Publikohet tabela e koeficienteve të nëntë universiteteve për provimet me zgjedhje


Jonida Tashi





Zyrtarizohen koeficientet e 12 lëndëve me zgjedhje, nëpërmjet të cilëve çdo universitet ka shprehur parapëlqimin e tij për secilën lëndë, varësisht nga profili i fakultetit. Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit ka publikuar zyrtarisht koeficientet e lëndëve me zgjedhje, që do të përdoren për pranimet e reja në universitete, për nëntë institucionet e arsimit të lartë publik. Më konkretisht bëhet fjalë për koeficientet e vendosura për Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”, Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej”. Gazeta boton sot tabelën e koeficienteve të lëndëve me zgjedhje për studime në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2010-2011. Gjithashtu publikohen edhe programet e studimit që do të ofrojnë universitetet.

Koeficientet

Koeficientet e lëndëve me zgjedhje, të cilët propozohen nga universitetet vazhdimisht kanë qenë një pikë e fortë debati midis këtyre institucioneve dhe Ministrisë së Arsimit. Por edhe për këtë vit, pavarësisht propozimeve të bëra nga universitet, Ministria e Arsimit ka vendosur të lërë në fuqi koeficientet e vitit të kaluar edhe për pranimet e këtij. Sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, çdo degë e shkollës së lartë shpallë propozimet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, për të cilat janë dy lloje koeficientesh në dispozicion, nga 1.0 në 1.3. Kështu, megjithëse universitetet kanë të drejtë të propozojnë koeficiente më të lartë për degët e profilit të tyre, vendimi për koeficientet përfundimtarë merret nga Ministria e Arsimit. Për pranimet në universitete, Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion dy lloje koeficientesh që janë: pesë koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion pesë koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për dy e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe dy notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht për llojin e shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë shpall parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficienteve të tjera me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këto koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.







20 Shkurt 2010