Autori i Lajmit: Entela Duraj










Paramaturantët apo kandidatët e tjerë që konkurojnë për të dytën herë në universitet nuk do ti mbartin të gatshme pikët e grumbulluara nga vitet e kaluara. Por llogaritja e pikëve të fituara prej tyre në provimet e dhëna dhe ato që do të japin do të përmblidhet sërish sipas koefcientëve të rinj të miratuar për vitin akademik 2010-2011. Tashmë ka përfunduar procedura e regjistrimit në provimet e pranimit në universitete (provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje). Shkollat e mesme kanë depozituar pranë drejtorive përkatëse të dhënat e plotësuara nga secili kandidat në formularët A-1 dhe A-1Z. Megjithatë, lista zyrtare, ku përcaktohet numri i aplikuesve që do të garojnë këtë vit për studimet e larta, do të zbardhet në fund të javës nga ekspertët e AVA-së. Pra sipas udhëzimit të sivjetshëm në llogaritjen e rezultatit final për pranimet në universitetet publike gjatë vitit të ardhshëm akademik do të përdoren vetëm koeficientet e miratuara nga Ministria e Arsimit për provimet e 2010-s. Ky rregull do të vlejë edhe për kandidatët që do të hyjnë në garën e pranimeve duke përdorur rezultatet e lëndëve me zgjedhje të dhëna në maturat e zhvilluara para këtij viti. Rregullorja e provimeve të Maturës Shtetërore përcakton se në nxjerrjen e rezultatit final të çdo preference të përzgjedhur nga aplikuesit (qofshin këta maturantë që sapo mbarojnë shkollën e mesme apo ata që e kanë mbaruar gjatë viteve të shkuara), do të përdoret lista e koeficienteve të miratuara gjatë 2010-s. Ndërsa më parë për nxënësit që hynin në garën e pranimeve me rezultatet të mbartura në llogaritjen e rezultatit final të maturës përdoreshin koeficientet që lënda dhe lloji i shkollës kanë pasur kur është dhënë provimi. “Të gjitha personat që në vitet shkollore 2005–2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimeve të larta publike (e vërtetuar kjo nga dekanatet përkatëse të çdo fakulteti), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë–preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka lënda këtë vit”, - specifikohet në rregulloren e provimeve. Ndërsa për rastet kur personi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon ti njihet rezultati i saj, do ti njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur lënda përkatëse është dhënë provim.







Brenda javës dalin listat

e maturantëve që do të futen në provime



Brenda kësaj jave në shkolla do të afishohen listat e maturantëve që do të hyjnë në provimet e Maturës 2010. Pjesë e këtyre listave nuk do të jenë vetëm maturantët e këtij viti shkollor, por edhe ata të viteve të kaluara që do të marrin pjesë në këtë proces. Tashmë në të gjitha gjimnazet e vendit maturantët kanë plotësuar formularin A1, të cilin edhe e kanë dorëzuar. Ndryshimi i kësaj mature është afrimi i datave të provimit. Të cilat do të jepen brenda qershorit, pra Matematika, Letërsia dhe dy lëndët me zgjedhje. Kjo ka një gjë shumë pozitive, pasi nxënësit kur të plotësojnë formularin A2, që mund ta plotësojnë në korrik do të kenë në dorë të pesë të dhënat e veta për të zgjedhur një degë që jo vetëm e dëshiron, por dhe atë që e sheh se mund ta arrijë. Ndë rkohë, në shkolla kanë filluar dhe konsultimet përkatëse në bazë të programeve orientuese të publikuara nga MASH-i, për Letërsinë dhe Matematiken. Ndërkaq, për herë të parë këtë vit, në komisionet e Maturës Shtetërore është futur dhe psikologu, për tju ardhur në ndihmë maturantëve.





Maturantët, formula e llogaritjes së pikëve



Maturantët mund të përllogarisin vetë pikët e tyre dhe të shohin nëse i afrohen ndopak pikëve maksimale për të fituar të drejtën e studimit aty ky kanë dëshiruar. Në bazë të shembujve të bërë publike nga APRIAL 2009, çdo pretendent për në universitet mund të shoh se në cilat nivele është me pikët që ka marrë deri më tani. Më parë duhet të dinë se ku kanë më shumë shanse për tu pranuar. Këtë mund ta bëjnë vetëm duke llogaritur pikët që kanë grumbulluar me anë të komponentëve të Maturës Shtetërore. Formula është e njëjta që zbatohet që prej nisjes së këtij sistemi. Kjo skemë nuk do të vlejë për maturantët që kanë dhënë konkurse në Arkitekturë, Akademinë e Arteve dhe atë të Sporteve, pasi ata do të kualifikohen vetëm në bazë të konkursit. Kështu Formula e llogaritjes së pikëve është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja, D1 = provim i detyruar letërsia, D2 = provim i detyruar matematika, T1 = provim me zgjedhje 1, T2 = provim me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti, sipas provimeve me zgjedhje. Pasi të llogariten pikët me këtë formulë, maturantët duhet të konsultojnë në faqen zyrtare të ministrisë pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues, kandidatët e një viti më parë.



Ky lajm është publikuar: 30/03/2010