Policia e Shtetit shpalli dje listën me emrat, datat, oraret dhe vendet e testimit të kandidatëve që kanë aplikuar për në Shkollën e Policisë deri më 31 mars të këtij viti. Kështu, të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin pranë strukturave të personelit të Drejtorive të Policisë në Qarqe, deri në këtë datë 31.03.2009 do t’i nënshtrohen testimit me shkrim. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, kandidatët duhet të paraqiten pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe, ku kanë aplikuar, për t’u pajisur me fletën e pranimit në testin me shkrim, të cilën do ta kenë me vete ditën e zhvillimit të testimit me shkrim. Ashtu sikundër dhe në vitet e mëparshme, korrigjimi i testimit do të bëhet me skaner dhe kandidatët do të njihen brenda ditës me rezultatin e testimit me shkrim. Policia e Shtetit, përmes këtij procesi që është ndërtuar bazuar në metodat më të mira perëndimore, synon përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë, për të shërbyer si punonjës policie. Synimi i këtij institucioni është të përzgjedhë vetëm kandidatët e kualifikuar si më të mirët, përcaktuar nga një proces i drejtë, transparent dhe i plotë përzgjedhjeje, në mënyrë që të përmbushë me sukses misionin e saj dhe të sigurojë një shërbim cilësor për qytetarët. Procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë është i hapur gjatë gjithë vitit. Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, nëse konkurrentët do kenë paqartësi, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre edhe me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al. Policia e Shtetit njofton se çdo material i nevojshëm për procesin e aplikimit, si dhe për fazat e përzgjedhjes së kandidatëve, do të publikohen dhe në faqen e internetit të Policisë së Shtetit www.asp.gov.al.





Datat e testimit





Datat dhe vendet ku do zhvillohet konkurrimi janë të ndryshme, në bazë qarqesh. Kështu, sipas Policisë së Shtetit, për qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Formimit Policor Tiranë në datën 20.04.2009. Testimi me shkrim do të zhvillohet i ndarë në dy grupe sipas këtij përcaktimi: në orën 07:00 do të paraqiten për t’iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët e Qarkut Tiranë me kodin e aplikimit nga 0495-0702. Në orën 11:00 do të paraqiten për t’iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga qarqet Dibër dhe Durrës, si dhe aplikantët e qarkut Tiranë me kodin e aplikimit nga 0703-0852. Ndërsa për qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Kristal” në Fier, në datën 29.04.2009. Testimi me shkrim do të zhvillohet i ndarë në dy grupe sipas këtij përcaktimi: në orën 07:00 do të paraqiten për t’iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga qarqet Fier dhe Vlorë. Në orën 11:00 do të paraqiten për t’iu nënshtruar testimit me shkrim aplikantët nga qarqet Berat dhe Gjirokastër. Për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër në datën 09.05.2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti. Për qarqet Elbasan dhe Korçë, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në datën 18.05.2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti.