Nga Bardhi Sejdarasi

Më 25 korrik të vitit 2007 qeveria e kryesuar nga Sali Berisha ka firmosur vendimin nr. 486 “Për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit”. Vendimi caktonte 18 muaj nga data 14.08.2007, kur ky akt ishte botuar në fletoren zyrtare (fletore zyrtare 109, datë 14.08.2007), pas të cilave veprimtaria e përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre, do të vazhdonte të kryhej në porte të tjera, të miratuara për këtë qëllim. Megjithëse në vendim nuk përmenden këto porte, me vendime të mëparshme është caktuar që këto porte do të ndërtohen në Porto Romano (në Durrës) dhe në Vlorë. Sali Berisha caktonte tri ministri, ministrinë e Rulit, ministrinë e Olldashit dhe ministrinë e Bodes të zbatonin këtë vendim.


Ai vendim tani nuk do të zbatohet. Para pak ditësh qeveria dhe z. Berisha firmosën një vendim të ri. Të tria ministritë dje u “zbythën”, së bashku me Inspektoratin Qendror Teknik që kishte ndezur makinat për të shkuar në Shëngjin e në Durrës e për të bërë bllokimin e përpunimit të anijeve të naftës, pikërisht në datën 14 shkurt 2009, ditën kur mbusheshin 18 muaj nga marrja e vendimit..






Berisha nuk e mbajti fjalën!




Le të shkojmë pak më thellë në këtë vendimmarrje. Ka qenë ministri Genc Ruli që e ka propozuar draftin e VKM. Berisha, jo vetëm ka këmbëngulur, por ka kërcënuar (kamerat e TV e kanë fiksuar këtë çast), se nuk do të derdhej asnjë pikë naftë në Shëngjin e në Durrës. Aq e theksuar ka qenë kjo këmbëngulje e kryeministrit, sa në momentin që miratonte projektvendimin, Berisha i është drejtuar zëvendësministrit Eno Bozdo, duke e pyetur se ku e kishte ministrin Ruli, pse mungonte ai. Edhe ky debat është i regjistruar dhe mund të gjendet në të gjitha arkivat e TV. Ruli është “usta i vjetër” dhe nuk mund të merrte pjesë në një mbledhje të tillë qeverie, ku miratohej një vendim i tij, por që krijonte disa përplasje mes tij dhe një grupi biznesmenësh të përkrahur haptas prej ministrit. Mes tyre shënoheshin investitorët e depozitave të Shëngjinit, emrat e aksionerit Gjokë Uldedajt (që Ruli këmbënguli dhe punoi mjaft që të bëhej kryetar i Dhomës së Tregtisë së Tiranës), emri i Rezart Taçit (i cili në momentin e fundit, pak ditë para vendimit të Berishës deklaroi se tërhiqej nga ky investim), të Ibrahim Aktoz, që prej 5 vitesh jeton në Tiranë dhe drejton kompaninë e tregtimit të karburanteve “Alpet”, (në parantezë: Historiku i shoqërisë shqiptare të karburanteve Vil Oil sh. a. & Alpet nis në fillimet e vitit 2005, kur kompania turke “Alpet”, hyri në tregun shqiptar si një markë nëpërmjet shoqërisë Vil Oil sh. a. & “Alpet”), si dhe kompania “Petrogaz Albania N”.


Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, nuk mund të ishte pra pjesëmarrës në mbledhjen e qeverisë, ku Berisha anatemoi të gjithë ata që kishin hedhur miliona euro në Shëngjin. Ai kishte shoqëruar atë ditë Bojaxhiun e KESH, i cili bënte “qokë” me homologun e tij të kompanisë energjitike të Malit të Zi. Se pse duhej ministri Ruli në një takim drejtorësh korporatash, këtë e di vetëm Genc Ruli. Pra, kjo është historia e VKM së Berishës, së 18 muajve më parë.


Ditë përpara se sa të merrej vendimi i Berishës, katër kompani i kanë dërguar z. Ruli një letër. Ja çfarë shkruhej në këtë letër:


“Në rrugë jozyrtare jemi vënë në dijeni se me urdhrin tuaj nr. 245 datë 17.04.2007, është ngritur një grup pune “Për vlerësimin e situatës të depozitave të naftës që lidhen me portin e Shëngjinit”.


Që në fillim duam t’iu vëmë në dijeni se grupi i punës nuk ka patur asnjë komunikim zyrtar me përfaqësuesit e subjekteve tona deri në këto momente që po ju shkruajmë.


Në portin e Shëngjinit ushtrojnë veprimtarinë e importit të karburanteve Shoqëritë tona, “Alpet & Viloil”, “Taçi Oil”, “Ada Petrol” dhe “Petrogaz Albania N”.


Kompanitë tona me kapacitet depozitues vetëm në Shëngjin, në afërsi të portit dhe jashtë qendrave të banimit për nga volumi i importit listohen në 6 kompanitë kryesore të karburanteve në shkallë vendi.


Të gjitha kompanitë së bashku përballojnë një volum prej 30- 45% të totalit të importit në nivel kombëtar. Dy kompani “Taçi Oil” dhe “Alpet” janë kompani lider në treg me një rrjet të shitjes me pakicë në gjithë territorin e Shqipërisë dhe po shikojnë mundësinë e zgjerimit edhe në rajon, kryesisht Kosovë.


Kompanitë “Alpet & Viloil” dhe “Ada Petrol” janë në partneritet me kompani të huaja.


Aktiviteti i kompanive është i licencuar në cikël të mbyllur, duke zotëruar të gjitha licencat e nevojshme për ushtrimin e këtij aktiviteti. Asetet e kompanive janë të hipotekuara dhe të certifikuara nga organet kompetente. Nisur nga volumi i madh tregtar që qarkullojmë, kompanitë tona punojnë me sisteme kreditimi dhe owerdrafte nga bankat dhe kolateralet tona (depozitat), na kanë shërbyer si garanci për të mbuluar kreditimet bankare.


Nuk mund të krijohet paralelizëm midis portit të Durrësit dhe portit të Shëngjinit. Në këtë port mungon një studim i plotë dhe aq më tepër nga Banka Botërore, nga komunikimet tona me MPPTT si menaxhuese e portit, nuk kemi asnjë sinjalizim që këtij porti t’i hiqet e drejta e trajtimit të karburanteve.


Theksojmë se ideja për të patur dy pika të shkarkimit të karburanteve nuk është aspak e justifikuar, nuk është ekonomike, krijon pabarazi midis rajoneve, po të shtojmë këtu faktin se kompania “Petrolifere” është me drejtim depozitimi dhe Porto-Romano kërkon kohë të konsiderueshme për të futur në punë.


Kompanitë që kanë aktivitet tregtar në Shëngjin dhe që kanë rritur ndjeshëm praninë dhe reputacionin në treg, nuk mund të trajtohen si argument justifikimi, apo siç po përgojohet si objekt konkurrence.


Fatmirësisht, në këto vitet e fundit janë kompanitë shqiptare që po dominojnë tregun e hidrokarbureve dhe kjo është realizuar me mund dhe përpjekje nga këto kompani. Ky është një avantazh konkurrues, i cili po të prishet, krijon pasoja, të cilat reflektohen në këtë kategori tregu tepër të ndjeshëm për konsumatorin shqiptar.


Jemi të prirur të bashkëpunojmë me institucionet vendore e qendrore që porti i Shëngjinit të zhvillohet dhe të funksionojë sipas standardeve, të gjenerojë të ardhura dhe të krijojë hapësira të reja”, - përfundon letra drejtuar Genc Rulit dhe firmosur nga “Alpet & Viloil”, “Taçi Oil”, “Ada Petrol” dhe “Petrogaz Albania N”.


Pikërisht kjo letër dhe komunikimet e mëpasshme dy e shumëpalëshe e kanë irrituar së tepërmi në atë kohë kryeministrin, i cili lëshoi urdhrin e prerë për çmontimin e depozitave në portin e Durrësit dhe të Shëngjinit. A mund t’i thuhej kryeministrit se “ideja për të patur dy pika të shkarkimit të karburanteve nuk është aspak e justifikuar”, se “nuk është ekonomike” apo edhe se “krijon pabarazi midis rajoneve”. Kryeministri sigurisht që dinte më shumë se letërshkruesit e Rulit. Fjala ishte për “Petroliferën” në Vlorë dhe ata që qëndronin pas këtij investimi italian, fjala ishte edhe për Porto Romanon dhe ata që qëndronin gati për investimin në këtë rajon.







Pse ndryshoi Berisha?




Në një nga mbledhjet e fundit të qeverisë, është miratuar vendimi i ri, i cili vendos që “në pikën 1, të vendimit nr. 486, datë 27.7.2007, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.” zëvendësohen me “…deri më 30 qershor 2009”. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, ndërkohë që deri atëherë duhet bërë efektiv vendimi i korrikut 2007. Të tria ministritë e përmendura më lart do të shkelin ligjin dhe Kushtetutën, duke mos e zbatuar vendimin e vjetër, ndërkohë që i riu del pas skadimit të afatit (koha e nevojshme që duhet për botimin në fletoren zyrtare).


Është e pakuptueshme të mendohet kundërshtimi i një vendimi të firmosur nga kryeministri ynë. Por këtë mund ta bëjë vetëm një njeri, që quhet Genc Ruli. Çfarë ka përfituar Ruli nga shtyrja deri më 30 qershor e ndalimit të veprimtarisë së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte? Si funksionon sot furnizimi në Porto Romano i një duzine kompanish të tjera? Cilat argumente ka përdorur ministri i Ekonomisë për të kërkuar shtyrjen e vendimit të firmosur njëherë nga Sali Berisha?







Kush është i “kapuri”? Ministri apo shefi i tij?




Historia e porteve të Durrësit dhe të Shëngjinit dhe vendimet e qeverisë që shfryhen si të ishin flluska sapuni, duke shtyrë në kalendat greke realizimin e projekteve që lidhen me këto porte sigurisht që ka nevojë për hetim nga organet kompetente. Kapja e shtetit është argumenti më i dukshëm në këto transaksione. Përfituesi duket që është dorëshpuar. Por dëmi që i vjen publikut, shtetit dhe investimeve të planifikuara është i konsiderueshëm. Mjaft të kujtojmë trajtimin që i bëhet nga ekspertët gjendjes së Shëngjinit. Zhvillimi i këtij porti po bëhet në bazë të një masterplani, të financuar nga Komisioni Evropian dhe buxheti i shtetit, me një vlerë prej rreth 3.500.000 eurosh, nga të cilat 3.100.000 është fondi i BE në bazë të programin IPA dhe 400.000 mbulohen nga buxheti i shtetit. Këto fonde pritet të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve portuale. Gjithashtu, në zbatim të masterplanit të këtij porti, qeveria shqiptare në buxhetin e vitit 2008 kishte parashikuar një fond prej 20 milionë lekësh për thellimin e portit, projekt ky i fundit, i cili ka përfunduar duke e rritur thellësinë e basenit të portit rreth kalatave gjer në 7 m, duke krijuar në këtë mënyrë mundësinë e përpunimit të anijeve me tonazh gjithnjë e më të madh.


Por përpunimi i anijeve të naftës ia heq përfundimisht këtë shans Shëngjinit, pengon zbatimin e masterplanit dhe dëmton infrastrukturën dhe shërbimet e tjera portuale. Përse atëherë ministri Ruli kërkon shtyrjen e ekzekutimit të vendimit? Shefi i Sigurisë Detare të MPPTT në një prononcim mediatik thotë se “qeveria shqiptare ka vendosur shpalljen e Lezhës si zonë ekonomike të lirë, duke i dhënë statusin “Park industrial” për një sipërfaqe prej 3.2 ha në afërsi të portit të Shëngjinit. Në këtë zonë ekonomike do të zhvillohen veprimtari prodhuese, tregtare, industriale, agro-përpunimi, eksport-importi dhe aktivitete ndihmëse, që pa dyshim do të shërbejnë gjithashtu edhe për sipërmarrës nga Kosova. Kjo politikë investimesh e ndjekur nga qeveria shqiptare për portin e Shëngjinit dhe të zonës përreth, pa dyshim krijon perspektiva të sigurta zhvillimi për të gjithë veriun e Shqipërisë, duke kontribuar në fuqizimin ekonomik të saj paralelisht me zonat e tjera të vendit, ku investimet po vijojnë me ritme të shpejta”. Pse atëherë shtyhet ky plan zhvillimi? Vetëm për të favorizuar dy firma import karburantesh, sepse dy të tjerat janë larguar tashmë?


Kohët e fundit ky port po merr një rëndësi të veçantë si rrjedhojë e finalizimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, e cila paraqitet si garanci zhvillimi për portin e Shëngjinit, pasi do të bënte të mundur shtrirjen e shërbimeve të transportit multimodal (rrugor-detar) nëpërmjet këtij porti, në drejtim të tregut të Kosovës dhe anasjelltas, në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.







Çfarë sjell VKM e re e qeverisë?




Së pari, mbështetjen e grupit të bizneseve importuese që veprojnë në Shëngjin e në Durrës, duke vendosur në kushte diskriminuese operatorët e tjerë importues, që kanë investuar miliona euro në Porto Romano.


Së dyti, shtyn në mënyrë të pakuptimtë edhe për 6 muaj fillimin e investimeve të planifikuara në masterplanin e zhvillimit të Shëngjinit. A është kjo një kosto më e ulët sesa favorizimi i dy kompanive importuese? Z. Ruli, si ekonomist, duhet t’i këtë bërë edhe këto hesape. Ajo që mbetet pa u llogaritur është mungesa e mbajtjes së fjalës së dhënë, vënia në pozita të pabarabarta të operatorëve të tjerë të tregut të hidrokarbureve, loja e kungulleshkave me vendimet e Këshillit të Ministrave e pra edhe humbja e seriozitetit të vendimmarrjes, si dhe imazhi i kreut të qeverisë, sepse për imazhin e ministrit të Ekonomisë kjo nuk përbën asnjë problem të dukshëm. Nuk është mirë kështu!