëm, i oficerëve dhe agjentëve të seksioneve të Policisë Gjyqësore bëhet sipas kërkesës së motivuar të organit kompetent të forcës policore, pasi të ketë marrë mendimin paraprak dhe pëlqimin e prokurorit të Përgjithshëm. Kundërshtimi i Prokurorit të Përgjithshëm duhet të jetë i motivuar dhe nuk mund të bëhet në rastet e ngritjes në detyrë, në nivel ose gradë të oficerëve dhe agjentëve të Policisë Gjyqësore.



Shkeljet disiplinore

1. Shkeljet e disiplinës së punonjësit të Policisë Gjyqësore ndahen në:

a) të lehta;

b) të rënda;

c) shumë të rënda.



Masat disiplinore

1. Masat disiplinore kundër punonjësit të Policisë Gjyqësore, që jepen sipas rëndësisë dhe në raport me shkeljen disiplinore të kryer, janë si më poshtë:

a) vërejtje me shkrim;

b) vërejtje me paralajmërim;

c) ulje në detyrë me afat nga tre muaj gjer në një vit;

ç) pezullim nga detyra deri në 6 muaj;

d) largim nga detyra.



Rritja e pagave OPGJ-ve

a) 2 për qind shtesë pagë për çdo vit pune vjetërsi në detyrë;

b) 59 500 lekë të rinj, paga bazë e oficerit të Policisë Gjyqësore, e barabartë me 70% të pagës së prokurorit të rrethit;

c) 4760 lekë shtesa në pagë për vjetërsi muaj

11 900 lekë të rinj në muaj, shtesa maksimale e pagës për vjetërsi pune për OPGJ në Shkallën e Parë;

ç) 115 oficerë në Prokuroritë e Shkallës së Parë në rrethe;

d) 13 oficerë të Policisë Gjyqësore të Krimeve të Rënda;

e) 5 oficerë të Policisë Gjyqësore në prokuroritë e apeleve;

f) 20 oficerë të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.



Funksionet e Policisë Gjyqësore

a) merr dijeni për veprat penale;

b) parandalon ose pengon pasojat e mëtejshme që rrjedhin nga veprat penale;

c) kërkon autorët e veprave penale;

ç) kryen veprimet e nevojshme për të siguruar burimet e provës dhe për të grumbulluar gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal;

d) kryen çdo hetim dhe veprim të urdhëruar ose të deleguar nga organi procedues;

dh) kryen veprime procedurale për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale;

e) kryen veprime në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale penale me autoritetet e huaja brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

ë) kryen veprimet në zbatim të Ligjit Nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;

f) kryen çdo detyrë të tjetër të parashikuar në legjislacionin në fuqi.







28 Gusht 2010